Komandanti i Kosharës i reagon ashpër Igor Simiqit

Politika

Komandanti i Kosharës i reagon ashpër Igor Simiqit

Nga: A.M. Më: 11 shtator 2026 Në ora: 19:03
Kuvendi i Kosovës

Një nga komandantët e njohur të luftës së Koshares, Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, duke e cilësuar deklaratën e tij si një përpjekje për sabotim politik të institucioneve të Kosovës.

Maraj ka kritikuar gjithashtu reagimin e zyrtarit serb, Petkoviq, nga Beogradi, lidhur me shtyrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës.

“Lista serbe saboton institucionet e Kosovës. Deklarata e kandidatit për nënkryetarë të Parlamentit të Kosovës që përfaqëson popullin serb është sabotim politik. Për shtyrjen e seancës; Petkoviq nga Beogradi, reagoj dhe këtë e quajti si presion ndaj serbëve në Kosovë. Pafytyrësia e tij e bartë këtë. Ai nuk ndalet të krahasoj aspak të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës por pretendon që Kosova qenka pjesë e Serbisë këtë e thotë, pas 27 viteve të ndarjes me luftë. Por nuk do të duhej të pritet diçka tjetër nga një shtet kriminel që glorifikon kriminelet e vet të dënuar më burg të përjetshëm. Që nuk ka dhembje as ndjesë për viktimat e krijuara nga ushtria dhe politika e tij. Një shtet që pretendon vazhdimisht territorin tonë, pa farë keqardhje për krimet në Kosovë. Pretendon territorin e shtetit fqinjë edhe pas njohjes së Kosovës nga 120 shtete”, ka thënë ai.

Duke folur për Listën Serbe dhe veprimtarinë e saj në Kosovë, Maraj ka kërkuar masa të ashpra ndaj saj, duke e akuzuar për veprime që, sipas tij, kanë cenuar shqiptarët dhe serbët në Kosovë.

“Lista serbe në Kosovë do të duhej të shpallej terroriste për terrorin që u ka bërë shqiptarëve dhe terrorin që tani u bënë popullatës serbe në Kosovë. Kjo listë kriminale do të duhet sa më shpejt të ndëshkohet për veprimet kriminale të bëra që nga pas lufta e që bënë edhe sot. Sjellja e armëve vazhdimisht në veri, kërcënimet dhe shantazhet që u behën atyre  qytetarëve të Kosovës që mendojnë ndryshe nga kryesia kriminale e Beogradit. Deklarata e emisarit serb në Kuvendin, synon ta sabotoj Kuvendin e Kosovës. Te del sikur ky kuvend dhe Kosova janë pjesë të Serbisë dhe betimi behët në emër të popullit serb. Në emër të popullit serb mund të behët betimi në Serbi. Në Kosovë populli është i Kosovës. Betimi nuk behët në emër të ëndrrave dhe shpresave serbe e ruse. Kuvendi i Kosovës edhe po të tërheqtë Igor Simiq fjalën që mohon institucionin para të cilit po betohet nuk duhet ta pranoj. Nga se qëllimet e tija ky i ka treguar ende pa u votuar nga Kuvendi”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Maraj ka ngritur çështjen e vendeve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, duke argumentuar se përfaqësuesit e Listës Serbe nuk duhet të keqpërdorin këto mandate për, siç shprehet ai, të cenuar funksionimin e institucioneve të vendit.

“Nga kjo listë do të duhej të kërkohej një emër tjetër për ndryshe nuk do të duhej të jetë pjesë e kuvendit. Ky ka harruar se i ka dhjetë vende të rezervuara pa kurrfarë të drejte. Të i rezervosh dhjet vende në parlament atyre që e kallën Kosovën që vranë mbi 13.000 shqiptarë të pafajshëm; nuk ishte fare e drejt. Tani saboton në emër të kësaj dhurate që e mori në vend të dënimit që e meritonte. Ndoshta do të duhej ky lëshim të shqyrtohet bashkë me aleatët tonë. Serbët në Kosovë duhet të çlirohen nga tutela e regjimit kriminal të Serbisë dhe Rusisë që po bëjnë presion të pandërprerë që nga pas lufta”, ka shtuar ai.

Në vijim të prononcimit të tij, Maraj ka kundërshtuar deklaratën e Igor Simiqit, duke e cilësuar atë si të papajtueshme me Kushtetutën e Kosovës dhe duke kërkuar që ai të mos marrë pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

“Deklarata e Simiqit që propozohet nga populli serb është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kjo deklaratë jo vetëm që nuk duhet të pranohet por as kandidati nuk duhet të i lejohet të jetë nënkryetarë i Parlamentit të Kosovës. Ndërsa lista serbe duhet të shpallet kompani terroriste. Për terrorizmin e këtij grupi ka informata të mjaftueshme, që nga themelimi i saj . BE dhe Bota Demokratike  po bindën për çdo ditë se përkëdhelja e kriminelit nuk sjell paqe. Joshja e Serbisë ishte e kotë. Kjo strategji e BE dhe Botes demokratike ka dështuar. Vlerësime të tilla ka për çdo ditë edhe më shumë. Lista serbe në Parlamentin e Kosovës është një bombë serbo-ruse me telekomandë nga këto dy qendra. Nuk pritet këta asnjë bashkëpunim i mirëfilltë në drejtim të paqes, mirëkuptimit dhe jetës se qetë në Kosovë”, ka përfunduar Maraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat