Bllokimi i Kuvendit, Halilaj: Çështja e Thaçit, Veselit dhe UÇK-së nuk duhet të përdoret për kalkulime elektorale

Politika

Bllokimi i Kuvendit, Halilaj: Çështja e Thaçit, Veselit dhe UÇK-së nuk duhet të përdoret për kalkulime elektorale

Nga: A.M. Më: 13 shtator 2026 Në ora: 08:28
Kuvendi i Kosovës

Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se interesat partiake nuk duhet të vendosen mbi funksionimin e institucioneve.

Halilaj ka deklaruar se bllokimi institucional nuk mund të trajtohet thjesht si një përplasje politike mes partive.

“Bllokimi i procesit të konstituimit të Kuvendit nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike. Kur interesat partiake vendosen mbi funksionimin e institucioneve, atëherë pasojat i bart i gjithë vendi dhe qytetarët.

PDK-ja, bashkë me partitë e tjera opozitare, duhet ta kuptojë se Kuvendi nuk është pronë e asnjë partie dhe as mjet për të realizuar kalkulime politike. Vota e qytetarëve duhet të respektohet dhe institucionet duhet të funksionalizohen pa vonesa e pa pazare”, ka thënë ai.

Më tej, Halilaj ka ngritur shqetësimin se bllokimi institucional mund të jetë pjesë e një strategjie politike për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Image
Gazmend Halilaj

“Nëse kjo bllokadë po përdoret si strategji për ta çuar vendin në zgjedhje të reja dhe për të përfituar politikisht nga një moment emocional e historik, atëherë kemi të bëjmë me një qasje të papërgjegjshme ndaj shtetit.

Sidomos çështjet që lidhen me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk duhet të shfrytëzohen për kalkulime elektorale. Sakrifica dhe lufta e UÇK-së janë pjesë e historisë së Kosovës dhe nuk mund të shndërrohen në instrument të interesave të një partie”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Halilaj ka folur edhe për rezultatin zgjedhor dhe nevojën, që partitë që kanë qenë në pushtet për vite me radhë ta pranojnë realitetin e ri politik.

“Partitë që për vite kanë pasur pushtetin duhet ta pranojnë realitetin e ri politik. LVV-ja ka marrë besimin e qytetarëve dhe ky vullnet nuk mund të anashkalohet përmes bllokadave, pazareve apo lojërave politike.

Nëse dikush mendon se përmes krizës institucionale mund ta dobësojë LVV-në ose ta ndryshojë vullnetin e qytetarëve, këtë përgjigje duhet ta japin vetë qytetarët në kutinë e votimit.

Unë do të vazhdoj ta përkrah fuqishëm LVV-në, sepse besoj se Kosova ka nevojë për një politikë të re dhe jo për rikthimin e mentalitetit të vjetër të pazareve, posteve dhe interesave partiake.

Kosova nuk duhet të mbahet peng nga askush.

Vullneti i qytetarëve mbi çdo kalkulim partiak”, ka përfunduar Halilaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat