Në Shqipëri vijojnë protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, të cilat tashmë kanë kaluar mbi 100 ditë.
Prej më shumë se tre muajsh, qytetarë dhe mbështetës të opozitës mblidhen në protesta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e qeverisjes.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij, si dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila, sipas organizatorëve, do të hapte rrugën për një proces të ri politik dhe zgjedhor.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu anulimin e disa ligjeve dhe nismave që i konsiderojnë të dëmshme për interesin kombëtar, mes tyre ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura dhe të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”.
Mile: Protesta ka meritën që i ka treguar popullit se duhet ngritur zëri për të patur transparencë nga pushteti dhe llogaridhënie
Publicisti shqiptar, Klementin Mile vlerëson se protesta ka ndikuar në rritjen e kërkesës për transparencë dhe llogaridhënie nga pushteti, por thekson se kërkesat e protestuesve ende nuk janë adresuar nga qeveria.
“Protesta ka meritën që i ka treguar popullit se duhet ngritur zëri për të patur transparencë nga pushteti dhe llogaridhënie. As në demokraci këto nuk mund të merren të mirëqena, pasi kanë nevojë gjithmonë për popullin të tregojë forcën e vet. Pra, në sensin e kulturës politike, ky është kontributi i protestës. Sa i përket kërkesave të protestuesve, ato nuk janë adresuar nga qeveria”, thotë ai.
Mile në një prononcim për “Bota sot” thekson se presioni i protestës ka nxitur qeverinë të rrisë transparencën dhe të rishikojë raportin me qytetarët, por shton se protesta nuk mund t’i imponojë politikës përmbushjen e kërkesave të saj.
“Megjithatë, nën presionin e protestës, qeveria është detyruar të japë më shumë informacion dhe të rishikojë raportin me qytetarët, prandaj dhe nismat si pasqyralbania, besa, prania besnike etj. Protesta, si fenomen, është kambanë alarmi që shoqëria të kthejë sytë nga vetja dhe të shohë çfarë nuk shkon.
Por protesta nuk mund ta detyrojë as shoqërinë, as politikën, as qeverinë të bëjë atë që kërkojnë protestuesit. Presioni popullor në protestë, në rastin më të mirë, merret si informacion nga politika dhe, pas përpunimit politik (pra pragmatik, jo idealist) mund të sjellë ndryshime strukturore” – shpreh ai.
Shahu: Protesta me paqartësi kërkesash, me kërkesa qesharake Rama në burg Berisha në burg e ka zbehë veten e misionin e saj
Kurse, publicisti Rexhep Shahu për “Bota sot”, vlerëson se protesta po humbet ndikimin duke u shndërruar në rutinë. Sipas tij, kërkesat janë të paqarta dhe protesta nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj qeverisë, duke përfunduar në favor të saj.
“Protesta drita e vetme e një shprese në Shqipëri po humbet magjinë, po bëhet përditshmëri, rutinë. Po mësohet vetë protesta me veten e vet, me rutinën e vet po mësohen edhe njerzit me rutinën e saj.
E keqja në Shqipëri është bërë e zakonshme, njerzit kanë mbi një dekadë që janë pajtue me qeverisjen e keqe, nuk ia kafshojnë dot gishtin qeverisë, as nuk guxojnë ta drejtojnë as gishtin nga qeveria me tregue të keqen.
Edhe protesta që na zgjoi e na bëri të besojmë se do bëhet diçka ndryshe, po bëhet rutinë. Është një manifestim i përditshëm. Protestën e mendoj të atillë që duhet ta djersijë qeverinë jo të sherbejë si muzikë për qeverinë, të sherbejë për garniturë demokracie.
Artikulimi e kërkesat e protestës janë supë e ftohtë. Protesta nuk synoi çmontinin një nga një të ligjeve kriminale nga kjo qeveri, anulimin e kontratave, zhbërjen e vendimeve kriminale por kërkon të ikë qeveria, te ikë parlamenti, të caktohet drejtimi i vendit nga protestuesit. Kerkojnë Rama në burg, Berisha në burg.
Gjithkush jashtë kësaj protestës i duket e keqe. Një ditë shprehen kundër qeverisë, pastaj shkojnë gjuajnë vezë deputetëve. Çfarë të bëjnë deputetët? Ata janë të emëruar të Ramës nuk e diktojnë deputetët Ramën por Rama i urdhëron ata.
Gjithë vektorët e forcës së protestës duhej të drejtoheshin te Rama. Çdo gjë tjetër është në favor të Ramës. Është fresk për Ramën
Po të mos ishte në lojë Kushner si dhëndër i presidentit amerikan Trump, protesta nuk do të kishte asnjë mbështetje të mediave të majta botërore”, tha ai.
Shahu thotë se protesta e ka zbehur ndikimin për shkak të kërkesave të paqarta dhe mungesës së presionit të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë.
Ai vlerëson se protesta po ecën drejt rutinës dhe se qytetarët po mësohen me situatën e krijuar në vend.
“Protesta me paqartesi kërkesash, me kërkesa qesharake Rama në burg Berisha në burg e ka zbehë veten e misionin e saj.
Edhe sikur të ishin dhjetra mijëra protestues dhe sikur të ishin të armatosur me armët më të mira nuk do të arrinin të bënin burgjet e tyre.
Me kërkesa kundër sistemit 30 vjeçar na kujtojnë sistenim komunist. Shqipërisë nuk ia ndërron dot sistemin kjo protestë se qytetarët nuk duan diktaturën e komunizmit.
Qytetarët nuk e duan as diktaturën e anarkisë të Edi Ramës, diktaturën e kësaj qeverie grabitësish të buxhetit të shtetit të pasurisë publike të resurseve kombëtare
Protestuesit e kanë zbehur veten edhe se shprehen se duan tu ngjajnë protestuesve serbë që rezistuan një kohë të gjatë.
Protesta me gjithë qëllimet e mira, me gjithë zgjimin shoqëror që bëri, po ecën zvarrë, nuk ka nerv, po e përdorin për protagonizëm njerëz të ndryshëm pa fituar dot besim publik.
E kam dashur më të nxehtë, më të sertë protestën, jo të dhunshme por as manifestim festiv në shesh nuk e kam dashur.
Nuk i besoj një proteste me gra e fëmijë për dore apo me fënijë në karrocë.
I besoj një proteste që i vë kushte të prera qeverisë, kushte logjike dhe përballet me qeverinë në shesh, jo thjeshtë me ba rutinën e radhës tre muaj çdo ditë e qeverisë mos me i hy asnjë gjemb në këmbë.
Nuk shihet nervozizëm nga protestuesit, nuk kanë zjarr në sy, nuk lidhen sup më sup por presin nga të tjerët, presin të bëhen qindramijëra.
Qesharake më duken edhe parullat me emigrantë… nuk vijnë emigrantët ta rrëzojnë qeverinë Rama. Këtu kanë qenë emigrantët.
Duket dhe protestueësit si shumica e shqiptarëve po pajtohen e po mësohen me të keqen qe e ka zënë vendin”, shprehet Shahu më tej.
Shahu e cilëson largimin e qindra mijëra shqiptarëve si një nga pasojat më të rënda të qeverisjes së Edi Ramës.
Ai thotë se protesta në Tiranë u pa si shpresë për ndryshim, por sipas tij po zbehet dhe nuk po ushtron presionin e nevojshëm ndaj qeverisë.
“760.611 shqiptarë të larguar prej Shqipërie nga jeta e keqe në 10 vitet e fundit dhe i ka legalizuar Europa, u ka dhënë leje qëndrimi në Europë. Kjo është në fakt tragjedia shqiptare, fatkeqësia kombëtare. Asnjë luftë asnjë kolerë asnjë Covid nuk do ta pakësonte kurrë kaq shumë Shqipërinë sa e ka pakësue qeverisja e Edi Ramës që nga 2013.
Askush në historinë kombëtare nuk e ka vjedhë plaçkitë e shpopullue kurrë Shqipërinë sa qeverisja e Edi Ramës.
Në vitin 1945 që mbahet si viti më vrasës e kriminal i Enver Hoxhës, ai pati vra e burgosë 15 mijë njerëz. Edi Rama në vitin 2015 pati burgosë rreth 38 mijë shqiptarë, ku i patën vdekë njerëz në burg pse nuk kishin paguar fatura energjie 30 dollarshe.
Pra shkurt protesta në Tiranë është pritë si fillimi i çlirimit të vendit nga mafia vendase dhe e huaj, si çlirim nga kriminelët, por protesta po zbehet duke lënë hije trishtimi.
Edi Rama nuk ikën me lutje nga pushteti, ai pushtues duhet shporrë me forcë qytetare, por nuk e shporrin OJF e veta as sponsorët që e kanë sjellë në pushtet” – përfundoi ai për “Bota sot”.