Pas takimit të fundit mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, mundësia e një dakordimi mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka rikthyer në qendër të debatit politik çështjen e bashkëpunimit mes dy subjekteve kryesore politike në vend.
Në fokus të këtij diskutimi është projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për të cilin PDK-ja ka shprehur gatishmërinë për ta diskutuar dhe votuar, ndërsa përtej kësaj çështjeje, në takimin mes Hamzës dhe Kurtit është diskutuar edhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.
Në një deklarim për media para seancës së Kuvendit, Hamza ka bërë të ditur se çështja e presidentit është diskutuar në takimin me Kurtin, por pa u përmendur emra konkretë.
“Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera”, ka deklaruar Hamza.
Deklarata e kreut të PDK-së ka hapur pikëpyetje nëse votimi i projektligjit për Specialen mund të shërbejë si pikënisje për një bashkëpunim më të gjerë mes PDK-së dhe LVV-së, veçanërisht në një moment kur zgjedhja e presidentit të vendit mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme në agjendën politike.
Megjithatë, nga LVV-ja janë dhënë sinjale se një bashkëpunim për çështje konkrete nuk duhet të interpretohet si gatishmëri për një marrëveshje të përgjithshme politike me PDK-në.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk e sheh të nevojshëm një koalicion me PDK-në, duke theksuar se dy subjektet mund të bashkëpunojnë për çështje të caktuara pa krijuar një partneritet qeverisës.
“Për të pasur një qëndrim unifikues me 16 shtatorin, nuk na duhet një koalicion i përbashkët. Na duhen veprime të përbashkëta, unifikim për secilin veprim që kemi përpara, kontribut nga secila palë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka qenë edhe më e drejtpërdrejtë sa i përket një koalicioni të mundshëm me PDK-në.
“Por nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Kjo lidhet me vendimin, por me qëndrimin tonë me PDK-në. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, të padrejtë. Mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Këto deklarata kanë bërë që në skenën politike të shtrohet pyetja nëse PDK-ja dhe LVV-ja po afrohen drejt një kompromisi të kufizuar për çështje konkrete, apo nëse takimi Kurti-Hamza mund të jetë hapi i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë politike.
Në njërën anë, PDK-ja ka lënë të hapur mundësinë për diskutime edhe për çështje të tjera pas votimit të projektligjit për Specialen, ndërsa në anën tjetër, LVV-ja ka bërë të qartë se bashkëpunimi parlamentar nuk duhet domosdoshmërisht të shndërrohet në koalicion apo partneritet qeverisës.
Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme çështjen e zgjedhjes së presidentit. A mund të arrihet një konsensus për kreun e shtetit pa një marrëveshje më të gjerë mes PDK-së dhe LVV-së? A mund të shndërrohet projektligji për Specialen në pikënisje të një kompromisi më të madh politik?
Qarri: Është koha e fundit për marrëveshje PDK-LVV
Analisti Gani Qarri, duke komentuar për “Bota sot” këtë zhvillim politik, vlerëson se pas takimit mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, si dhe në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, është koha që partitë politike të shqyrtojnë mundësinë e një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse.
Sipas tij, nuk duhet të synohen vetëm dakordime parciale, por një marrëveshje që do të mundësonte zgjidhjen e disa prej çështjeve kryesore institucionale me të cilat përballet Kosova.
“Pas takimit të së dielës mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, tani kur ka ngelur vetëm edhe 1 javë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, çështja e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është rikthyer në qendër të zhvillimeve politike, ndaj është koha e fundit të merren në konsideratë mundësitë, jo për dakordime parciale, por për një marrëveshje gjithëpërfshirëse parimore, që të dy çështjet, në kohë reale të gjejnë zgjidhjet përkatëse.”
Qarri paralajmëron se mungesa e një dakordimi mund ta çojë vendin sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme, pa garantuar se një proces i ri zgjedhor do të zgjidhte problemet ekzistuese.
“Ndryshe Kosova deri në gjysmën e muajit nëntor, mund të detyrohet, që fare pa nevojë, të shkojë serish në zgjedhje të parakohshme, të cilat përsëri nuk ka siguri, se do të sjellin edhe zgjidhjen e problemit, që tash e sa kohë po e mbanë pezull krijimin dhe kompletimin e institucioneve edhe me president të shtetit, për qartësimin e gjendjes dhe garantimin e një qeverisje stabile të Republikës së Kosovës, në mandatin vijues.”
Sipas tij, situata është edhe më e ndërlikuar për shkak të pasigurisë rreth hapave institucionalë që do të ndërmerren në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
“Më e keqja është se tanimë kur ka ngelur edhe më pak se një javë afat për zgjedhjen e të parit të shtetit, as në këtë katrahurë paqartësish politike, me të cilën kërcënohet të përballet aktualisht vendi, nenet ekzistuese juridike të Gjykatës Kushtetuese nuk parashohin zgjidhje adekuate dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë për mënjanimin e shpejtë të problemit ekzistues, nëse edhe pas përfundimit të afatit të paraparë ligjor, Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin e ri...”
Qarri e sheh deklaratën e Hamzës si një sinjal që mund të krijojë hapësirë për përafrim ndërmjet PDK-së dhe LVV-së.
“Ajo që kësaj radhe krijon shpresë më tepër se herët e kaluara, është prononcimi i kryetarit të PDK-së se në takimin me kryeministrin e vendit z. Albin Kurti, sipas Hamzës, është folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, dhe se partia e tij është e gatshme të diskutojë edhe për çështjen e presidentit me Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe deklarimi i Shefes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku se edhe LDK është e gatshme të kontribuoj në zgjedhjen e presidentit të Kosovës.”
Ai vlerëson se situata e krijuar pas zhvillimeve në Dhomat e Specializuara mund të krijojë hapësirë për një afrim më të madh të partive parlamentare.
“Metamorfoza aktuale politike, dëshmon se gjendja e krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale, ka ndikuar në masë të dukshme që të përafrohen edhe qëndrimet e partive kryesore, pjesëmarrëse në Kuvend-pozitë dhe opozitë, përafrim i mirëseardhur që mund të qojë më në fund edhe në zgjedhjen e presidentit dhe dhënien fund ngërçit politik e bllokadës së gjatë të institucioneve të shtetit.”
Qarri këmbëngul se, sipas tij, në situatën aktuale nuk mjafton vetëm një marrëveshje për një çështje të vetme.
“Me këtë rast duhet theksuar se me gjithë dallimet partiake, që ndërmjet subjekteve janë ende të mëdha, pas verdiktit dënues të Dhomave të Specializuara, është mese e nevojshme dhe momenti vendimtar që ndërmjet partive kryesore parlamentare, të arrihet jo dakordim i thjeshtë vetëm për çështje të caktuara, por veçanërisht ndërmjet PDK-së dhe LVV-së, është e domosdoshme një marrëveshje e njëmendtë dhe e qartë politike...”
Ai përmend edhe nevojën për bashkëpunim institucional lidhur me procedurat e mëtejshme juridike.
“Situata në të cilën ndodhet aktualisht Kosova, pas vendimit drakonik të Dhomave të Specializuara, nuk lejon dakordime të pjesshme as kufizime vetëm për çështje të caktuara, por obligon partitë parlamentare dhe gjithë spektrin politik në vend, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse...”
Në fund, Qarri paralajmëron pasoja politike nëse partitë nuk arrijnë kompromis për zgjedhjen e presidentit dhe kompletimin e institucioneve.
“Prandaj nëse edhe në gjendjen e paqartë aktuale, në të cilën ndodhemi si vend nga presioni i pazakontë që ka shkaktuar vendimi dënues në Gjykatën Speciale, PDK dhe AAK bëhen serish pengesë për zgjedhjen e Presidentit, si dhe i kundërvihen krijimit të institucioneve stabile të shtetit dhe shkaku i tyre, Kosova rrezikon serish të mbetet pa institucione shtetërore dhe të përballet me ngërç institucional e përsëritjen serike-të zgjedhjeve të reja të parakohshme...”
Halilaj: Presidenti nuk duhet të jetë rezultat i pazareve
Ndryshe nga Qarri, anëtari i Guxo-s dhe juristi Gazmend Halilaj e sheh me më shumë rezervë mundësinë e një marrëveshjeje të gjerë politike mes PDK-së dhe LVV-së.
Sipas tij, duhet bërë dallim i qartë ndërmjet një dakordimi parlamentar për një çështje konkrete dhe një marrëveshjeje politike ndërmjet dy partive.
“Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ka rikthyer në diskutimin publik çështjen e mundësisë së një dakordimi ndërmjet dy subjekteve politike. Në qendër të këtij diskutimi janë vendosur projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe procesi i zgjedhjes së presidentit.”
Halilaj për “Bota sot” thekson se një dakordim për një çështje të caktuar nuk duhet automatikisht të interpretohet si koalicion politik.
“Nga këndvështrimi im, si jurist, duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet një dakordimi parlamentar për një çështje konkrete dhe një marrëveshjeje politike ndërmjet dy partive. Fakti që dy subjekte mund të kenë qëndrime të përbashkëta për një çështje të caktuar nuk nënkupton domosdoshmërisht krijimin e një koalicioni apo ndryshimin e raporteve të tyre politike.”
Sipas tij, edhe ndryshimet eventuale në ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohen mbi bazën e argumenteve juridike dhe interesit institucional.
“Çështja e Dhomave të Specializuara është një çështje me rëndësi të veçantë juridike dhe institucionale. Për këtë arsye, çdo ndryshim ligjor duhet të trajtohet mbi bazën e argumenteve juridike dhe interesit institucional, e jo si monedhë shkëmbimi për interesa të tjera politike.”
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Halilaj kërkon një proces transparent dhe konsensus sa më të gjerë parlamentar.
“Po aq e rëndësishme është që çështja e zgjedhjes së presidentit të mos reduktohet në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet dy partive. Presidenti është institucion kushtetues dhe procesi i zgjedhjes së tij duhet të ndërtohet mbi një konsensus sa më të gjerë parlamentar”, konsideroi ai.
Ai thotë se dallimet mes PDK-së dhe LVV-së mund të vazhdojnë të ekzistojnë edhe nëse palët gjejnë gjuhë të përbashkët për çështje të caktuara.
Por, Halilaj e sheh si problematike mundësinë që një çështje institucionale të shndërrohet në shkëmbim politik.
“Kjo nuk do të thotë se PDK-ja dhe LVV-ja duhet të pajtohen për gjithçka. Përkundrazi, në një demokraci parlamentare është normale që partitë të kenë dallime të thella politike dhe njëkohësisht të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështje të caktuara shtetërore.
Ajo që do të ishte problematike do të ishte që një çështje institucionale të shndërrohej në një paketë pazari politik, ku vota për një ligj të caktuar të kushtëzohej me poste, interesa partiake apo marrëveshje që nuk janë bërë publike.”
Në përfundim, ai nënvizon se kompromisi institucional nuk duhet të barazohet me një marrëveshje të përgjithshme politike.
“Në këtë kuptim, dialogu ndërmjet subjekteve politike është i domosdoshëm, por po aq i domosdoshëm është ruajtja e dallimit ndërmjet kompromisit institucional dhe marrëveshjes politike”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.