“99 vota për Specialen, por kush po vihet në bankën e të akuzuarve?” – Dajaku zbërthen prapaskenat dhe jep mesazhin e fortë

Politika

“99 vota për Specialen, por kush po vihet në bankën e të akuzuarve?” – Dajaku zbërthen prapaskenat dhe jep mesazhin e fortë

Nga: A.M. Më: 1 tetor 2026 Në ora: 10:09
Fotoilustrim

Kuvendi i Kosovës më 28 shtator miratoi me 99 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Deklarata ka nxitur diskutime të shumta rreth mënyrës se si institucionet e Kosovës duhet të trajtojnë aktgjykimin, i cili nuk është përfundimtar, por edhe rreth mesazhit që përcillet për luftën e UÇK-së dhe përgjegjësinë individuale të personave të dënuar në shkallën e parë.

Xhevat Dajaku, vëllai i ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku, e konsideron miratimin e deklaratës si një veprim që, sipas tij, e luhat seriozitetin e institucioneve dhe ndërhyn në mënyrën se si duhet të trajtohen vendimet e organeve të drejtësisë.

Image
Xhevat Dajaku

Ai thekson se aktgjykimi i shkallës së parë lidhet me përgjegjësinë individuale dhe se, sipas tij, mbrojtja e UÇK-së duhet të bëhet duke e ndarë luftën çlirimtare nga çdo veprim individual që mund të ketë qenë në kundërshtim me ligjin.

“Miratimi i deklaratës, e cila lidhet me vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj katër të akuzuarve për krime ndaj bashkëkombësve, nga Kuvendi i Kosovës, është një hap jo i mirë, që në radhë të parë e luhat seriozitetin e institucioneve, duke rënë ndesh me normat e funksionimit të drejtësisë dhe mekanizmave rreth saj.

Gjykata e Dhomave të Specializuara e dha verdiktin e shkallës së parë dhe, në mënyrë shumë të qartë, potencoi se UÇK-ja nuk ishte si çështje në aktakuzë. UÇK-ja ishte e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme, ashtu siç është për t’u vlerësuar lart. U hodh poshtë edhe akuza për krime kundër njerëzimit, si dhe u bë një potencim i fuqishëm se bëhet fjalë për krime individuale, të kryera apo në dijeninë e disa individëve, që në gjuhën e drejtësisë quhet ndërmarrje.

Pra, verdikti u dha për individë që kanë qenë të papërgjegjshëm në disa raste gjatë pushtetit të tyre, nën petkun e UÇK-së”, thotë Dajaku.

Sipas tij, debati i krijuar pas aktgjykimit po ndërtohet mbi një narrativë që e barazon përgjegjësinë e individëve me vetë UÇK-në dhe luftën çlirimtare.

“Kjo fushatë, e cila po drejtohet nga një grupacion i fuqishëm dhe që, fatkeqësisht, po gjen hapësirë edhe brenda institucioneve shtetërore, po zhvillohet mbrapa narrativave të pavërteta, por qëllimisht të ndërtuara, sikur, nëse dënohet katërshja në Hagë, do të dënohet UÇK-ja, do të dënohet lufta jonë, do të dënohet shteti i Kosovës, do ta humbim shtetin… dhe kështu me radhë.

Këto janë përralla të cilat e kanë hutuar, apo tentojnë ta hutojnë dhe ta frikësojnë opinionin e brendshëm. Kjo qasje është presion dhe kërcënim mbi dëshmitarët, familjet e viktimave dhe të gjithë ata që tentojnë të japin kontribute në favor të drejtësisë”, vlerësoi ai.

Po ashtu, Dajaku thotë se mënyra më e fuqishme për të mbrojtur luftën e UÇK-së është pikërisht ndarja e saj nga përgjegjësia për veprimet individuale.

“Në fakt, mbrojtja më e fuqishme e UÇK-së është pikërisht ndarja e saj nga çdo veprim individual që mund të ketë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me vlerat për të cilat ajo luftoi.

UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës. Lufta e saj për çlirim është pjesë e historisë sonë. Asnjë proces gjyqësor ndaj individëve nuk mund ta ndryshojë këtë fakt historik.

Por pikërisht për këtë arsye duhet të kemi guximin ta themi qartë: nëse individë të caktuar kanë kryer krime, ata duhet të përgjigjen për veprimet e tyre; por krimet individuale nuk mund të shndërrohen në faj kolektiv të UÇK-së, të luftës apo të popullit shqiptar.”

Mes tjerash, ai kritikon edhe mënyrën se si, sipas tij, po zhvillohet debati publik rreth Speciales, duke përmendur rolin e mediave dhe të figurave publike në këtë proces.

“Pra, klima është acaruar tej mase dhe këtë po e mundësojnë studiot, mediat e shkruara dhe elektronike, ku ftohen analistë, penalistë, avokatë, historianë, gjyqtarë, akademikë, profesorë e lloj-lloj shpifësish, të cilët, në mënyrë krejtësisht të njëanshme dhe qëllimisht, po i japin të drejtë narrativave të imagjinuara për t’u dukur sa më reale, e që shumica e tyre e dinë se nuk është ashtu.

Prandaj, kjo është shumë shqetësuese”, nënvizoi ai.

Në fund, Dajaku shtoi se, sipas tij, kjo qasje rrezikon ta zhvendosë debatin nga përgjegjësia individuale te vetë UÇK-ja.

“Nëse i përcjell me vëmendje, kjo qasje të bind se po mundohen me çdo kusht ta ulin UÇK-në në bankën e të akuzuarve, për t’i mbrojtur disa individë.

Duhet ta dimë se është rasti i vetëm për luftërat e fundit që, për krime ndaj bashkëkombësve, akuzohen vetëm shqiptarët” - përmbylli Xhevat Dajaku për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat