Protesta eskaloi, ndryshimet e Speciales mund të kthehen në zero, s’ka marrëveshje për president– çfarë po ndodh me Kosovën?

Politika

Protesta eskaloi, ndryshimet e Speciales mund të kthehen në zero, s’ka marrëveshje për president– çfarë po ndodh me Kosovën?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 tetor 2026 Në ora: 21:28
Protesta në Prishtinë, 4 tetor 2026

Një ditë e tensionuar politike në Kosovë u shoqërua më 5 tetor me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, ndërsa Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por nuk arriti ta përmbyllë procesin me votimin e dytë.

Në një ditë kur institucionet ishin nën presionin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, përplasjet para Kuvendit dhe Qeverisë e tensionuan edhe më tej situatën politike. Protestuesit kërkonin miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa gjatë mbrëmjes situata eskaloi, me përdorim të gazit lotsjellës dhe topit të ujit nga Policia, si dhe hedhje të mjeteve piroteknike e sendeve të forta nga protestuesit.

Sipas bilancit të përditësuar të Policisë së Kosovës, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë ose protestues dhe një gazetar.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se tre persona janë arrestuar, ndërsa dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje. Personi i tretë është liruar dhe ndaj tij do të zhvillohet procedurë e rregullt.

Për veprimet e policisë është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili pritet të vlerësojë nëse gjatë ndërhyrjes ka pasur tejkalim eventual të autorizimeve apo përdorim joproporcional të forcës.

Në të njëjtën ditë, Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Nisma parashikon, ndër të tjera, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Megjithatë, votimi i 5 tetorit ishte vetëm leximi i parë. Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.

Pikërisht mosvotimi i leximit të dytë shkaktoi pakënaqësi te protestuesit, të cilët vazhduan të qëndrojnë para institucioneve edhe pas votimit të parë.

Në këtë situatë u përplasën jo vetëm protestuesit me policinë, por edhe qëndrimet politike të partive për mënyrën se si duhet të zgjidhet ngërçi institucional.

Në kulmin e kësaj situate, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan takim për të diskutuar krizën politike dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Takimi, megjithatë, përfundoi pa marrëveshje konkrete.

Përplasja kryesore mes dy palëve lidhet me renditjen e prioriteteve. Kurti ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje për presidentin, ndërsa PDK-ja vazhdon të këmbëngulë se fillimisht duhet të miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe vetëm pas kësaj të diskutohet për presidentin.

Hamza ka deklaruar se qëndrimi i PDK-së nuk ka ndryshuar: Ligji për Specialen duhet të kalojë fillimisht, ndërsa më pas të hapet çështja e presidentit. Sipas tij, marrëveshja për presidentin do të ishte në interes të vendit dhe do të shmangte zgjedhjet e reja, por PDK-ja nuk heq dorë nga kërkesa e saj për ligjin.

Protestat e panevojshme

Opinionisti Gani Mehmeti e konsideron të panevojshëm përshkallëzimin e protestës së së hënës, duke vlerësuar se reagimi ndaj aktgjykimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale duhet të bëhet përmes rrugës ligjore dhe me argumente konkrete.

Image
Gani Mehmeti

“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, i 16 shtatorit 2026, është për çdo gjykim për keqardhje. Mirëpo, ne jemi mësuar të reagojmë përmes rrugës ligjore dhe me fakte, sepse kështu funksionon rendi juridik. Edhe në këtë rast, të gjithë do të duhej të përgatiteshin me ankesa dhe të dëshmonin me fakte gabimet e Gjykatës, duke iu drejtuar Apelit për ta kundërshtuar dhe rrëzuar aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, protesta është e drejtë demokratike, por ajo nuk duhet të shndërrohet në përplasje me institucionet e sigurisë.

“Konsideroj se protestat janë krejtësisht të panevojshme dhe të tepërta, aq më shumë kur ato të hënën u përshkallëzuan në përplasje me Policinë e Kosovës. Si PDK-ja si parti, ashtu edhe strukturat e UÇK-së, në emër të së cilës po bëhen brohoritjet, duhet të jenë shumë të qeta në protesta, sepse ne jemi një. Nëse njëri vëlla është në protestë, tjetri është polic. Në protestë janë njerëz të pjekur dhe duhet të protestohet me mend”, ka thënë ai.

Mehmeti vlerëson se përplasjet e tilla nuk i shërbejnë Kosovës dhe mund të shfrytëzohen politikisht nga Serbia.

“Një përshkallëzim i tillë është për keqardhje dhe i shkon për shtati vetëm Serbisë, e jo Kosovës. Ndërsa sa u përket brohoritjeve ‘UÇK, UÇK’, duhet shtruar pyetja se kundër kujt bëhen ato dhe kujt po i tregohet forca. Gjykatësit ishin ndërkombëtarë, ata janë në Hagë ose në shtëpitë e tyre tani. Prandaj, përballja nuk duhet të jetë në rrugë, por nëpërmjet argumenteve dhe mjeteve ligjore”, është shprehur Mehmeti.

Duke folur për qëndrimin e PDK-së dhe kushtëzimin e takimit të radhës me votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Mehmeti thotë se partitë nuk është dashur të krijojnë një përplasje rreth rendit të votimeve, sidomos duke pasur parasysh afatin për zgjedhjen e presidentit.

“Deri sa u bë leximi i parë për Specialen të hënën, gjithsesi do të duhej të zgjidhej edhe kryetari i Kosovës dhe kështu do t’i hapej rruga edhe leximit të dytë për Specialen. Hamza nuk është dashur të këmbëngulë se kush do të votohet më përpara, kryetari i Kosovës apo Ligji për Specialen. Për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës tashmë nuk ka kohë më, ndërsa për Specialen nuk do të bëhej vonë as deri nesër dhe as pasnesër”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, votimi i dytë i projektligjit mund të bëhej edhe pas përfundimit të procesit për presidentin, pa rrezikuar që çështja të mbetej pezull për një kohë të gjatë.

“Për Specialen nuk do të bëhej vonë as deri nesër e as pasnesër, për çka edhe kryeministri është zotuar se do ta votojnë të enjten, pra pas 72 orësh nga leximi i parë, sipas procedurave kushtetuese. Ndërsa nëse sot nuk zgjidhet kryetari i Kosovës deri në orën 24:00, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në atë rast, leximi i dytë për Specialen do të mbetej pa u bërë dhe do të shtyhej për një kohë të gjatë, deri pas formimit të institucioneve të reja”, ka thënë Mehmeti.

Ai vlerëson se një skenar i tillë do të mund të ndikonte edhe në përpjekjet institucionale për reagim ndaj aktgjykimit të Speciales.

“Në këtë mënyrë nuk do të ketë mundësi që të bashkohen strukturat institucionale për ankesat dhe për demantimin e aktgjykimit të 16 shtatorit 2026. Prandaj, do të ishte më e arsyeshme që palët të mos e shndërronin rendin e këtyre proceseve në kushtëzim politik, por të gjenin një zgjidhje që do t’i mundësonte institucioneve të vazhdonin punën”, ka theksuar ai.

Mehmeti konsideron se kushtëzimet e vazhdueshme mes partive po e rëndojnë edhe më shumë krizën politike dhe institucionale në Kosovë, ndonëse negociatat dhe kompromisi mes subjekteve politike janë të domosdoshme.

“Kushtëzimet dhe përplasjet mes partive po e thellojnë krizën institucionale në vend. Ato do të duhej të ishin pjesë e një negocimi politik të pashmangshëm për të arritur një marrëveshje sa më shpejt, e jo të shndërroheshin në pengesë për funksionimin e institucioneve. Në një situatë të tillë, palët duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe të gjejnë një kompromis që i shërben vendit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, dështimi për të gjetur marrëveshje për presidentin mund të prodhojë pasoja shumë më të gjera institucionale.

“Me shpërndarjen e Kuvendit, Kosova mbetet pa funksionimin normal të institucioneve dhe shumë procese të rëndësishme do të shtyhen për një kohë të gjatë. Prandaj, në këtë moment nuk është në interes të vendit që partitë të vazhdojnë me kushtëzime dhe përplasje. Duhet të ulen në tavolinë dhe të negociojnë deri në arritjen e një marrëveshjeje, sepse përndryshe vendi mund të mbetet në një situatë edhe më të rëndë institucionale sesa mendohet”, përfundoi Mehmeti.

Faza e rrezikshme dhe negociata të forta

Kurse, profesori Nijazi Halili, thotë se të hënën kriza politike ka kaluar në një fazë më të rrezikshme.

Halili duke folur për “Bota sot”, thotë se pakënaqësia duhet të shprehet fuqishëm, por pa dhunë dhe pa rrezikuar rendin publik.

Image
Nijazi Halili

“Ajo që pamë të hënën është një sinjal serioz se kriza politike në Kosovë po kalon në një fazë më të rrezikshme. Protesta është e drejtë demokratike dhe askush nuk duhet ta kontestojë këtë të drejtë, por përshkallëzimi i protestës dhe përplasjet me Policinë e Kosovës janë të papranueshme. Në një shtet demokratik, pakënaqësia duhet të shprehet fuqishëm, por pa dhunë dhe pa rrezikuar rendin publik. Në të njëjtën kohë, edhe institucionet duhet të tregojnë maturi. Policia duhet të veprojë profesionalisht, me proporcionalitet dhe vetëm aq sa është e nevojshme për të garantuar sigurinë. Nuk mund të lejojmë që tensioni politik të prodhojë një cikël përshkallëzimi në rrugë”, shprehet Halili.

Sipas Halilit zhvillimet e fundit dhe takimet e Kurtit dhe Hamzës qartëzojnë fazën e negociatave të forta politike, por ndryshimet në Speciale nuk duhet të përdoren monedhë këmbimi.

“Sa i përket PDK-së, zhvillimet e fundit tregojnë qartë se kemi hyrë në një fazë të negociatave të forta politike. Është legjitime që një subjekt politik të vendosë kushte dhe të kërkojë garanci, por nuk është në interes të vendit që zgjedhja e presidentit të shndërrohet në instrument për bllokim institucional. Nëse qëndrimi i PDK-së ka ndryshuar nga refuzimi fillestar për marrëveshje me LVV-në drejt vendosjes së kushteve konkrete dhe më pas një takimi me Albin Kurtin, kjo duhet parë si mundësi për dialog, por edhe si moment kur duhet kërkuar përgjegjësi politike. Projektligji për ndryshimet në Speciale nuk duhet të përdoret si monedhë këmbimi për çështjen e presidentit. Çështje të tilla duhet të trajtohen mbi bazën e interesit shtetëror, argumenteve juridike dhe transparencës. Nëse partitë kanë vërejtje apo kërkesa, ato duhet t’i artikulojnë hapur dhe t’i mbrojnë në Kuvend. Unë besoj se negociimi politik është i domosdoshëm, por pazari politik që e mban peng shtetin nuk është zgjidhje”, shprehet Halili.

Në fund, profesori shtoi se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, e jo për një betejë të pafundme politike.

“Partitë mund të negociojnë, mund të vendosin kushte dhe mund të kërkojnë kompromis, por në fund duhet të ketë një vijë të kuqe, funksionimi i institucioneve. Kosova nuk mund të përballojë një krizë ku në Kuvend kemi bllokadë politike, në rrugë kemi përplasje dhe ndërmjet partive kemi një klimë të vazhdueshme mosbesimi. Kjo vetëm e dëmton shtetin dhe qytetarët. Prandaj, mesazhi im për të gjitha partitë është i qartë, uleni tensionin, uluni në tavolinë dhe gjeni marrëveshje. Kompromisi nuk është dobësi politike; dobësi është ta mbash vendin peng të interesave partiake. Presidenti duhet të zgjidhet, institucionet duhet të funksionojnë dhe çështjet ligjore duhet të trajtohen me përgjegjësi. Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, jo për një betejë të pafundme politike. Nëse liderët politikë nuk janë në gjendje të bëjnë kompromis në interes të vendit, atëherë kostoja e kësaj krize do të paguhet nga qytetarët, jo nga partitë”, përfundon profesori për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat