Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, me 81 vota, i dha fund një periudhe të gjatë të pasigurisë institucionale dhe përplasjeve politike për kreun e shtetit.
Procesi i zgjedhjes së Presidentes u zhvillua në minutat e fundit të afatit të përcaktuar, pas një periudhe të gjatë tensionesh ndërmjet pozitës dhe opozitës, ku çështja e zgjedhjes së Presidentit ishte ndërlidhur edhe me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Por çfarë mesazhi politik përcjell zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës? A shënon kjo një moment të ri për stabilitetin institucional të Kosovës dhe bashkëpunimin politik?
Për profesorin Enver Bytyçi, zgjedhja e Presidentes së re përbën mbi të gjitha një fitore për Kosovën. Ai kritikon ashpër qasjen e opozitës gjatë krizës institucionale, duke vlerësuar se kompromisi politik për zgjedhjen e Presidentes ishte ai që bëri të mundur kapërcimin e bllokadës.
Në një prononcim për “Bota sot”, Bytyçi shprehet se Kosova, pas një periudhe të gjatë përplasjesh politike, më në fund arriti të zgjedhë kreun e shtetit.
“Pas një maratone të luftës së opozitës për pushtet, pas shumë akteve të dhunës së pamotivuar dhe të pajustifikuar kundër parlamentit, deputetëve dhe institucioneve të shtetit, pas kaq shumë diskutimesh dhe bisedimesh, më në fund, në minutat e fundit, Kosova u bë me presidentin e ri. Zgjedhja e kryetarit të shtetit ishte fitore e Kosovës. Kosova ka luftuar me dekada e shekuj për lirinë dhe shtetin e vet. Ndërkohë, bllokada e opozitës në Kosovë shkoi kundër sakrificave të shqiptarëve për shtet dhe shtetësi. Pak orë para se të zgjidhej Presidenti, Ramush Haradinaj u thoshte shqiptarëve në Kosovë se ‘Kurti dëshiron ta çojë Kosovën në zgjedhje të reja’! E, në fakt, ishin taktikat e Kurtit ato që bënë të mundur arritjen e kompromisit për ta zgjedhur kreun e shtetit. Këmbëngulja e tij që ta kushtëzonte miratimin e ligjit me zgjedhjen e Presidentit ishte shkaku kryesor i bërjes së Kosovës me institucione. Ndërsa kërcënimi i Bedri Hamzës dhe Ramush Haradinajt për ta votuar me çdo kusht, jashtë kompromisit, ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë ishte në dëm të Kosovës. Megjithatë, vazhdimisht u akuzua Albin Kurti se ai ‘nuk e dëshiron zgjedhjen e Presidentit të ri’. Se ai ‘dëshiron që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje’ etj”, deklaroi profesori.
Sipas tij, me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës, Kosova tashmë e ka kapërcyer krizën institucionale, ndërsa Presidentja e re paraqet një figurë të përshtatshme për këtë funksion.
“Përfundimisht, Kosova sot e ka kreun e saj të shtetit. Ajo është Justina Shiroka-Pula. Një emër i njohur më shumë në shkencë si kryetare e Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, por edhe si politikane. Ka qenë ministre në qeverinë e parë të Hashim Thaçit. Por konsiderohet si një personalitet i ekuilibruar dhe me aftësi të merituara për drejtimin e shtetit. Zgjedhja e zonjës Shiroka-Pula është një sukses i dyfishtë. Kryesorja është se Kosova tashmë kapërceu krizën absurde të bllokimit të institucioneve, ndërkohë që emri i saj është aplikuar dhe përzgjedhur mjaft mirë. Është gruaja e tretë që Kosova zgjedh në funksionin e kryetarit të shtetit. Pas zonjës Jahjaga dhe zonjës Osmani, zonja Shiroka-Pula bëhet protagoniste e drejtimit të shtetit”, vlerësoi ai.
Bytyçi thekson se Presidentja e re mund të luajë rol të rëndësishëm në ruajtjen e balancës ndërmjet institucioneve, ndërsa zgjedhjen e saj e sheh edhe si një kundërargument ndaj akuzave se kryeministri Albin Kurti synonte ta mbante vendin në krizë.
“Mbi gjithçka tjetër, Kosova ka tashmë një presidente që normalisht ruan dhe mban balancën e pushteteve në Kosovë. Kryeministri i vendit, duke propozuar në këtë post një personalitet si ajo, dëshmoi se nuk synon aspak kapjen e institucioneve, ashtu siç dëshmoi se nuk qëndron akuza e stisur sipas së cilës ai dashka që Kosova të shkojë sa në një palë, në një palë zgjedhjesh të tjera. Të gjitha maskat ranë. Dhe maskat i kishin për fytyrë krerët e opozitës së Kosovës, të cilët maskën e vet ia vendosën kryeministrit. Suksesi është i Kosovës, por edhe i mazhorancës”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, profesori e sheh miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara si një çështje që opozita u përpoq ta paraqiste si sukses të saj, ndërsa sipas tij, qëllimi kryesor i mazhorancës ishte arritja e kompromisit për zgjedhjen e Presidentit.
“Opozita beson se miratimi i ligjit për disa ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara ishte sukses i saj. Në fakt, ajo bëri të pamundurën që ta shesë si të tillë, duke mobilizuar militantët e saj të dhunshëm kundër institucioneve të shtetit. Por, në fakt, as Albin Kurti dhe as deputetët e mazhorancës nuk qenë kundër miratimit të atij ligji. Këta të fundit donin vetëm që ta impononin kompromisin për zgjedhjen e Presidentit, sepse është e ditur tashmë se pa këtë kompromis Kosova nuk do të kishte institucione.”
Sipas Bytyçit, kompromisi i arritur dhe zgjedhja e Presidentes së re i japin Kosovës një imazh më të qëndrueshëm në arenën ndërkombëtare.
“Me arritjen e këtij kompromisi dhe zgjedhjen e zonjës Justina Shiroka-Pula si presidente e Republikës së Kosovës, vendi fiton pikë si shtet i konsoliduar. Imagjino me çfarë drame e ka përjetuar këtë sukses Beogradi, i cili priste në Kosovë një luftë civile të adresuar kundër shtetit. Kosova fitoi një imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare. Tashmë nuk ka e nuk do të ketë asnjë pengesë për funksionimin e shtetit dhe në pesë vitet e ardhshme Kosova do ta shtyjë procesin e shtet-njohjes dhe shtet-ndërtimit shumë më përpara. Pikërisht kjo ishte arsyeja kryesore pse në Beograd sundon sot ditë zie për ta. Ata prisnin që Kosova të shkojë në anarki dhe destabilizim. Kjo gjë u ndalua dhe shteti tashmë është në rend të pare”, tha ndër të tjera Bytyçi.
Mes tjerash, profesori shpreh rezerva edhe për reagimin e krerëve të Tiranës ndaj zgjedhjes së Presidentes së re, duke bërë dallim ndërmjet Presidentit Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama.
“Megjithatë, krerët e Tiranës u ngutën dhe e përshëndetën menjëherë këtë ngjarje. Presidenti Bajram Begaj më duket se është i sinqertë në atë që shkroi në urimin e tij. Ndërsa për kryeministrin Rama dyshoj shumë në sinqeritetin e tij. Po të donte ai Kosovën, nuk do të bënte katër palë zgjedhje për mungesën e kompromisit mazhorancë-opozitë. Së paku mund ta bënte atë që Rama bëri kur shkoi në Prishtinë për ta imponuar ose shtyrë përpara votimin e Dhomave të Specializuara. Të shkonte që në dhjetorin e vitit të kaluar e të kërkonte publikisht votën e opozitës për një president konsensual. Por nuk e bëri këtë, çka më bën të besoj se ka bërë të kundërtën. Domethënë, ka punuar që kriza të zgjatet në Kosovë dhe Kosova të vuajë një krizë të improvizuar për qëllimet e pushtetit të Edi Ramës.”
Në fund, ai e cilëson zgjedhjen e Presidentes së re si një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe shpreson që një krizë e tillë institucionale të mos përsëritet.
“Sido që të jetë, Kosova mbrëmë në mesnatë shënoi suksesin e saj dhe dashtë Zoti kurrë më të mos përsëritet kjo histori e shëmtuar në rrugën e saj të ndërtimit të shtetit dhe institucioneve”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.