Tahiraj: Pazaret politike nuk mund ta ndryshojnë realitetin e Gjykatës Speciale

Politika

Tahiraj: Pazaret politike nuk mund ta ndryshojnë realitetin e Gjykatës Speciale

Nga: A.SH Më: 7 tetor 2026 Në ora: 14:15
Gjykata Speciale në Hagë

Veprimtari Saim Tahiraj për “Bota sot”, ka komentuar zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.

Tahiraj thotë se votimi për presidenten dhe ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, sipas tij, tregojnë një bashkim politik të atyre që ai i quan “Fronti i Kuq”.

Ai thekson se Gjykata Speciale është themeluar në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe se, sipas tij, pazaret politike nuk mund ta ndryshojnë këtë realitet.

“Fronti i Kuq, i përbërë nga i njëjti brumë ideologjik, dje nxori kokën nga ilegaliteti dhe tregoi fytyrën e vërtetë. Kur janë në rrezik, ata bashkohen, bëjnë pazare dhe veprojnë si një trup i vetëm.

Rreziku nga Gjykata Speciale i nxori në sipërfaqe. Bënë pazaret ashtu siç dinë ata: votuan ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale dhe, në të njëjtën kohë, votuan Presidenten. Pastaj u ndien të gëzuar për „fitoren e madhe“ që, sipas tyre, arritën.

Por një gjë e harruan: e bënë pa hanxhiun!

Harruan se Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, pa të cilët nuk mund të ndryshohet asgjë. Ata që mendojnë se pazaret politike mund ta ndryshojnë këtë realitet, shumë shpejt do ta kuptojnë se politika nuk mund të luajë me miqtë dhe partnerët që na ndihmuan të çlirohemi dhe të bëhemi shtet.

Mashtrimi dhe manipulimi i masës së hipnotizuar për përfitime politike e elektorale është një fenomen që duhet denoncuar pa hezitim”, tha ai.

Tahiraj shprehet i kënaqur që LDK-ja, sipas tij, qëndroi larg veprimeve të “Frontit të Kuq”. Ai kritikon disa individë që i akuzon se vepruan për interesa personale dhe thekson se tash “ranë maskat”.

Tahiraj kërkon që LDK-ja të promovojë njerëzit besnikë ndaj frymës rugoviane dhe parimeve të partisë.

“Qielli do të kthjellohet në ditët në vijim dhe e vërteta do të shihet qartë. Shumëkush do të dëshpërohet, ndërsa disa prej atyre që sot festojnë do të duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.

Unë jam shumë i lumtur që LDK-ja qëndroi larg veprimeve të Frontit të Kuq. Kjo ishte LDK-ja që duhej të ishte: zëri i vërtetë i anëtarësisë së saj dhe i parimeve të saj.

Disa individë, që nuk kanë qenë asnjëherë me bindje në LDK, por që erdhën si satelitë për interesa personale, karrieriste e materiale, u larguan. Madje, ndonjëri prej tyre veproi hapur në favor të Frontit të Kuq.

Mirë u bë. Shumë mirë! Sepse ranë maskat.

Tani LDK-ja duhet të jetë edhe më e kujdesshme. Të mos lejojë që në radhët e saj të ngrihen njerëz që nuk kanë bindje, parime dhe besnikëri ndaj vlerave të saj.

LDK-ja duhet t’i ngrejë ata që i kanë qëndruar besnikë LDK-së, frymës rugoviane dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar ajo.

Sepse në politikë mund të fshihesh për një kohë, por kur vjen momenti i provës, maskat bien dhe secili tregon se ku e ka vendin”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat