A u shkel Kushtetuta me zgjedhjen e presidentes pas mesnatës? Flet juristi Burjani

Politika

A u shkel Kushtetuta me zgjedhjen e presidentes pas mesnatës? Flet juristi Burjani

Nga: A.SH Më: 7 tetor 2026 Në ora: 18:00
Justina Shiroka Pula

Trembëdhjetë minuta pas mesnatës, Kuvendi i Kosovës votoi Justina Shiroka Pulën presidente të Republikës së Kosovës. Shiroka Pula mori 81 vota të deputetëve, duke siguruar shumicën e nevojshme në votimin e tretë.

Në këtë rast, votimi për zgjedhjen e Shiroka Pulës përfundoi në orën 00:13 të 6 tetorit 2026, duke ngritur pikëpyetje për respektimin e afatit dhe vlefshmërinë kushtetuese të procedurës.

Juristi Blerim Burjani për “Bota sot”, thotë se afatet për zgjedhjen e presidentes janë strikte dhe nuk mund të tejkalohen sipas rrethanave.

Image
Juristi Blerim Burjani

Ai thekson se procedura nisi brenda afatit, por përfundoi në 12:13, ndaj mbetet për t’u parë nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsiderojë të ligjshme.

“Kushtetuta e Kosovës nuk ka dispozita normative të përcaktuara qartë për situata të ndërlikuara apo rrethana të jashtëzakonshme lidhur me tejkalimin e afateve kohore strikte. Procedura për zgjedhjen e presidentes ka filluar tetë minuta para orës 12:00, ndërsa zgjedhja ka përfunduar në ora 12:13. Nëse i marrim parasysh afatet ligjore, ato janë strikte, por jo manipulative, pra nuk mund të lëvizen sipas rrethanave. E njëjta logjikë vlen edhe në procedurat gjyqësore, ku afatet janë strikte dhe tejkalimi i tyre mund të rezultojë në humbjen e një të drejte.

Tash duhet të pritet nëse kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Interpretimi i Gjykatës do të jetë vendimtar: nëse procedura për zgjedhjen e presidentes ka filluar brenda afatit, por vetë zgjedhja ka përfunduar jashtë tij, mbetet të shihet nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsiderojë këtë procedurë si të ligjshme”, thotë ai.

Ai thotë se zgjedhja e presidentes ishte e vështirë dhe se Kurti, duke bashkëpunuar me PDK-në dhe anashkaluar LDK-në, mund të ketë sinjalizuar afrim politik me PDK-në.

Ai nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit apo koalicionit në të ardhmen.

“Zgjedhja e presidentes në këto rrethana ishte e komplikuar, politikisht e vështirë dhe u zhvillua në momentet e fundit. Kurti e ndryshoi partnerin politik, duke ia dhënë PDK-së postin, ndërsa anashkaloi LDK-në.

Arsyetimet e Kurtit ekzistojnë gjithmonë, por se sa ishte e arsyeshme kjo lëvizje, mbetet për t’u parë. Politikisht, ky vendim mund të interpretohet si një afërsi më e madhe me PDK-në dhe, në të ardhmen, nuk mund të përjashtohet ndonjë formë bashkëpunimi apo koalicioni. Në kuptimin politik, vendimi i Kurtit mund të interpretohet si një lloj “koalicioni” për zgjedhjen e presidentes dhe për aprovimin e ligjit” – pëmbyll ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat