Nga Bekim Sejdiu te Justina Shiroka-Pula, nga Specialja te zgjedhjet – Hyseni zbërthen prapaskenat e kompromisit të 6 tetorit

Politika

Nga Bekim Sejdiu te Justina Shiroka-Pula, nga Specialja te zgjedhjet – Hyseni zbërthen prapaskenat e kompromisit të 6 tetorit

Nga: N.E Më: 8 tetor 2026 Në ora: 10:03
Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka Pula.

Analisti shqiptar nga Presheva, Nehat Hyseni, ka komentuar zhvillimet politike që çuan në zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës Presidente të Kosovës, duke e cilësuar 6 tetorin si një nga episodet më të veçanta të historisë së re institucionale të vendit.

Sipas Hysenit, mënyra se si u zgjidh kriza presidenciale tregon se politika kosovare e shtyu kompromisin deri në momentin e fundit, ndonëse për muaj të tërë vendi ishte përballur me një krizë të zgjatur institucionale.

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës më 6 tetor 2026 do të mbetet një nga episodet më të veçanta të historisë së re institucionale të Kosovës. Jo vetëm për faktin se vendi rrezikoi të shkonte edhe një herë në zgjedhje të parakohshme, por sidomos për mënyrën se si një çështje e natyrës kushtetuese, e cila duhej të zgjidhej përmes dialogut politik, kompromisit dhe përgjegjësisë shtetërore, u shty deri në minutat e fundit”, ka thënë Hyseni për "Bota sot".

Image
Analisti shqiptar nga Presheva, Nehat Hyseni

Ai vlerëson se paradoksi i kësaj situate qëndron në faktin se ajo që nuk u arrit për javë e muaj, u realizua brenda pak minutash, pasi rreziku i shpërndarjes së Kuvendit dhe i një tjetër cikli zgjedhor u bë konkret.

Sipas tij, propozimi i akademikes dhe kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, nga kryeministri Albin Kurti dhe pranimi i saj nga PDK-ja e drejtuar nga Bedri Hamza, krijuan në fund formulën që mundësoi zgjidhjen e krizës.

Shiroka-Pula mori 81 vota dhe u zgjodh Presidente që në raundin e parë.

Hyseni e përshkruan këtë zhvillim si një lloj “aksham pazari” politik, duke ngritur njëkohësisht pyetjen pse partitë politike nuk arritën ta gjenin kompromisin shumë më herët.

“Në fund, ajo që nuk u arrit për javë dhe muaj, madje në kontekstin e një krize politike që zgjati pothuajse dy vjet, u arrit në pak minuta: një emër i ri, një marrëveshje politike dhe një votim që e shpëtoi vendin nga një tjetër cikël zgjedhor. Pyetja themelore që mbetet është: pse duhej pritur deri në atë kohë?”, shprehet ai.

Hyseni: Kushtetuta kërkon kompromis, politika prodhoi konfrontim

Duke analizuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, Hyseni thekson se kërkesa kushtetuese për shumicë të cilësuar nuk është vendosur rastësisht.

Ai kujton se në dy raundet e para nevojiten 80 vota, çka e detyron shumicën parlamentare të kërkojë mbështetje përtej kampit të saj politik.

“Sistemi kushtetues i Kosovës e ka projektuar zgjedhjen e Presidentit si një proces që kërkon konsensus më të gjerë se shumica e zakonshme parlamentare. Kjo formulë nuk është rastësore. Ajo është ndërtuar për të mos lejuar që Presidenti i Republikës të bëhet thjesht produkt i shumicës së një partie. Presidenti duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje më të gjerë”, thekson Hyseni.

Sipas tij, pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i krizës politike të vitit 2026.

“Kushtetuta kërkonte kompromis, ndërsa kultura politike shpesh prodhoi konfrontim. Kërkesa për 80 vota në dy raundet e para e detyron shumicën qeverisëse të kërkojë vota përtej kampit të vet politik. Në një demokraci të konsoliduar, kjo mund të shndërrohet në mekanizëm dialogu, ndërsa në një sistem partiak të polarizuar mund të bëhet mekanizëm bllokimi. Kosova përjetoi të dytën”, ka nënvizuar ai.

Hyseni ndalet edhe te marrëveshja e arritur në fund të gushtit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe LDK-së për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President.

Sipas tij, kjo marrëveshje fillimisht dukej si rruga që do t'i jepte fund krizës, por kundërshtimet brenda LDK-së e pamundësuan realizimin e saj.

“Marrëveshja ndërmjet liderëve nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet grupeve parlamentare. Një President nuk zgjidhet me deklarata për media, por zgjidhet me vota. Dhe vota kërkon marrëveshje reale”, shprehet Hyseni.

Ai e konsideron këtë një nga dobësitë e rëndësishme të funksionimit të demokracisë parlamentare në Kosovë.

Në analizën e tij, Hyseni i kushton rëndësi edhe rolit të PDK-së në ditët e fundit të krizës.

Sipas tij, partia e drejtuar nga Bedri Hamza nuk pranoi që ta mbështeste automatikisht kandidatin e propozuar nga LVV-ja, ndërsa në negociata vendosi edhe çështjen e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Presidenti dhe Specialja ishin dy çështje të ndryshme juridikisht, por u bënë të ndërthurura politikisht. Nga pikëpamja institucionale, ato ishin dy procese të ndryshme, ndërsa nga pikëpamja e negociatave parlamentare u bënë pjesë e së njëjtës tavolinë. Kjo tregon se në politikë, çështjet që ligjërisht janë të ndara mund të bëhen politikisht të ndërvarura”, ka deklaruar Hyseni.

Sipas tij, kjo ishte një nga karakteristikat kryesore të negociatave që paraprinë zgjedhjen e Presidentes.

Hyseni e sheh krizën presidenciale edhe në kontekstin e zhvillimeve jashtë Kuvendit, veçanërisht protestave lidhur me Dhomat e Specializuara.

Ai thotë se presioni politik nuk vinte vetëm nga partitë, por nga disa drejtime njëkohësisht.

“Brenda Kuvendit negociohej për votat, ndërsa jashtë Kuvendit rritej presioni publik. Afati kushtetues krijoi presion juridik, rreziku i zgjedhjeve krijoi presion elektoral dhe protestat krijuan presion politik. Të tre këta faktorë u bashkuan në të njëjtën ditë dhe ndikuan në klimën në të cilën u mor vendimi përfundimtar”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Hyseni thekson se vendimmarrja institucionale duhet të mbetet brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore.

Sipas analistit nga Presheva, një nga arsyet që kandidatura e Shiroka-Pulës u bë e pranueshme ishte profili i saj akademik dhe institucional.

Ai vlerëson se një figurë jo drejtpërdrejt partiake mund të krijojë hapësirë më të madhe për marrëveshje ndërmjet kampeve politike.

“Në politikë, emri i kandidatit mund të jetë po aq i rëndësishëm sa formula e marrëveshjes. Një kandidat akademik, me profil institucional dhe jo drejtpërdrejt partiak, krijonte një hapësirë më të gjerë për kompromis. Pikërisht kjo ndodhi me Justina Shiroka-Pulën. Kandidatura u bë ura ndërmjet kampeve politike dhe mundësoi që ajo që për javë të tëra dukej e pamundur të bëhej e mundur në momentet e fundit”, thotë Hyseni.

Ai e konsideron domethënës faktin që Shiroka-Pula siguroi 81 vota, pra një votë mbi pragun prej 80 votash të kërkuar në dy raundet e para.

Hyseni kritikon mënyrën se si politika kosovare e menaxhoi krizën dhe thekson se kompromisi, ndonëse i domosdoshëm në një demokraci parlamentare, nuk duhet të arrihet gjithmonë nën presionin e orës.

“Një shtet nuk duhet të qeveriset gjithmonë në minutat e fundit. Një Republikë nuk duhet të presë mesnatën për të marrë vendime strategjike. Një President nuk duhet të zgjidhet vetëm sepse ora po ecën drejt afatit kushtetues. Kompromisi është zemra e demokracisë parlamentare, por problemi lind kur kompromisi vjen aq vonë sa qytetarët nuk e dinë nëse po shohin shtetndërtim apo një pazar të minutës së fundit”, ka pohuar ai.

Sipas Hysenit, ajo që duhet të ndryshojë pas kësaj krize nuk është vetëm mënyra e interpretimit të dispozitave kushtetuese, por edhe kultura politike e vendimmarrjes.

Hyseni paralajmëron për rrezikun e përqendrimit të pushtetit

Analisti nga Presheva thekson se kriza e fundit duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi për ndarjen dhe balancimin e pushteteve.

“Çdo forcë politike që kontrollon Qeverinë dhe arrin të ndikojë njëkohësisht në zgjedhjen e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera mund të krijojë një përqendrim të madh politik të pushtetit. Kjo nuk është çështje e një partie të vetme, por çështje e demokracisë. Demokracia nuk mbrohet vetëm duke shmangur një shumicë absolute, por duke ruajtur ndarjen e pushteteve, kontrollin dhe balancën institucionale, opozitën funksionale, gjyqësorin e pavarur dhe median e lirë”, vlerëson Hyseni.

Ai thotë se Kosova duhet të ndërtojë institucione që janë më të rëndësishme se individët dhe liderët politikë.

“Kosova nuk duhet të ndërtojë demokraci të personaliteteve. Duhet të ndërtojë demokraci të institucioneve. Asnjë lider, cilido qoftë ai, nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se institucioni që drejton”, thekson ai.Në përfundim, Hyseni e lidh krizën politike edhe me nevojën për një kulturë të re politike në Kosovë.

Sipas tij, patriotizmi nuk duhet të kufizohet vetëm në retorikën për historinë, luftën, pavarësinë dhe shtetësinë, por duhet të shprehet edhe përmes respektimit të institucioneve.

“Patriotizmi i shekullit XXI nuk duhet të matet vetëm me retorikën për UÇK-në, pavarësinë apo flamurin. Ekziston edhe një patriotizëm institucional: të respektosh Kushtetutën, të pranosh kompromisin, të mos e konsiderosh opozitën armik, të mos e trajtosh shtetin si pronë të shumicës dhe të pranosh se edhe kundërshtari politik është pjesë e Republikës”, ka deklaruar Hyseni.

Ai vlerëson se zgjedhja e Shiroka-Pulës duhet të shërbejë jo vetëm si fund i krizës, por si mundësi për një fazë të re politike.

Në këtë kuadër, Hyseni përfundon se Kosova nuk duhet të fitojë thjesht beteja politike ndërmjet partive, por duhet të ndërtojë institucione të qëndrueshme, pasi pushtetet ndryshojnë, ndërsa institucionet duhet të mbeten.

“Kosova nuk fitoi sepse një parti e mundi tjetrën. Kosova fitoi sepse, në momentin e fundit, partitë e shmangën një tjetër krizë institucionale. Por ky sukses i minutës së fundit nuk duhet të na bëjë të harrojmë dështimin e muajve të mëparshëm. Një demokraci e pjekur nuk negocion vetëm kur ora po mbaron. Kosova duhet të dëshmojë se është e aftë të prodhojë stabilitet, kompromis, ndarje të pushteteve dhe përgjegjësi institucionale”, përfundon Hyseni.

Ai e përmbledh mesazhin e tij me një parim që, sipas tij, duhet të udhëheqë zhvillimin e demokracisë kosovare: “Pushteti fitohet me vota, por shteti ruhet me institucione.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat