Një Presidente, një marrëveshje, një kapitull i ri – çfarë po ndryshon në politikën e Kosovës?

Politika

Një Presidente, një marrëveshje, një kapitull i ri – çfarë po ndryshon në politikën e Kosovës?

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 8 tetor 2026 Në ora: 12:02
Fotoilustrim: Zgjedhja e presidentes dhe miratimi i ndryshimeve për Dhomat e Specializuara shënuan marrëveshjen politike që zhbllokoi institucionet e Kosovës.

Pas një periudhe të gjatë përplasjesh politike dhe bllokadash institucionale, Kosova tashmë ka Presidente të re. Justina Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota në Kuvend, pas një marrëveshjeje politike që bashkoi votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhja e saj erdhi në një moment vendimtar për vendin, kur Kosova rrezikonte të përballej sërish me krizë institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Procesi i zgjedhjes së Presidentes u zhvillua në orët e vona të 6 tetorit dhe përfundoi në minutat e para të 7 tetorit, ndërsa pjesë e dakordimit politik ishte edhe miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ky zhvillim ka hapur një kapitull të ri në skenën politike të Kosovës, por njëkohësisht edhe diskutimin nëse marrëveshja që mundësoi zgjedhjen e Presidentes mund të shërbejë si pikënisje për një bashkëpunim më të gjerë ndërmjet partive politike.

Për këtë çështje, për “Bota sot” kanë folur analisti Gani Qarri dhe publicisti Lis Bukuroca.

Bukuroca: Zgjedhja e Shiroka-Pulës mund të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi institucional

Së pari, publicisti Lis Bukuroca, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës mund të shihet si një kthesë drejt stabilitetit institucional, i cili, sipas tij, Kosovës i ka munguar për rreth dy vjet.

Image
Lis Bukuroca

“Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës është një kthesë drejt stabilitetit institucional, që Kosovës i ka munguar për dy vjet. Për një kohë të gjatë kemi pasur tensione politike, bllokada institucionale, paragjykime, insinuata dhe mungesë kompromisi. Zgjedhja e saj mund t’u japë institucioneve mundësinë që të përqendrohen në punën e tyre dhe në dialogun politik, nëse ky proces konsolidohet edhe në aspektin ligjor. Unë pas mesnate thashë se me gjasë Lista Serbe do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, sepse procesi nisi më 6 tetor dhe përfundoi më 7 tetor, ndërsa Arianit Koci ka paraqitur ankesë. Kosovës nuk i duhej edhe kjo situatë dhe tani duhet të presim interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse çështja juridike mbetet e hapur”, ka thënë Bukuroca.

Ai ka folur edhe për mesazhin politik që, sipas tij, përcjell bashkimi i votave në Kuvend, duke e lidhur këtë me marrëdhëniet mes LVV-së dhe PDK-së dhe zhvillimet që i paraprinë zgjedhjes së Presidentes.

“Mesazhi politik është se kemi një shumicë të gjerë parlamentare, edhe pse ajo u krijua nën një lloj ankthi, dhe kjo tregon se partitë kanë gjetur një mundësi për marrëveshje pas një përplasjeje të gjatë. E propozoi Kurti, jo Hamza. Projektligji, i cili sipas meje e ka të vështirë të prodhojë efekte juridike, ishte vetëm një pretekst. Nga ‘do ta votojmë cilindo kandidat nëse miratohet projektligji’, u kalua në ‘ai nuk pranoi asnjë’. Mendoj se opozita kishte frikë nga Byroja e konfiskimit. Hamza u detyrua, sepse nuk dinte si t’i thoshte jo zonjës Shiroka-Pula”, është shprehur ai.

Mes tjerash, Bukuroca ka vlerësuar edhe zgjedhjen e një gruaje me përvojë të gjatë në arsim, shkencë dhe politikë, duke shpresuar se kjo mund të hapë një kapitull të ri në bashkëpunimin institucional.

“Është për t’u përshëndetur që një grua me përvojë të gjatë në arsim, shkencë dhe politikë është zgjedhur në këtë post. Jam optimist se kjo mund të hapë një kapitull të ri të bashkëpunimit institucional. Seksizmi dhe mizogjinia luftohen më së miri atëherë kur gratë mbajnë pozita të barabarta dhe gratë duhet të jenë të përfaqësuara edhe në pozitat më të larta të shtetit. I uroj suksese Presidentes Shiroka-Pula dhe shpresoj që ky të jetë fillimi i një periudhe më të qetë, më funksionale dhe më bashkëpunuese për Kosovën”, ka përfunduar Bukuroca për “Bota sot”.

Qarri: Zgjedhja e Presidentes i dha fund ngërçit politik dhe pasigurisë disamujore

Ndërkaq, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, e konsideron zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si një moment të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën, duke theksuar se vendi kishte ardhur pranë një krize të re.

“Ngërçi i gjatë politik dhe bllokada institucionale e kishin sjellë Kosovën pranë një krize emergjente. Po të mos zgjidhej kjo çështje natën e 6 tetorit 2026, do të vihej në pikëpyetje edhe në planin ndërkombëtar kapaciteti udhëheqës dhe shtetndërtues i Kosovës. Presidenti nuk është mandat partiak dhe as privilegj personal, por është institucion që përfaqëson unitetin e popullit dhe dinjitetin e Republikës. Zgjedhja e Presidentes ishte një moment epik, një lloj mrekullie politike, sepse tregoi një pjekuri politike dhe i dha fund pasigurisë disamujore dhe ngërçit gati dyvjeçar, i shkaktuar nga mosmarrëveshjet e pazakonta ndërmjet partive kryesore politike”, ka thënë Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, Kosova ishte shumë pranë zgjedhjeve të reja dhe mungesa e bashkëpunimit politik kishte përcjellë një mesazh negativ edhe te partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova ishte pranë shkuarjes në zgjedhje të parakohshme për herë të katërt brenda më pak se dy vitesh. Mungesa e bashkëpunimit dhe konsensusit kishte përcjellë një mesazh shumë negativ te miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, sikur klasa politike nuk është në gjendje t’i zgjidhë çështjet themelore shtetërore dhe institucionale. Justina Shiroka-Pula, një akademike e dalluar, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ish-ministre e Ekonomisë, ishte formalisht e kundërshtuar nga PDK-ja me Eliza Hoxhën, por në fund u zgjodh me 81 vota. Ajo ka ruajtur një ekuilibër kolegjial, njerëzor dhe moral me kolegët e partive të tjera dhe kjo e ka bërë të pranueshme për të gjithë. I uroj sukses dhe shpresoj që ta ushtrojë detyrën me dinjitet, në funksion të shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Qarri është shprehur se debati për orën e votimit dhe afatet nuk duhet ta zbehë rëndësinë e rezultatit, duke theksuar se sipas tij procedura ka qenë brenda afateve.

“Gjithmonë do të ketë njerëz që do të kërkojnë anët negative, por votimi i vonshëm dhe përfundimi disa minuta pas kohës së supozuar nuk duhet ta mbulojë rezultatin historik. Disa thonë se zgjedhja nuk ka qenë brenda afatit, por profesori i së drejtës Flamur Hyseni dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kanë thënë se procedura ka qenë brenda afateve dhe se marrëveshjet politike mund të arrihen edhe në fund të afatit. Prandaj, sipas meje, nuk ka shkelje kushtetuese dhe nuk ka problem në këtë drejtim. Zgjedhja e Presidentes e shmangu një krizë tjetër politike dhe institucionale dhe e ndali riciklimin e të njëjtave probleme. Justina Shiroka-Pula është Presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit, dhe zgjedhja e saj hap rrugën për trajtimin e çështjeve jetike të vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve politike dhe çrregullimit institucional”, ka thënë Qarri.

Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si dëshmi se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike mund të zgjidhë edhe problemet që duken të pazgjidhshme.

“Kjo është dëshmi historike se bashkëpunimi i sinqertë ndërpartiak mund të zgjidhë edhe problemet që duken të pamundura. Kjo mund të bëhet bazë për afrimin e qëndrimeve ndërmjet subjekteve parlamentare dhe për zhvillime pozitive në të ardhmen. Kritikët që kërkojnë fije kashte në çdo zhvillim duhet të injorohen, sepse zgjedhja e Presidentes është një shembull pozitiv se problemet e mëdha mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit ndërmjet partive politike”, ka përmbyllur Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat