81 votat që mbyllën ngërçin, çfarë fshihet pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës? Mekuli zbërthen prapaskenat

Politika

81 votat që mbyllën ngërçin, çfarë fshihet pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës? Mekuli zbërthen prapaskenat

Nga: A.M. Më: 8 tetor 2026 Në ora: 15:26
Justina Shiroka Pula në Kuvendin e Kosovës

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës me 81 vota ka rikthyer debatin juridik rreth përfundimit të procesit të votimit, i cili nisi para mesnatës dhe përfundoi disa minuta pas skadimit të afatit.

Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur publicisti Gëzim Mekuli, i cili thotë se situata nuk mund të gjykohet vetëm nga kalimi teknik i orës 00:00.

“Në një shtet demokratik, Kushtetuta nuk mund të anashkalohet thjesht me arsyetimin e ‘interesit kombëtar’. Ajo që ekziston në teorinë kushtetuese është shumë më interesante: doktrina e domosdoshmërisë, regjimet kushtetuese të emergjencës, parimi i vazhdimësisë së shtetit dhe interpretimi funksional i normave kushtetuese.

Në rastin konkret të Justina Shiroka-Pulës, ka edhe një fakt shumë të rëndësishëm: nuk ka një konsensus juridik se pati shkelje kushtetuese. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka argumentuar se procesi nisi brenda afatit dhe se përfundimi i numërimit disa minuta pas mesnatës nuk përbën domosdoshmërisht shkelje kushtetuese; dhe ky është një argument i kokëfortë, mendoj unë”, tha Mekuli.

Sipas tij, në teorinë kushtetuese ekziston dallimi mes respektimit mekanik të një afati dhe ruajtjes së funksionimit të shtetit.

Image
Gëzim Mekuli

“Në teorinë kushtetuese ekziston një dallim midis ‘respektimit mekanik të një afati dhe ruajtjes së funksionit të shtetit’. Kushtetutat moderne kanë pikërisht për këtë arsye mekanizma emergjence.

Studimet krahasuese tregojnë se rreth 90 për qind e kushtetutave në botë përmbajnë dispozita për situata emergjente. Këto dispozita ekzistojnë sepse shteti mund të përballet me kriza ku zbatimi mekanik i çdo procedure mund të përplaset me nevojën për të ruajtur funksionimin e institucioneve.

Në Francë, për shembull, neni 16 i Kushtetutës i jep presidentit kompetenca të jashtëzakonshme kur institucionet, pavarësia e vendit ose integriteti territorial kërcënohen seriozisht dhe funksionimi normal i pushteteve publike ndërpritet. Por këto kompetenca shoqërohen me kufizime dhe kontroll institucional”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, Mekuli thekson se për këtë arsye debati nuk duhet të reduktohet vetëm te pyetja nëse ora kishte kaluar 00:00.

“Demokracia moderne nuk funksionon me formulën: ‘Një minutë pas afatit = automatikisht shteti bie’. Demokracia moderne pyet edhe: Çfarë synonte norma? A u realizua qëllimi i saj? A u ruajt funksionimi i institucioneve? A pati abuzim apo thjesht një tejkalim teknik?

Dhe këtu është çështja kryesore për Kosovën; Kuvendi nuk e ndërpreu procesin dhe nuk shpiku një president pas mesnate. Ne e pamë se votimi kishte filluar para mesnatës dhe vazhdoi pa ndërprerje deri në përfundimin e procedurës. Presidentja u zgjodh me 81 vota”, tha Mekuli.

Ai e sheh pikërisht vazhdimësinë e procedurës si një prej elementeve kryesore të debatit juridik.

“Prandaj, debati serioz juridik nuk duhet të jetë vetëm: ‘A kaloi ora 00:00?’, por: ‘A përfundoi procedura kushtetuese e nisur brenda afatit në mënyrë të pandërprerë dhe a u cenua ndonjë garanci themelore kushtetuese?’

Kjo është një pyetje krejt tjetër. Dhe pikërisht këtu qëndron argumenti; Kushtetuta nuk mund të shkelet sipas dëshirës; akti parlamentar mund të konsiderohet një proces i vetëm që ka filluar brenda afatit”, theksoi ai.

Më tej, Mekuli iu referua edhe të ashtuquajturës “doktrinë e domosdoshmërisë”, duke sqaruar se ajo, sipas tij, nuk nënkupton të drejtën e pushtetit për ta anashkaluar Kushtetutën.

“Një parim tjetër është ‘domosdoshmëria’. Në shkencat juridike dhe politike njihet edhe ‘doktrina e domosdoshmërisë’. Kjo doktrinë nuk e thotë se: ‘Kur shteti e dëshiron, mund ta shkelë Kushtetutën’.

Do të thotë se në rrethana të jashtëzakonshme, kur ekziston rrezik real për paralizimin e institucioneve, gjykatat dhe doktrina kushtetuese mund të analizojnë domosdoshmërinë për të ruajtur vazhdimësinë e shtetit, proporcionalitetin e veprimit dhe mungesën e alternativave më pak cenuese; e pikërisht ky ishte rasti me zgjedhjen e Presidentes së Kosovës, znj. Shiroka-Pula”, deklaroi Mekuli.

Ai pranon se një mekanizëm i tillë duhet të shoqërohet me kontroll, pasi ekziston edhe mundësia e keqpërdorimit.

“Kjo është një çështje serioze në teorinë e shtetit, pikërisht sepse ekziston edhe rreziku i abuzimit. Studimet empirike mbi gjendjet e jashtëzakonshme tregojnë se pushtetet emergjente mund të keqpërdoren; prandaj ato duhet të kenë kufizime dhe kontroll institucional.

Por ka edhe një element politik që nuk duhet harruar. Nëse vërtetohet se situata jashtë Kuvendit përbënte rrezik real për eskalim të dhunës, kjo duhet të analizohet si pjesë e kontekstit politik të krizës, jo si justifikim automatik për shkelje të Kushtetutës”, tha ai.

Në këtë kuadër, publicisti ngre edhe pyetjen nëse një krizë institucionale duhet të prodhojë vakum pushteti vetëm për shkak të një interpretimi strikt të një afati procedural.

“Por në analizën politike, vjen edhe pyetja logjike: A duhet një shtet demokratik të lejojë që një krizë institucionale të prodhojë vakum pushteti vetëm për shkak të një interpretimi strikt të një afati procedural, kur ekzistojnë mënyra të arsyeshme për ta konsideruar procesin të pandërprerë?

Në politikë 2+2 nuk bëjnë (gjithmonë) 4, kemi të bëjmë me shkenca shoqërore e jo ekzakte, apo jo? Unë mendoj se Kushtetuta nuk është orë muri: 00:00 nuk mund të jetë më e rëndësishme se funksionimi i shtetit”, u shpreh Mekuli.

Sipas tij, zgjedhja e Shiroka-Pulës nuk duhet të reduktohet në faktin se rezultati u shpall disa minuta pas mesnate.

“Debati për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës nuk duhet të reduktohet në një minutë pas mesnate. Demokracia kushtetuese nuk është vetëm mekanikë, por edhe funksion, qëllim dhe vazhdimësi institucionale.

Votimi kishte nisur brenda afatit. Procedura vazhdoi pa ndërprerje dhe Presidentja u zgjodh me 81 vota. Madje ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se tejkalimi prej disa minutash në numërimin dhe shpalljen e rezultatit nuk përbën shkelje kushtetuese”, tha ai.

Mekuli vlerëson se përfundimi i debatit juridik nuk duhet të paraprihet nga deklarata përfundimtare mbi kushtetutshmërinë e procesit.

“Prandaj, para se të shpallet me solemnitet se ‘u shkel Kushtetuta’, duhet pritur dhe analizuar interpretimi i institucionit që ka kompetencën përfundimtare për këtë çështje.

Kushtetuta duhet mbrojtur, por edhe shteti duhet mbrojtur. Historia kushtetuese e demokracive moderne tregon se në kohë krizash shtetet kanë krijuar mekanizma pikërisht për të shmangur paralizën institucionale”, theksoi Mekuli.

Në fund, ai nënvizon se çdo shmangie procedurale duhet të jetë e kufizuar dhe e kontrollueshme, ndërsa kritika ndaj institucioneve është pjesë e demokracisë.

“Por këto mekanizma nuk janë çek i bardhë për pushtetin: çdo shmangie duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale, e kontrollueshme dhe e lidhur me ruajtjen e rendit kushtetues.

Prandaj, kritika ndaj institucioneve është e ligjshme; por shpallja paraprake se Kosova ka shkelur Kushtetutën është tjetër gjë. Ajo duhet të mbështetet në interpretim juridik dhe jo në politikën e panikut.

Dhe në një moment kur vendi rrezikonte përsëri të hynte në një cikël të ri bllokimi institucional, përgjegjësia politike duhet kërkojë zgjidhje brenda Kushtetutës; jo ta përdorë Kushtetutën si instrument për ta mbajtur shtetin peng.

Konsekuent deri në fund; pyetja nuk është vetëm: ‘A kaloi sahati 00:00?’ Pyetja më e shëndoshë, dhe më e logjikshme, duhet të jetë: ‘A u mbrojt rendi kushtetues dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës?’”, përmbylli Gëzim Mekuli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat