Zgjedhja e Presidentes së re ka përmbyllur një prej proceseve më të rëndësishme institucionale të muajve të fundit, duke i hapur rrugë një faze të re politike dhe institucionale në Kosovë. Ky proces ka qenë i shoqëruar me debate të shumta politike dhe me vëmendje të madhe publike, veçanërisht për mënyrën se si do të funksionojnë institucionet pas këtij zhvillimi.
Në planin e brendshëm, mbetet një sërë çështjesh që kërkojnë vendimmarrje dhe koordinim institucional, përfshirë funksionimin e institucioneve, miratimin e ligjeve të nevojshme dhe adresimin e sfidave që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.
Po ashtu, zhvillimet e ardhshme pritet të tregojnë nëse zgjedhja e Presidentes do të sjellë më shumë stabilitet politik apo do të pasohet nga përplasje të reja mes subjekteve politike.
Në planin e jashtëm, Kosova vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme në raport me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Proceset integruese, dialogu dhe forcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare mbeten ndër çështjet kryesore që do të kërkojnë vëmendje dhe angazhim institucional.
Lushaj: Ndër sfidat e para do të jetë edhe trajtimi institucional i ligjeve të miratuara së fundmi, veçanërisht ai për Specialen
Drejtori i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, Adem Lushaj vlerëson për “Bota sot”, se zgjedhja e Presidentes së re duhet të shënojë fundin e pasigurisë institucionale dhe fillimin e një faze të re të përgjegjësisë politike.
Ai thekson nevojën për forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe rikthimin e besimit të qytetarëve e partnerëve ndërkombëtarë.
“Zgjedhja e Presidentes së re duhet të shihet si një mundësi për ta mbyllur një kapitull të pasigurisë institucionale dhe për ta hapur një fazë të re të përgjegjësisë politike. Kosova nuk ka më luksin që energjinë e institucioneve ta konsumojë në kriza të vazhdueshme politike.
Tani fokusi duhet të zhvendoset te funksionimi normal i shtetit, forcimi i institucioneve, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe, mbi të gjitha, te rikthimi i besimit të qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Integrimi evropian duhet të jetë një prej prioriteteve kryesore, jo vetëm si objektiv politik, por si proces reformash konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Njëkohësisht, Kosova duhet të ruajë dhe forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj strategjikë”, tha ai.
Lushaj thekson se muajt e ardhshëm do të jenë një test për institucionet e Kosovës, duke kërkuar kalimin nga përplasjet politike te përgjegjësia dhe rezultatet konkrete.
Ai vë në pah rëndësinë e zbatimit të ligjeve të miratuara së fundmi dhe respektimit të procedurave kushtetuese, duke e cilësuar këtë si një test për funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Muajt e ardhshëm do të jenë një test i rëndësishëm: a do të vazhdojmë me politikën e përplasjeve, apo do të kalojmë në politikën e përgjegjësisë dhe rezultateve?
Kosovës i duhet më pak krizë politike dhe më shumë shtet. Më pak retorikë dhe më shumë punë. Në këtë fazë, interesat e vendit duhet të jenë mbi interesat e individëve dhe partive.
Ndër sfidat e para do të jetë edhe trajtimi institucional i ligjeve të miratuara së fundmi, veçanërisht ai që u miratua mbrëmë. Zbatimi i tij, respektimi i procedurave kushtetuese dhe, nëse ka kontestime, shqyrtimi i tyre përmes mekanizmave institucionalë, do të jenë një test i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të së drejtës” – përfundoi ai për “Bota sot”.
Jakupi: Sfida më e madhe politike është kalimi nga menaxhimi i krizave te qeverisja normale
Kurse, analisti Zejnullah Jakupi konsideron se zgjedhja e Presidentes krijon mundësi për tejkalimin e pasigurisë institucionale dhe fokusimin në reforma konkrete.
Sipas tij, integrimi evropian duhet të jetë prioritet, krahas forcimit të kapaciteteve administrative dhe koordinimit institucional.
“Zgjedhja e Presidentes së re mund të shihet si një mundësi për ta mbyllur një kapitull të gjatë të pasigurisë institucionale dhe për ta kthyer vëmendjen te çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e shtetit dhe jetën e qytetarëve. Pas një periudhe të gjatë bllokadash politike, sfida kryesore nuk është vetëm krijimi i institucioneve funksionale, por dëshmimi se ato janë në gjendje të prodhojnë vendimmarrje, reforma dhe rezultate. Në këtë kuptim, integrimi evropian duhet të jetë një nga boshtet kryesore të agjendës së re. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka evidentuar se politika përçarëse dhe joefikasiteti i Kuvendit kanë penguar zbatimin e agjendës evropiane, ndërsa kapacitetet administrative dhe koordinimi institucional mbeten çështje për t’u përmirësuar”, thekson ai.
Analisti në një prononcim për “Bota sot” potencon se muajt e ardhshëm duhet të sjellin konsensus për reformat kryesore, veçanërisht në sundimin e ligjit, ekonomi dhe administratë publike.
“Prandaj, muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për të parë nëse institucionet do të arrijnë të ndërtojnë një konsensus minimal për reformat që nuk duhet të varen nga ciklet politike: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, funksionalizimi i administratës publike, prokurimi publik, reforma ekonomike dhe krijimi i një klime më të qëndrueshme për investime. Këto janë pikërisht fusha që lidhen edhe me kriteret evropiane dhe me funksionimin e një ekonomie konkurruese”.
Jakupi vë në pah se fokusi duhet të jetë te zhvillimi ekonomik, forcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kalimi nga krizat politike te qeverisja normale dhe rezultatet konkrete.
“Njëkohësisht, ekonomia duhet të rikthehet në qendër të debatit politik. Për qytetarët, suksesi i institucioneve nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por me vende pune, investime, shërbime publike më të mira, energji të qëndrueshme dhe mundësi më të mëdha për të rinjtë. Në planin e jashtëm, Kosova duhet të vazhdojë të investojë në marrëdhëniet me BE-në, SHBA-në dhe partnerët e tjerë strategjikë, duke e lidhur diplomacinë me rezultate konkrete në procesin e integrimit dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, dialogu me Serbinë mbetet një prej dosjeve që do të vazhdojë të ndikojë në agjendën evropiane dhe të jashtme të Kosovës. Në fund, sfida më e madhe politike është kalimi nga menaxhimi i krizave te qeverisja normale. Zgjedhja e Presidentes e ka zgjidhur një nyje të rëndësishme institucionale, por tani përgjegjësia e institucioneve është që këtë hap ta shndërrojnë në stabilitet funksional, reforma dhe rezultate të matshme. Kjo do të jetë prova reale e periudhës së ardhshme” – përmbylli Zejnulla Jakupi për “Bota sot”.