Radoiçiqi shfaqet pranë djalit të Vuçiqit, ekspertët zbërthejnë mesazhin e rrezikshëm dhe paralajmërojnë Kosovën

Politika

Radoiçiqi shfaqet pranë djalit të Vuçiqit, ekspertët zbërthejnë mesazhin e rrezikshëm dhe paralajmërojnë Kosovën

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 11 tetor 2026 Në ora: 14:14
Milan Radoiçiq

Milan Radoiçiq, ndaj të cilit Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime gjatë viteve të fundit dhe që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, u shfaq më 9 tetor në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc.

Në pamjet e publikuara nga televizioni beogradas N1, ai shihet pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, para sallës ku u mbajt tubimi zgjedhor i SNS-së.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se shfaqja e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, përbën “edhe një dëshmi tjetër të qartë” se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.

Dashevci: Lëvizja e lirë e tij dhe grupit të tij kriminal paraqet rrezik për Kosovën

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci tha për “Bota sot” se shfaqja publike e Milan Radoiçiqit në tubimin e SNS-së, pranë djalit të presidentit serb, dëshmon, sipas tij, përfshirjen dhe mbrojtjen e tij nga shteti serb. 

Image
Arben Dashevci

Ai paralajmëroi se kjo përbën rrezik për stabilitetin rajonal, duke theksuar se Radoiçiqi vazhdon të shfaqet publikisht në Serbi, pavarësisht kërkesave ndërkombëtare për dorëzimin e tij.

“I kërkuari nga organet tona dhe ato ndërkomëtare të ndjekjes si Interpoli së bashku me 11 të tjerë por edhe i sanksionuari nga deartamenti amerikan i shtetit, Milan Radoiçiq u pa së fundmi në tubimin e SNS-së në Kragujevc, pranë djalit të presidentit serb, kjo sigurisht se e dëshmon përfshirjen direkte të Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shihet qartë se është nën mbrojtjen e shtetit serb edhe pse e tërë bashkësia ndërkombëtare kërkon dorëzimin e tij.

Kjo paraqet rrezik për stabilitet rajonal është mesazhi politik dhe i sigurisë sepse paraqitja publike e Milan Radoiçiqit në tubimin e SNS-së në Kragujevc, pranë Danilo Vuçiqit, interpretohet direkt si shenjë e mbështetjes apo mbrojtjes politike nga Aleksandër Vuçiqi, edhe në demonstratat gjithandej në Serbi kundrejt Vuçiq, ky dhe grupi i tij gjithmonë e ka mbrojtur këtë establishment të kontaminuar dhe destruktiv atje.

Pra, nuk është kjo hera e parë që shihet kudo në Serbi” – tha ai për Bota sot”.

Sipas Dashevcit, retorika e vazhdueshme e Serbisë ndaj Kosovës, përfshirë deklaratat për Prizrenin, mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. 

Ai theksoi se Kosova duhet të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë përgjegjësi konkrete nga Serbia për sulmin në Banjskë, duke paralajmëruar se lëvizja e lirë e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij përbën rrezik për Kosovën dhe rajonin.

“Gjithsesi se Serbia vazhdon me të njëjtën retorikë ndaj Kosovës, mu sikurse edhe deklarata Daçiç sot ku sipas tij flamuri i tyre do të valojë në Prizren, kjo qasje dhe retorikë e vazhdueshme e tyre mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Krimineli Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që mori pjesë në sulmin në Banjskë, dhe Kosova duhet ta ngrejë fuqishëm këtë çështje te partnerët ndërkombëtarë dhe të kërkojë përgjegjësi konkrete  direkt nga Serbia.

Lëvizja e lirë e tij dhe grupit të tij kriminal paraqet rrezik për Kosovën dhe rajonin mendoj unë” – u shpreh ai.

Rexhepi: Kjo paraqitje ngre dyshime serioze dhe kërkon sqarime të besueshme

Kurse, ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se paraqitja publike e Milan Radoiçiqit në tubimin e SNS-së në Kragujevc, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, nuk është pa rëndësi politike dhe të sigurisë.

Sipas Rexhepit, kjo ngre pikëpyetje për qasjen e Serbisë ndaj sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe për gatishmërinë e institucioneve serbe për të siguruar drejtësi.

Image
Agim Rexhepi

“Paraqitja publike e Milan Radoiçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Kragujevc, pranë Danilo Vuçiqit, djalit të Aleksandër Vuçiqit, nuk mund të trajtohet si një ngjarje pa rëndësi politike dhe të sigurisë. Ajo ngre pyetje serioze për mënyrën se si Serbia po e trajton çështjen e Banjskës dhe për gatishmërinë e institucioneve të saj për të siguruar drejtësi për një sulm të armatosur në territorin e Republikës së Kosovës.

Milan Radoiçiqi nuk është një emër i panjohur për opinionin publik. Ai ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Për këtë arsye, çdo paraqitje e tij publike në rrethana që lidhen me strukturat politike në Serbi ka domethënie të veçantë dhe meriton vëmendjen e institucioneve të Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë”.

Mes tjerash, Rexhepi thekson se prania e Radoiçiqit pranë djalit të presidentit serb ngre pikëpyetje për llogaridhënien e Serbisë lidhur me sulmin në Banjskë. 

Ai shton se kjo nuk dëshmon drejtpërdrejt përfshirjen e Vuçiqit, por kërkon sqarime dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë për të siguruar përgjegjësi ligjore.

“Pyetja thelbësore është: si është e mundur që një person i kërkuar në lidhje me ngjarjet e Banjskës të shfaqet publikisht në një tubim të partisë në pushtet në Serbi, ndërkohë që përgjegjësia penale për këtë çështje ende kërkon trajtim të plotë dhe efektiv?

Prania e Radoiçiqit pranë djalit të presidentit serb nuk e provon, e vetme, se Aleksandër Vuçiqi ka dhënë urdhra apo ka organizuar sulmin. Por, politikisht dhe institucionalisht, kjo paraqitje ngre dyshime serioze dhe kërkon sqarime të besueshme. Kur një person i lidhur drejtpërdrejt me një ngjarje të tillë shfaqet në një tubim të partisë qeverisëse, autoritetet serbe duhet të japin përgjigje për çështjen e llogaridhënies, jo të fshihen pas heshtjes politike.

Banjskën nuk mund ta mbulojë as propaganda, as heshtja dhe as normalizimi i figurave që lidhen me organizimin e sulmit. Vrasja e policit Afrim Bunjaku kërkon drejtësi, ndërsa siguria e Kosovës kërkon që çdo pretendim për përfshirjen e strukturave shtetërore serbe të hetohet mbi bazën e provave dhe të trajtohet me seriozitet nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Nëse Serbia pretendon se është e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe dialogut, atëherë ky përkushtim duhet të dëshmohet me veprime konkrete. Nuk mjaftojnë deklaratat diplomatike kur një çështje me pasoja kaq të rënda mbetet pa përgjegjësi të plotë. Serbia duhet të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të sigurojë që personat e dyshuar të përballen me proces të rregullt ligjor, qoftë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, qoftë përmes procedurave gjyqësore që garantojnë llogaridhënie reale”, shprehet më tutje Rexhepi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta dokumentojnë këtë zhvillim dhe t'ua paraqesin partnerëve strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe mekanizmave përkatës ndërkombëtarë. Kërkesa duhet të jetë e qartë: hetim i plotë, bashkëpunim juridik, përgjegjësi individuale dhe sqarim i çdo lidhjeje të mundshme institucionale që mund të provohet me fakte.

Po ashtu, duhet të kërkohet që Serbia të shpjegojë pse personi që ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur të Banjskës vazhdon të shfaqet publikisht, ndërsa çështja e përgjegjësisë penale mbetet e pazgjidhur në mënyrë të plotë. Kjo nuk është kërkesë për hakmarrje politike, por kërkesë për sundim të ligjit dhe për drejtësi.

Siguria në rajon nuk mund të ndërtohet mbi standarde të dyfishta: përgjegjësi për njërën palë dhe tolerim për tjetrën. Nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ajo duhet të këmbëngulë që çdo akt i dhunshëm të hetohet dhe çdo person përgjegjës të përballet me drejtësinë”.

Tutje, ai potencon se paraqitja e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së ngre pikëpyetje për llogaridhënien dhe tolerimin politik, por nuk dëshmon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Vuçiqit në sulmin në Banjskë. 

Rexhepi kërkon që Kosova të insistojë te partnerët ndërkombëtarë për drejtësi dhe përgjegjësi konkrete.

“Si përfundim mund të themi se,paraqitja e Milan Radoiçiqit në tubimin e SNS-së, pranë Danilo Vuçiqit, nuk është provë e mjaftueshme për të nxjerrë përfundimin se presidenti serb e ka urdhëruar ose drejtuar sulmin në Banjskë. Megjithatë, është një zhvillim me rëndësi politike, që ngre pyetje legjitime për tolerimin politik, llogaridhënien dhe besueshmërinë e angazhimeve të Serbisë për drejtësi.

Republika e Kosovës duhet të kërkojë përgjigje, jo të kënaqet me deklarata. Drejtësi për Afrim Bunjakun, përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe garanci konkrete që akte të tilla të mos përsëriten.

- Mesazhi politik: Paraqitja në një tubim të partisë qeverisëse mund të interpretohet si shenjë e tolerimit ose e afërsisë politike, por vetëm pamjet nuk provojnë se Aleksandër Vuçiqi e ka organizuar apo mbrojtur personalisht Radoiçiqin.

- Mungesa e një procesi efektiv të llogaridhënies mund të dobësojë besimin te zotimet për parandalimin e dhunës dhe të rrisë shqetësimet për stabilitetin rajonal. Raportimet e mëparshme kanë theksuar se Radoiçiqi vazhdon të jetë jashtë juridiksionit të autoriteteve të Kosovës.

Hapi i Kosovës: 

- Të paraqesë prova dhe dokumentacion te partnerët ndërkombëtarë, të kërkojë bashkëpunim juridik dhe të insistojë në përgjegjësi konkrete, pa i paraqitur dyshimet politike si fakte të provuara gjyqësisht” – përmbyll Agim Rexhepi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat