Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka nxitur reagime me deklaratën e tij se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”.
Kjo deklaratë është interpretuar si retorikë kërcënuese ndaj Kosovës, duke rikthyer në vëmendje pretendimet territoriale të Beogradit dhe shqetësimet për paqen e stabilitetin në rajon.Deklarata të tilla për "valëvitje flamuri" mbi një qytet të një shteti sovran do të thotë të paralajmërosh agresion ushtarak.
Ish-zëvendësministri i brendshëm, Valdet Hoxha për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia duhet të heqë dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe të respektojë sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës.
Ai ka vlerësuar se kërcënimet e Ivica Daçiqit paraqesin rrezik për paqen dhe stabilitetin rajonal, duke theksuar se çdo tentativë për cenimin e Kosovës do të përballet me reagimin e institucioneve të sigurisë dhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Serbia duhet ta kuptojë se ëndrrat hegjemoniste të viteve '90 kanë përfunduar dhe kanë marrë përgjigjen meritore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, NATO dhe partnerët ndërkombëtar. Kosova është shtet sovran, i pavarur, me institucione të konsoliduara dhe me prani të forcave të KFOR-it, prandaj çdo tentativë për të cenuar integritetin e saj territorial, do të përballet me përgjigje të vërtetë dhe të fortë të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe aleatëve tanë.
Retorika luftënxitëse dhe kërcënimet territoriale të Zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe jo vetëm, nuk janë thjesht një retorikë politike populiste dhe zgjedhore për elektoratin e brendshëm në Serbi, por deklarata të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe paqes në Republikën e Kosovës, madje edhe me gjerë.
Kjo gjuhë shpërfaq hapur vazhdimësinë e doktrinës ekspansioniste hegjemone të Serbisë që assesi të pajtohet me realitetin gjeopolitik dhe tenton të destabilizojë Ballkanin Perëndimor duke shtyrë përpara doktrinën e “serbisë së madhe” – thotë ai.
Hoxha ka theksuar se Kosova duhet të ndërmarrë hapa strategjikë për forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimin me aleatët, veçanërisht me Shqipërinë dhe partnerët rajonalë.
Ai ka kërkuar gjithashtu që NATO të sigurojë praninë e KFOR-it në numër optimal, ndërsa institucionet kosovare të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të ndërgjegjësuar ndërkombëtarët për rrezikun e destabilizimit të rajonit nga Serbia.
“Përballë një gjuhe të tillë agresive, përgjigjja e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave apo konstatimeve se Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga retorika luftënxitëse por në kontinuitet duhet të merr vendime strategjike ne drejtim të forcimit dhe konsolidimit të mekanizmave të sigurisë dhe avansimit e politikave bashkëpunuese me parterët por ti kushtojë rëndësi edhe bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë duke materializuat metodën e mbrojtes “Smart Defence”.
Komunikimi dhe hartimi i strategjive të përbashkëta në fushën e mbrojtes në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është imperativ i kohës dhe i pa alternativë në kontekstin aktual të sigurisë në rajon.
Po ashtu Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë zyrtarisht nga NATO mbajtjen e trupave të KFOR-it në numër optimal si dhe të ndërmarrin veprime diplomatike për ta prezantuar para botës politikën/skenarin serb për destabilizim e ballkanit perëndimor”, përmbylli ai për gazetën.