Zemërimi qytetar përfshinë Tiranën, Rama në qendër të furtunës – A po i vjen fundi pushtetit të socialistëve?

Politika

Zemërimi qytetar përfshinë Tiranën, Rama në qendër të furtunës – A po i vjen fundi pushtetit të socialistëve?

Nga: A.M Më: 15 tetor 2026 Në ora: 21:06
Protesta në Tiranë

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re, pas përshkallëzimit të tensioneve në Tiranë dhe ashpërsimit të qëndrimeve të protestuesve, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit shqiptar.

Pas disa muajsh protestash, reagimi i studentëve dhe i qytetarëve po ngre pikëpyetje nëse kjo valë pakënaqësish mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në zhvillimet politike në Shqipëri.

Përshkallëzimi i situatës dhe përplasjet me policinë kanë shtuar shqetësimet për mënyrën se si qeveria po i përgjigjet presionit qytetar, ndërsa mbetet të shihet nëse protestat do të prodhojnë pasoja konkrete politike për kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste.

Në lidhje me këto zhvillime, për “Bota sot” foli publicisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti, i cili kritikoi ashpër qeverisjen e Ramës dhe mënyrën se si janë trajtuar protestuesit.

Sipas tij, rinia shqiptare kishte protestuar për muaj të tërë në mënyrë paqësore, por arroganca e pushtetit dhe veprimet e policisë ndikuan në ashpërsimin e reagimit qytetar.

Image
Skënder Kapiti

“Rinia patriotike shqiptare kishte 135 ditë që protestonte në mënyrë tejet paqësore, me një kulturë dhe qytetari model demokracie, kundër regjimit të korrupsionit në Shqipëri, kundër një qeverie ku pothuajse më shumë se gjysma e ministrave, zëvendësministrave dhe drejtorëve të drejtorive, madje edhe kryetarë bashkish, duke përfshirë edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po hetohen, janë arrestuar ose pritet të arrestohen si hajdutë të parasë publike.

Protestuesit, të ndodhur përballë arrogancës fyese dhe të padurueshme, përballë shpifjeve dhe akuzave kundër tyre, të cilat me të drejtë mund t'i atribuohen vetëm atij, duke parë edhe faktin se kundër protestuesve ishin shumica e mediave, gazetave dhe televizioneve, si dhe faktin se rinia studentore u provokua nga policia, e cila tejkaloi kompetencat, u detyruan të reagojnë më ashpër”, deklaroi Kapiti.

Krahas kësaj, publicisti vlerësoi se refuzimi i Edi Ramës për të dhënë dorëheqje lidhet me frikën e tij nga përballja me drejtësinë pas largimit nga pushteti.

Ai e konsideroi qëndrimin e kryeministrit si një nga arsyet kryesore të zgjatjes së protestave dhe të tensioneve që kanë shoqëruar zhvillimet e fundit në Tiranë.

“Mosdorëheqja e kryeministrit tregon frikën që ai ka se, pas largimit nga posti i kryeministrit, do të paraqitet para drejtësisë. Një fakt tjetër është se kokëfortësia e tij është edhe shkaku kryesor i lodhjes dhe stërmundimit të protestuesve, por edhe i dëmeve materiale dhe plagëve që u janë shkaktuar protestuesve”, u shpreh ai.

Në fund, Kapiti paralajmëroi se pasojat e kësaj situate nuk do të kufizohen vetëm te kryeministri Rama, por do të prekin edhe Partinë Socialiste.

Sipas tij, kjo parti do të mbajë përgjegjësi politike për mbështetjen që i ka dhënë qeverisjes aktuale, duke bërë një krahasim edhe me të kaluarën politike të Shqipërisë.

“Partia Socialiste do të vuajë pasojat e kësaj keqqeverisjeje dhe do të përgjigjet politikisht për mbështetjen e verbër që i ka dhënë qeverisjes së saj, ashtu sikurse ish-Partia Komuniste dikur”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat