Institucionet të veprojnë shpejtë për të parandaluar skenarin serb në veri

Politika

Institucionet të veprojnë shpejtë për të parandaluar skenarin serb në veri

Më: 18 qershor 2016 Në ora: 15:13
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, së bashku me Degët e kësaj partie në veri të vendit, kanë shprehur shqetësimin e tyre për rëndimin e situatës në veri të Kosovës që po ndodh ditët e fundit në lidhje me ndërtimin e lagjeve serbe në atë pjesë, vendosjen e shtatores së ‘Car Llazarit’, dhe zhvillime të tjera.

Ata gjatë një konference të jashtëzakonshme të kësaj partie të organizuar për media, me temën ''Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Mitrovicën Veriore'', situatën aktuale në veri e kanë quajtur si provokim dhe të papranueshme.

Sipas tyre, tensionimit është duke i kontribuuar me deklaratat e tij të pamatura edhe kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Zëdhënësi i PDK-së në Mitrovicë, Mehdi Haxha, ka potencuar se PDK-ja në këtë qytet është duke përcjellur me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ai ka kërkuar nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të veprojnë shpejtë në mënyrë që të parandalohen këto skenare serbe.

Haxha: Provokim i rëndë për Kosovën

“Situata e këtillë, ku qytetarëve shqiptarë u mohohet kthimi në pronat e tyre dhe në të njëjtën kohë ndërtohet lagje e re serbe, paraqet një provokim të rëndë për Kosovën në përgjithësi dhe për mitrovicasit në veçanti… Ne kërkojmë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në vend që të veprojnë shpejtë dhe me vendosmëri në mënyrë që të parandalohen këto skenare që vetëm politika serbe mund t’i përgatisë. Në të kundërtën, situata edhe ashtu e brishtë shumë lehtë mund të dalë prej dorës. Tensionimit është duke i kontribuuar me deklaratat e tij të pamatura edhe kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri. Në vazhdimësi ka trazuar qytetarët tanë me premtime, duke caktuar javë dhe muaj për hapjen për qarkullim të urës së Ibrit, por që nuk ka ndodhur kurrë”, ka thënë mes tjerash Haxha.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, ka akuzuar Bahtirin dhe nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenien e banorëve të fshatr ave Gushavc e Kçiq, përkatësisht në vendlindjet e tyre, por jo edhe për qytetarët tjerë dhe pjesët tjera të Mitrovicës.

Sipas tij, Bahtiri është marrë me politika të larta vetëm sa për të shmangur vëmendjen e qytetarëve për premtimet e shumta, të cilat asnjëherë nuk u realizuan.

Kastrati: Ai as përafërsisht nuk i ka përmbushur premtimet(video)Në fshatin e Agim Bahtirit në Gushavc ku të gjitha rrugët, kanalizimet edhe ndriçimi është kryer dhe duke parë se çka po bënë Agim Bahtiri për fshatin e vet, atëherë ka lakmuar edhe nënkryetari Safet Kamberi, i cili ka shkuar rrugës së Bahtirit dhe të njëjtën gjë është duke e bërë për fshatin Kçiq. Prandaj, kemi një situatë ku kryetari dhe nënkryetari janë të interesuar për fshatrat e tyre pavarësisht obligimit që kanë ndaj qytetarëve tjerë…Agim Bahtiri është involvuar në çështjen e urës thjeshtë për të ngritur interesimin e opinionit, në radhë të parë të qytetarëve të Mitrovicës, se është njeri që mund të bëjë diçka…ai as përafërsisht nuk i ka përmbushur premtimet tjera, prandaj është marr me një premtim të madh, për t’i harruar popullata premtimet që i ka dhënë dhe që si ka plotësuar”, theksoi Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat