Mashtrimi për heqjen e barrikadës!

Politika

Mashtrimi për heqjen e barrikadës!

Etleva Skonja Nga Etleva Skonja Më 15 gusht 2016 Në ora: 16:56
Ura e Ibrit

Kur ndërkombëtarët duan, apo më saktë kur Brukseli do, Serbia gjunjëzohet dhe nuk guxon të mos zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën. Kështu, pas një sërë vonesash, deklaratave të njëpasnjëshme, të dielën është  liruar ura, të paktën në pjesën jugore të Mitrovicës. Më në fund, pas marrëveshjes së radhës së Brukselit,  barrikada është hequr, duke nisur kështu revitalizimi i urës kryesore të Ibrit në qytetin e Mitrovicës.

Procesi  ka kushtuar rreth një milion euro dhe  është  realizuar nga Bashkimi Evropian. Por nuk është në pyetje kjo çështje. Pasi banorët,  shqiptarë të veriut, të cilët i kanë mirëpritur punimet mbi urën kryesore të Ibrit, po jetojnë ende me shpresën se një ditë  do të lëvizin lirshëm dhe do t’u kthehen pronave që kanë në veri.

Askush nga zyrtarët në Kosovë nuk i garantoi ata se do të kthehen pranë pronave të tyre dhe pranë vendit ku kanë lindur. Barrikada mbi urë, ishte veç njëra nga  pengesat, pasi për të lëvizur lirshëm dhe në mënyrë që Mitrovica si në  jug dhe veri të jetë e Kosovës, duhet që të eliminohet dhe parku e paqes, gjithashtu e që është më e rëndësishmja duhet të eliminohen strukturat paralele, që veprojnë në veri të vendit. Askush nga zyrtarët nuk është ndalur tek këto çështje, por kreu i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, si gjithnjë, është shprehur optimist.

“Po vjen radha edhe këtë park për ta hequr, pastaj të bëhet rivitalizimi i gjithë urës, për të bërë të mundshëm bashkimin e qytetit dhe qytetarët, që qytetarët të lëvizin të lirë, por edhe automjetet, që do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm. I falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të veriut dhe jugut, të cilët më kanë dëgjuar që të krijojmë një stabilitet. Ne kemi planifikuar në Bruksel se vendi tek xhamia është pronë e Bashkësisë islame dhe xhamia do të fillojë punën”, ka thënë Bahtiri. Ndonëse veprim gjysmak, heqja e barrikadës është vlerësuar si hap pozitiv nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Revitalizimi i Urës mbi Ibër në Mitrovicë, ndonëse i vonuar, përbën një hap pozitiv në funksion të procesit, i cili duhet të përfundojë me hapjen e plotë të Urës. Ajo duhet t'i kthehet qytetit dhe jetës së qytetarëve mitrovicas, t'i shërbejë së ardhmes dhe jo të së kaluarës”, ka thënë Veseli.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Martën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat