Prishtina dhe Beogradi më 24 do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel në kuadër të dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Klima e krijuar së fundmi në Kosovë, pas arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë, me një fletëarrest të lëshuar nga Serbia në Interpol, tentativa e futjes së trenit propagandues serb në territorin e Kosovës, si dhe zhvillimet në veriun e Mitrovicës, kanë ngritur kundërshtime të mëdha në Prishtinë sa i përket vazhdimit të dialogut.
Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë deklaruar kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë, duke kërkuar kështu ndërprerjen urgjente të negociatave me Serbinë.
Përveç Vetëvendosjes e cila që në nismën e tij, ka kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të dialogut në Bruksel, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes shefit të GP të saj Pal Lekaj, ka propozuar rezolutë në Kuvendin e Kosovës për ndërprerje të bisedimeve, menjëherë pas arrestimit të liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Ndërsa, lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, gjatë protestës së djeshme të organizuar nga OVL e UÇK-së për lirimin e Haradinajt, ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të dialogut me Serbinë.
Kundërshtime për vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit në Kosovë, dhe mënyrën siç është zhvilluar deri më tani, vazhdon të ketë edhe nga analistë politikë dhe shoqëria civile.
Publicisti dhe analisti politik kosovar Halil Matoshi, ka vlerësuar se dialogu do të ishte i pakuptimtë pa përfundimin e konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Matoshi ka theksuar se është interes kombëtar i Kosovës që të vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por se sipas tij tash dialogu duhet të fokusohet në një tjetër çështje.
“Dialogu tashti duhet të fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve duke i shmangur retorikat e luftës dhe duke shkuar në drejtim të nënshkrimit të një Pakti Paqeje si dokument obligativ. Përndryshe dialogu i përjetshëm për të njëjtat tema s'ka kuptim”, tha Matoshi në një prononcim për KosovaPress.
Sipas tij, për çështjet e mirëqenies së serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës mund të bisedohet pasi të arrihet paqja e cila Serbisë ia mundëson përmbushjen e detyrave që burojnë nga Kapitulli 35-të i negociatave me BE-në, kurse Kosovës ia mundëson marrjen e ulëses në OKB.
Edhe për analistin politik Belul Beqaj, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë pas gjashtë vitesh negociatash nuk do të këtë asnjë kuptim nëse vazhdohet me platformë dhe përfaqësim të njëjtë.
Sipas tij, vazhdimi i bisedimeve në këtë formë, do të çojë në degradimin e Kosovës, derisa Serbia sipas tij po përfiton në raportet ndërkombëtare. Beqaj beson se Serbia në të gjitha këto zhvillime, mund edhe të bëjë shpalljen e një anshme të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe më 15 shkurt.
“Nëse vazhdojnë bisedimet sikur deri sot me përfaqësim dhe platformë të njëjtë do të vazhdojë degradimi i Kosovës. Serbia i ka realizuar qëllimet e veta drejt përafrimit me BE. Tash, kur pritet të hapet Kaptina 35, po taktizon duke përfituar nga momenti i pa aftësisë së pushtetit të Kosovës dhe paqartësisë ndërkombëtare se çfarë do të sjell politika e re amerikane, që mund të përfshijë edhe çështjen e Kosovës, meqë po aktualizohet gjithnjë e më shumë strategjia e krijimit të shteteve nacionale. Kësaj ideje po i fryjnë edhe disa publicist dhe analistë me ndikim brenda dhe jashtë. Prandaj, nuk është çudi që Serbia me 15 shkurt të shpall një anshëm AKS-në dhe pastaj do të ndërmarrë veprime tjera provokuese operative”, tha Beqaj.
Megjithatë, Beqaj vlerëson se negociatat për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve duhet të vazhdojnë, por se është i nevojshëm një rishqyrtim serioz.
Beqaj parashikon se pas datës 24 janar, datën për kur është paraparë edhe vazhdimi i dialogut, Serbia ‘mund të fillojë me lojën e vërtetë”.
“Bisedimet duhet vazhduar por ato nuk kanë kuptim nëse vazhdojnë si deri më tashti. Jemi në udhëkryq. Është koha për rivlerësim dhe rishqyrtim serioz. Përndryshe, në vend të normalizimit të raporteve do të kemi keqësim të gjendjes meqë serbet po kërcënojnë me shpalljen e një anshme të AKS. Mund të ndodhë që loja e vërtete e Serbisë të fillojë pas takimit më 24 Janar. Prognozoj se veprimet më intensive destruktive do të pasojnë shumë shpejt. Qeveria, bashkë me “miqtë ndërkombëtarë” duhet të rivlerësoj strategjinë dhe platformën negociuese dhe përfaqësimin e saj në procesin e negocimit por. Kjo nuk mund të bëhet si duhet dhe me legjitimitetet të plot pa u mbajtur zgjedhjet e parakohshme, nëse eventualisht inkuadrohet edhe presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Serbisë në vazhdimin e bisedave do të nënkuptonte vazhdimin e pafund të dështimit të t yre në dëm të Kosovës”, ka deklaruar Beqaj.
Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi është paraparë të fillojë të martën në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini.
Pjesë e delegacionit serb do të jetë kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe presidenti Tomislav Nikoliq, derisa pala kosovare ka konfirmuar se pjesë e delegacionit të saj do të jenë presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.