Rruga për transformimin e FKS-së në ushtri

Politika

Rruga për transformimin e FKS-së në ushtri

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 janar 2017 Në ora: 11:48
Foto ilustrim, FSK

“Duhet të ulen grup ekspertësh dhe të hartohet program dhe projekti i ngritjes së kapaciteteve të FSK-së dhe kapaciteteve tjera mbrojtëse të Kosovës pa qenë peng i kërkesave të Listës serbe për ndryshime në kushtetutë dhe në ligj. Pra, brenda korinizës ligjore ekzistuese dhe me këtë emër të ngriten kapacitetet materialo-teknike dhe profesionale, pra aftësimin e kuadrove që Kosova në një afat prej 8-10 vjetësh të bëhet e aftë të përballet me sfidat, të cilat praktikisht cenonjnë integritetin territorial të vendit”, ka thënë Maloku për “Bota sot”. 

Së fundi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, ku Serbia përmes provokimeve që ka bërë, duke nisur që nga ndërtimi i murit në Mitrovicë, arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt në Francë, me flet arrest të Serbisë dhe provokimi me trenin serbo-rus në Kosovë, ka nxitur nevojën e  themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

Megjithëse për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, është diskutuar tash e sa vjet, kjo çështje vazhdon të mbetet peng i agjendave të politikave ditore të çarshive politike në Beograd, përmes Listës serbe në Kosovë. Kjo e fundit, votat e saj për Ushtrinë e Kosovës, i kushtëzon me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Bllokimi i procesit

Analisti politik Albrim Badallaj, ka thënë se Lista Serbe, po i bllokon proceset dhe projektligjet dhe këtë edhe falë bashkësisë ndëkombëtare , por edhe klasës politike shqiptare, që përmes tolerimeve e kanë sjellur gjendjen deri këtu. “ Për çështjet shumë të rëndësishme vota e shumicës bie në ujë dhe zhvlerësohet, kur Lista Serbe vendos të votojë kundër. Për t’u miratuar një ndryshim kushtetues nevojiten 2/3 e dyfishta, pra 2/3 e të gjithë deputetëve dhe 2/3 e votave të vendeve të garantuara. Pra, i bie që pa votat e serbëve, nuk do të mund të formohet Ushtria e Kosovës, konkretisht Forcat e Armatosura të Kosovës. Tani e sa kohë Lista Serbe ka kërkuar që vetëm me miratimin e Asosiacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mund t'a jap votën edhe për miratimin e projektligjit për FAK-un. Kjo tani është produkt i një politike të gabuar dhe jo vizionare, e spektrit tonë politik, për garantimin e vendeve të minoriteteve, duke i kthyer ata në akterët kryesor, edhe pse disa prej tyre përfaqësojnë politikën kriminale dhe fashiste të Serbisë së viteve '90-të”, ka thënë Badallaj.

Kosova mes dy zjarresh

Sipas tij, lënia e këtij projektligji në agjendën e Kuvendit, për shtatorin e 2017 na jep përgjigje me dy variante, që e kanë zgjidhjen e njëjtë. Në këto raste, siç ka theksuar Badallaj, i bie që ose Qeveria ka arritur marrëveshje me Listën Serbe të i fusin në një pako shumë projektligje, ku hyn këtu edhe formimi i Asosiacionit të Komunave me shumicë Serbe, ose janë duke u munduar që deri në atë periudhë ta bindin këtë listë.   “Andaj edhe pse në pyetje është formimi i Ushtrisë së Kosovës, e cila pas një kohe do të inkuadrohej në NATO, prapëseprapë kur është në pyetje Asosiacioni, Kosova gjendet mes dy zjarreve: mes mosformimit të Ushtrisë dhe krijimit të Asosiacionit. Derisa Lista Serbe ka këtë fuqi, atëherë Serbia nga ana tjetër provokon parreshtur duke prodhuar tensione e pse jo edhe luftë. Ne e dimë që në Kosovë vepron një mision i NATO-së si KFOR-i dhe jemi të sigurtë, përndryshe Serbia do e kishte shfrytëzuar që moti këta amulli. Serbia ende ka mbetur në epokën e saj të errët dhe derisa vendet e tjera kanë një prespektivë euro-atlanikë, ajo ka vetëm një regres drejt “Mesjetës”, ka shtuar analisti Albrim Badallaj për gazetën “Bota sot”.

FSK, e gatshme për transformim në Ushtri

Drizan Shala, kordinator i East Bridge Academy (Akademi ushtarake në Danimarkë), duke folur për këtë çështje për “Bota sot”, ka thënë se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, nuk është peng i punës së përgatitur për tranformim brenda FSK-së. Por, FSK-ja siç ka thënë ai, është peng i vendimarrjes politike apo ndonjë kolentacioni rrethanash gjeopolitike jashtë nesh. 

“Nëse ju referohemi raporteve të punës brenda vetë Ministrisë së Forcës dhe asistencës profesionale-teknike të mekanizmave si: DIRI , DIP, NALT etj., atëherë  FSK-ja ka përfunduar pjesën përkatëse të rishikimit strategik të sektorit të sigurisë për një punë mbi 2 vjeçare dhe ka dorëzuar raportin final të rekomandimeve për transformim të FSK në FAK në prill të vitit 2014. I njëjti është miratuar dhe nënshkruar nga kryeministri i Qeverisë se Republikës së Kosovës për kohën në fjalë. Po ashtu referuar raporteve të punës së MFSK me vendimin e Ministrit të FSK –së,  z.Demolli është miratuar kursi i veprimit sipas të cilit do bëjë ky transformim. Bazuar në ketë kurs veprimi nga Departmentit përkatës për transformim është pregatitur plani gjithëpërfshirës i transformimit të FSK në FAK, sipas të cilit kap një periudhë kohore afro 10-vjeçare e ndarë në faza brenda të cilave planifikohen të arrihen kapacitete operationale në personel, paisje , trajnime, infrastrukturë mbështetëse etj për të përmbushur misionin e ardhshëm të Forcës”, ka thënë Shala, duke theksuar se e tërë kjo është e kushtëzuar nga kostoja (buxheti) dhe drita jeshile nga vendimarrja politike në institucionet e Kosovës, përkatësisht Parlamentit.   

Sipas kordinatorit të EBA-së, e cila monitoron punën e FSK-së, është gabimi më i madh në qoftë se procesi i krijimit të FAK-ut, bëhet pre e agjendave të politikave ditore (infantile) të qarqeve politike në Beograd dhe në Kosovë. 

Ai ka theksuar, se Kosova duhet të jetë më e vendosur dhe më kërkuese në raport me Bruksel për sqarimin e agjendave në procesin e stabilizimit të raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi.  “Nuk guxojnë të shtrohen në tryezat e bisedimeve dypalëshe asetet me interes vital për shtetin, siç janë Forcat e Armatosura të Kosovës si garantuese të sovranitetit politik dhe integritetit teritorial si mision themelor. Institucionet e Kosovës duhet të gjejnë modalitete për dertiminimin e agjendave politike të bisedimeve në Bruksel. Duhet t’iu prijë këtyre agjendave të bazuara në interesat e shtet ndërtimit e jo të ndjek agjenda, të cilat e pengojnë bërjen funksional të Shtetit të Kosovës”, është shprehur Shala.  Ai ka shtuar,  se handikepi i parë po i bëhet ndërtimit të kapaciteteve që garantojnë indentitetin tonë shtetëror, sovranitetin politik , integritetin Teritorial, statusin e subjektivitetit ndërkombëtar shtetëror dhe rolin ndikues në fuqinë diplomatike në politikën e jashtme, FSK-së.

Maloku: Treni ishte provokim politik

Por, ndryshe mendon ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Naim Maloku, sipas së cilit ka mundësi që të pavarësohen kapacitetet mbrojtëse në aspektin material, teknik dhe human, pa e ndryshuar emërtimin e FSK-së në FAK. 

Ai ka thënë, po ashtu se nuk është e nevojshme që kjo çështje të shkojë në Kuvendin e Kosovës, dhe ndryshimet të jenë peng i Listës Serbe. 

“Duhet të ulen grup ekspertësh dhe të hartohet program dhe projekti i ngritjes së kapaciteteve të FSK-së dhe kapaciteteve tjera mbrojtëse të Kosovës pa qenë peng i kërkesave të Listës serbe për ndryshime në kushtetutë dhe në ligj. Pra, brenda korinizës ligjore ekzistuese dhe me këtë emër të ngriten kapacitetet materialo-teknike dhe profesionale, pra aftësimin e kuadrove që Kosova në një afat prej 8-10 vjetësh të bëhet e aftë të përballet me sfidat, të cilat praktikisht cenonjnë integritetin territorial të vendit”, ka thënë Maloku për “Bota sot”.  Ndërsa, sa i përket çështjes momentale, Maloku ka theksuar se integriteti territorial është nën përgjegjësinë e KFOR-it gjegjësisht NATO-s dhe në rezolutën e 1244 të Këshillit të Sigurimit.  “NATO e ka përgjegjësinë për tërësinë terrotoriale dhe nuk shoh rrezik nga cenimi i integritetit territoral të Kosovës me mjete ushtarake dhe policore të Serbisë, Treni ka qenë një provokim më tepër politik”, ka shtuar ish-deputeti Naim Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat