Frikësohet Vuçiçi, kërkon serbët në ROSU

Politika

Frikësohet Vuçiçi, kërkon serbët në ROSU

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 shkurt 2017 Në ora: 08:08
Ilustrim

Javë më parë, Kosova dërgoi Njësinë Speciale të policisë, ROSU, në kufi me Serbinë, me qëllim të ndalimit të trenit serb që të hyj në Kosovë. Tentimi i Serbisë për të futur trenin pa respektuar ligjet e Kosovës dhe i stolisur me simbole provokuese nxiti debate të shumta.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç në deklaratën e tij tha se përbërja etnike e Policisë së Kosovës duhet të jetë në përputhje etnike, ku kërkoi përfshirjen edhe të serbëve në këtë njësi.

"Kjo vlen edhe për njësitet Speciale, e jo të dërgohet ROSU e përbërë vetëm nga shqiptarët", kjo deklaratë e Vucicit ka zgjuar debate dhe pakënaqësisë tek njohësit e çështjeve politike. Sipas analistëve kjo është një ndërhyrje e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës e ka ligjin e saj të policisë në bazë të cilit edhe punojnë dhe nuk ka nevojë fare te bisedojë për këtë çështje me askënd apo t’ia plotësojë dëshirat askujt për t`ia përmirësuar strukturën nacionale-etnike serbëve.

Provokimet e Beogradit nuk janë befasi

Politologu Nexhmedin Mustafa ka thënë, se Prishtina zyrtare do të duhej tashmë t’i kishte të qarta qëllimet e politikës së Beogradit zyrtar karshi Kosovës.  Sipas tij, kjo politikë e Beogradit zyrtar nuk fsheh asgjë dhe hapur edhe sot e kësaj dite pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë. “Andaj sot, janë të papranueshme deklaratat e politikanëve në Prishtinë e gjetiu rreth trenit provokues, murit ndarës etj, se janë zënë në befasi institucionet e Republikës së Kosovës. Në fakt asgjë nuk do të duhej të ishte befasi për institucionet e vendit, ajo çfarë vjen nga Beogradi.

P.sh. muri i ndërtuar ilegalisht dhe në mënyrë joligjore te Ura në Mitrovicë, si i tillë as nuk do të duhej të lejohej e aq më pak të nxirret rezolutë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për rrënimin e tij. Kosova, si shtet, po del shumë joserioze karshi veprimeve ilegale në veri të vendit, në veçanti kur në pyetje ishte diçka si kjo ngjarja e fundit me murin”, ka thënë Mustafa. 

Sipas tij, muri si i tillë është dashur të rrënohet, që në ditën e parë kur është ndërtuar dhe sot të mos bëhet çështje e bisedimeve mes Presidentëve dhe Kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës. 

“Në fakt, kjo është edhe çfarë po kërkon Beogradi zyrtar, pra të krijojë diçka siç është p.sh. muri dhe pastaj ti kthejë këto në probleme politike, duke tentuar vazhdimisht të manipulojë BE-në, duke kushtëzuar pastaj  Prishtinën zyrtare drejt koncesioneve tjera në vazhdën e bisedimeve në Bruksel. Prandaj, ligji duhet të funksionojë dhe të zbatohet e të mos i lihet hapësirë diplomacisë nacionaliste të Beogradit të manipulojë qytetarët e nacionalitetit serb që jetojnë në Kosovë, përmes skenarëve të tilla. Prishtina zyrtare duhet të jetë e vendosur që ti dal në përkrahje qytetarëve të vet, pavarësisht se cilës përkatësi etnike i përkasin ata, me fjalë të tjera të mos lejojë interferime nga jashtë që të manipulojë me qytetarin e saj”, është shprehur Mustafa. 

Ai ka theksuar se deklarimet e kryeministrit serb Vuçiç, se në përbërjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës - ROSU duhet të ketë përputhje me përbërjen etnike, janë elemente të fuqishme, se Beogradi zyrtar vazhdimisht po interferon në çështjet e brendshme të rregullimit shtetëror.  “ Nuk dua të besoj se një zyrtar nga institucionet e Republikës së vendit do merrte guximin të bisedonte në Bruksel rreth këtyre çështjeve e që kryekëput janë çështje të brendshme dhe vitale mbi të cilat funksionon siguria rendi publikë. Në çështjet operative, qofshin ato të policisë së Kosovës, FSK-së, as politika vendore nuk ka mandat të përfshihet dhe nuk mund të përzihet, ngase janë çështje kryekëput operacionale për realizimin e qëllimeve të caktuara sipas ligjit dhe kushtetutës, aq më pak të bisedohet për këto çështje me Beogradin zyrtar në Bruksel”, ka deklaruar politologu Mustafa.

Aventurat e Thaçit

Analisti politik Jeton Kelmendi ka vlerësuar se sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas planit të Athisarit mbi të cilin funksionon Kosova, bëhet fjalë për një politikë krejt legale. “Deklaratat e Aleksandër Vuçiçit janë shumë sipërfaqësore dhe nuk kanë asnjë mbështetje juridike dhe në veri të Mitrovicës. Kësaj radhe duhet të merremi me fakte të padiskutueshme, sepse Hashim Thaçi me aventurat e tij, ishte ai, që vite më parë e dërgoi policinë në veri dhe u vrau policin tashmë të ndjerë Enver Zymberin. Dhe krejt në fund u bind, që ai nuk është i zoti ta marrë veriun në dorë, dhe vendosi t’u futet negociatave. Në fund konsumi i brendshëm në Kosovë dhe trysnia për patriotizëm u pa, se këta njerëz gënjejnë pa turpshëm dhe përdorni çdo gjë për interesat e tyre politike”, ka thënë analisti politik Kelmendi.

Analisti politik Skender Zogaj ka thënë, se  Vuçiçi ka hallet e veta sepse është bërë biçikletë, e cila nëse ndalet, bie djathtas ose majtas, prandaj, duhet me ecë pa u ndalur. Sipas tij, këtë ecje Vuçiç, po e bën nëpërmjet të deklaratave të pandalshme duke u përpjekur që t'i rregullojë punët e Kosovës, ndërkohë që, punët e veta në Serbi i ka pus pa fund, në të cilin e ka fundin e vet.

“Vuçiqi siç po shihet tash është i brengosur për përbërjen etnike të Policisë së Kosovës, e cila u dashka të jetë në përputhje më përbërjen etnike të serbëve, edhe në njësitet Speciale, të cilat ditë më parë e detyruan Vuçiçin që ta ndalonte trenin e tij laraman. Deklaratat Vuciçit janë për Kosovën, sikurse bora e parvjetme, prandaj duhet t'i konsiderojmë barsoleta serbe, dhe hiç më shumë. Kështu po them sepse, po u morëm me to, e harxhojmë kohën kot dhe, ky është qëllimi i vetëm i Serbisë, e cila në të kaluarën me deklarata ka arritur që të përhap hutime të shumta dhe, në njëfarë mënyrë të ndikoj në destabilizimin e vendit”, ka thënë Zogaj. 

Ai ka vlerësuar se serbët, si populli i gënjeshtrave që janë, nuk po e shohin se, shqiptarët nuk janë me sharrëxhinjtë dhe pastruesit e rrugëve të Beogradit, por janë populli më vital i Ballkanit, që tash e ka shtëpinë e vet të lirë dhe të pavarur, brenda së cilës do ta kultivojë shoqërinë e mirëfilltë demokratike, duke ua dhënë të gjithë atë që e meritojnë. “Prandaj, serbët e Kosovës, që janë qytetarë të Kosovës, janë absolutisht të barabartë me të tjerët dhe, Qeveria e Kosovës, brenda mundësive të veta, do t’i trajtojë,  sipas standardeve më të larta të një shoqërie demokratike pro-evropiane. Serbët e Kosovës do të jenë bashkë dhe gjithkund ku janë shqiptarët. Ka mbetur vetëm edhe një problem i vogël: serbët e Kosovës duhet ta kuptojnë se Serbia po dëshiron t'i bëjë "cjap për kasap”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Jo, interesave të klaneve politike serbe

Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka thënë, se nuk beson se duhet një raport i pjesëmarrjes së serbëve në specialet e Kosovës në përpjesëtim të drejtë me numrin e Serbëve në Republikën e Kosovës ndaj Shqiptarëve. Sipas tij, Kosova njeh të drejtat e minoritetit serb tërësisht të njëjta me ato të kosovarëve dhe si rrjedhim nuk mund të përcaktohet një numër i caktuar të tyre në çdo strukturë shtetërore.

“Në këtë kuptim me pjesëmarrjen në Qeveri të tyre, besoj se mbaron çdo hamendësim për të drejtat e tyre.  Nuk përbën problem për Kosovën pjesëmarrja e tyre në polici, por kjo nuk mund të përcaktohet në mënyrë apriori, mjafton të kenë të drejtën për pjesëmarrje. Mendoj, se Qeveria e Kosovës do ta lejojë, por nuk jam dakord për numra të paracaktuar politikisht të pjesëmarrjes së tyre. Interesat e Serbëve të Kosovës janë të njëjta me ato të Shqiptarëve të Kosovës sepse kemi dy kombësi me probleme zhvillimi ekonomik të njëjtë. Gjërat e tjera janë për klanet politike në Serbi, por jo në interes të qytetarëve Serbë në Kosovë, të cilëve iu intereson pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi i saj sepse aty jetojnë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Roshi.

Policia e Kosovës e ka strukturën e saj

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava ka thënë, se Vuçiçi nuk interesohet për policinë e vet dhe bazat nacionale-etnike dhe strukturale të saj në Serbi, dhe mos të përzihet në punët e brendshme të shtetit tjetër në këtë rast të Kosovës.  

Ai ka vlerësuar, se Policia e Kosovës i takon një shteti tjetër e cila në baza ligjore të shtetit të Kosovës, punon për të mirat e qytetarëve të saj dhe sigurinë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës  e ka strukturën e saj komanduese dhe eprorët e vet, të cilët në bazë të ligjit, kur parashihet të intervenohet, e kryejnë punën e tyre në tërë territorin e Kosovës. PK-ja, marrë në tërësi, sipas përqindjes strukturale të popullatës së saj territoriale, është e përfaqësuar në tërësi sipas përqindjes së popullatës edhe në policinë e Kosovës. Në të gjitha komunat me shumicë të popullit serb, ku qeveriset nga udhëheqësit komunal serb, i përgjigjet në tërësi strukturave të asaj popullate të komunave, si në aspektin e policisë dhe kuadrit komandues. Qeveria e Kosovës e ka ligjin e saj të policisë në bazë të cilit edhe punojnë, dhe nuk ka nevojë fare të bisedojnë për këtë çështje me askënd apo t’ia plotësoj dëshirat askujt, që t’ua përmirësoj strukturën nacionale-etnike serbëve. Qeveria e Kosovës duhet të ketë qëndrim të qartë ndaj asaj Serbe, dhe t’ia tërheq vërejtjen, që të jenë sa më indiferentë dhe sa më larg, kur është çështja e Kosovës në pyetje dhe territori i saj”, ka thënë eksperti i sigurisë Tërnava.

Në lidhje me këtë çështje zyrtarët nga Qeveria e Kosovës, të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”,  nuk kanë dashur të japin përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat