Opozita i përgjigjet kryeministrit për dialogun

Politika

Opozita i përgjigjet kryeministrit për dialogun

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 shkurt 2017 Në ora: 08:08
Partitë opozitare gjatë një konference të mëhershme

“Unë mendoj, se kemi hyrë në fazën përmbyllëse të këtij procesi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me praninë e domosdoshme të SHBA-ve. Vlerësoj se në këtë fazë ky proces duhet të jetë shumë më dinamik, me afate dhe caqe më të qarta. Ka hapësirë që pala jonë të jetë më gjithëpërfshirëse, të ketë përfaqësues të opozitës, të shoqërisë civile dhe që të konkludohet në një të ardhme të shpejtë". 

Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit Isa Mustafa, derisa ka ftuar partitë opozitare dhe shoqërinë civile që t'i bashkohen dialogut me Serbinë në Bruksel.

Opozita kundër dialogut

Por, partitë opozitare, të cilat që nga nisja e negociatave, janë shprehur kundër tyre, vazhdojnë të këmbëngulin, se dialogu më Serbinë është në dëm të Kosovës. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, për “Bota sot”, ka konfirmuar mospjesëmarrjen e kësaj partie në dialog, duke thënë se nuk e tradhtojnë Kosovën dhe as interesin e qytetarëve të Kosovës. “Jo! Nuk e pranojmë ftesën e kryeministrit. Kjo është një thirrje për t’iu bashkuar grupit të tradhtisë”, ka thënë deputeti Selimi. 

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i kanë konfirmuar gazetës se nuk e pranojnë ftesën e kryeministrit Mustafa.  Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se e kupton kryeministrin, i cili sipas tij, po don që edhe opozitën ta bëjë pjesë edhe opozitën dhe të tjerët.  Por, ai ka theksuar se partia e Ramush Haradinajt, nuk u beson qëllimeve “të mira” të Mustafës. 

“Nuk e besoj që opozita dhe shoqëria civile janë aq naive të besojnë në qëllimet e “mira” të kryeministrit”, është shprehur Arifi.

Qëndrimin sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë në Bruksel, nuk e ka ndryshuar as Nisma për Kosovën. 

Deputeti i kësaj partie në Kuvendin e  Kosovës Bilall Sherifi, i ka thënë gazetës “Bota sot” se Nisma vazhdon të konsiderojë që ky lloj i dialogut është i dëmshëm për Kosovën dhe se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme. 

“Kryeministri dhe të gjithë pushtetarët e qytetarët e dinë qëndrimin e opozitës se tani koha është të shkohet në zgjedhje të parakohshme.  Pasi të kryehen zgjedhjet, insitutucionet që dalin nga këto zgjedhjet duhet të ndërtojnë një mazhorancë të konsoliduar, e cila nuk ka parasysh vetëm interesat e saj, por edhe të vendit, dhe spektri politik që del pas zgjedhjeve të ulet së bashku të ndërtojë një strategji se si do t’i qaset bisedimeve me Serbinë. Tani për tani vazhdojmë të mbështesim dhe të mbesim pranë qëndrimin tonë se ky lloj i dialogut se ky format i bisedimeve është i dëmshëm për Kosovën”, ka konfirmuar Bilalli.

Pse bie ideja e dialogut?

Deklaratën e kryeministrit Mustafa se dialogu është në fazën përfundimtare, e kundërshton analisti politik Belul Beqaj.  Sipas tij, nuk ka argumente të prekshme se dialogu me Serbinë është në fazën përfundimtare. 

“Zotëri Mustafa i ka dy perceptime të gabuara. Fillimisht nuk ka argument e të prekshme se dialogu me Serbinë është në fazën përfundimtare. Mund të jetë në fazën përfundimtare pushteti i z.Mustafa, por dialogu me Serbinë do të zgjatë më shumë se kohëzgjatja e këtij dhe pushteteve të ardhshme”, është shprehur Beqaj për “Bota sot”. 

Si perceptim të dytë të gabuar të kryeministrit, Beqaj e sheh edhe mundësinë që opozita të përfshihet tani në këtë dialog. 

“Cila opozitë dhe cila shoqëri civile mund të përfshihet tani pasi që përmbajtja e disa marrëveshjeve është në dëm të shtetit të Kosovës, ndërsa deri taniky pushtet e ka imponuar logjikën e shumicës së numrave e jo krijimin e bashkëpunimit dhe unanimitetit për çështje të interesit kombëtar dhe shtetëror”, ka thënë tutje ai.  Sipas tij, për këtë arsye, asnjë subjekt i mirëfilltë i opozitës dhe shoqërisë civile nuk mund të ndajë përgjegjësinë për epilogun e një dështimi të parashikuar./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat