"Demarkacioni dhe Asociacioni janë probleme të krijuara dhe kanë vetëm një qëllim"

Politika

"Demarkacioni dhe Asociacioni janë probleme të krijuara dhe kanë vetëm një qëllim"

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 shkurt 2017 Në ora: 07:15
Harta e Rugovës

“Marrëveshja e Demarkacionit duhet menjëherë të shkojë në Kuvend, pavarësisht nga vendimi që do të marrin deputetët, të cilët, nëse nuk duan që në historinë parlamentare të mbesin të shënuar si horra, duhet të votojnë të vërtetën që e dinë dhe jo, të bëhen argatë të thashethemeve dhe të interesave të kuluareve mafioze, të cilave nuk u konvenon Kosova shtet i vërtetë dhe me pavarësi të mirëfilltë”, ka thënë Skender Zogaj. 

Që nga votimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, kjo çështje u bë aktuale dhe vazhdon të jetë edhe sot, ku së fundmi dhe janë bërë matjet në terren nga një komision shtetëror.  Pozita dhe opozita kanë qëndrimet e tyre prej kohësh lidhur me këtë çështje, në ndërkaq që opozita nuk pranon dialog me pozitën dhe përkatësisht me Qeverinë për këtë marrëveshje.  Madje, ka pasur edhe zëra të ndryshëm që thonë së pozita e përdor këtë marrëveshje për të qëndruar në pushtet, ndërsa opozita për të ardhur në pushtet. Për më tepër së fundmi, në emër të Demarakcionin, situata ka përshkallëzuar  deri në atë pikë, saqë shpërndarë mesazhe për vrasje deputetëve. Në media u lakua se bëhet fjalë për një deputete të mazhorancës, së cilës në postën elektronike, i ka mbërritur një mesazh, ku thuhej se “tradhtia kësaj here do ndëshkohet. Pa gjyq… në emër të popullit”. Mesazhi në fjalë ishte shoqëruar me një foto, me mbishkrimin, “Ky do të jetë fati i deputetëve dhe liderëve politik, nëse kalon Demarkacioni!”

Ferati: I besoj komisionit shtetëror

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati ka thënë për gazetën “Bota sot” se të dyja palët kanë qëndrimet e veta, por që ai i beson versionit të komisionit shtetëror.  “I kemi argumentet dhe qëndrimet e komisionit shtetëror dhe i kemi argumentet dhe qëndrimet e opozitës. Tash varet se kush, kujt i besoj, ndërsa se kush ka të drejtë mbetet të shihet me kohë, koha do të dëshmojë se kush ka të drejtë. Ndërsa unë personalisht i besoj komisionit shtetëror. Ata nuk pranojnë dialog, pasi kanë mungesë argumentesh, janë qëndrime të tyre politike, vet fakti se unë i besoj komisionit shtetëror, mendoj,  se ata nuk kanë argumente”, ka thënë Ferati.

Ndërsa, zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se akuzat që bëhen për të dyja palët nuk kanë kuptim dhe se tashmë dihen qëndrimet e VV-së, e nuk do të pranojnë të dialogojnë. “Akuza që iu bëhet dy palëve, edhe atyre që e kundërshtojnë demarkacionin, edhe atyre që e pranojnë, që po e bëjnë për pushtet është kontradiktore dhe nuk ka kuptim. Sa i përket qëndrimit tonë në lidhje me këto dy çështje, ne jemi shprehur edhe më herët lidhur me këtë dhe i konsiderojmë marrëveshje të vdekura, për shkak se Demarkacioni me 1 shtator nuk e ka marrë dritën jeshile të Kuvendit dhe ka dështuar që të votohet e në anën tjetër marrëveshja për Zajednicën i ka shkelur 23 nene të kushtetutës.

Pra, të dyja marrëveshjet e prekin kushtetutën e Kosovës, janë në kundërshtim me sovranitetin dhe integritetin e Kosovës dhe si të tilla ne nuk i pranojmë e as nuk pranojmë që të diskutojmë mbi to për shkak se për dyja i kemi dhënë zgjidhjet. Kemi thënë se nuk mund të ketë Asociacion të komunave serbe me kompetencat që parashihen dhe që ka qëllim bosnjëzimin e vendit tonë dhe kemi thënë që të mos ratifikohet një marrëveshje e demarkacionit që është dëshmuar se ia humbet vendit 8 mijë e 200 hektarë”, është shprehur Hoti. Në anën tjetër, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë se kjo çështje nuk po përdoret për të ardhur në pushtet.  “Ne nuk kemi çka të bisedojmë për versionin ekzistues. Ai është gabim”, ka thënë Nitaj, duke shtuar se vazhdojnë me qëndrimet e mëhershme, se duhet të kundërshtohet demarkacioni me votë.

“PDK e përdor demarkacionin për arsyetim të mosliberalizimit”

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat Gazmend Islami, ka thënë për gazetën “Bota sot”,  se Demarkacioni është çështje e ngritur nga pozita dhe në bazë të matjeve del se Kosova humb territor.  “Çështjen e Demarkacionit e ka ngritur së pari vetë pozita, si problem pra nuk e ka ngritur opozita, pasi ekspertët të cilët janë marrë me çështjen e demarkacionit vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pra mes tyre Shpejtim Bulliqi, mirëpo tezat e tij që i kanë marrë dhe në bazë të argumenteve që kanë dalë në terren shihet se ne humbim territor, Kosova humb territor. Mirëpo, unë mendoj që pozita është duke e shfrytëzuar këtë vakum”, është shprehur Islami. 

Tutje, ai shton se PDK –ja, është ajo që po e përdor më së shumti çështjen e Demarkacionit, për të arsyetuar mosliberalizimin e vizave, duke e thënë si kusht nga BE.  “Mendoj që Bashkimi Evropian nuk e ka Demarkacionin problem për liberalizim të vizave, pasi problemi më i madh ka të bëjë me hajni edhe me korrupsionin e lartë, i cili e ka kapur shtetin. Problemi  qëndron këtu, sepse nuk kemi ende burgosje të këtyre njerëzve që tash e 17 vite janë pasuruar në mënyrë marramendëse dhe jam i bindur se problemi kryesor sidomos i PDK-së, është që ta shfrytëzojë çështjen e demarkacionit për ta plotësuar para qytetarëve mosliberalizimin e vizave”, ka përfunduar Islami për “Bota sot”.

Demarkacioni dhe Asociacioni të politizuar qëllimshëm

Ndërsa, njohësi i çëshjeve politike në vend, Skënder Zogaj ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Asociacioni dhe Demarkacioni janë polizituar qëllimshëm nga pozita e opozita.  “Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni për komunat me shumicë serbe, u bënë bërthamë e keqe e sherrit të madh e me pasoja katastrofale për shtetin dhe popullin e Kosovës, në çastet më vendimtare të përcaktimit të fatit historik.

Demarkacioni dhe Asociacioni janë probleme që qëllimshëm janë politizuar deri ekstrem, dhe e kanë vetëm një arsye- dëshirën për pushtet, që e duan me çdo kusht, si pozita ashtu edhe opozita. Pozitën e fajësoj shumë që nuk ka qenë sa duhet vigjilente gjatë procesit deri te nënshkrimi i marrëveshjeve, që është dashur të bëhet më me transparencë dhe të kalojë nëpër larjen  institucionale dhe të shoqërisë civile, në mënyrë që të gjithë të ishin vendimmarrës, ndërsa opozitën nuk e fajësoj, por e gjykoj sepse pa zgjedhur mënyra as mjete është duke u përpjekur që ta shfrytëzoj këtë rast për ta marrë pushtetin, që në fakt nuk e meriton, sepse, nuk është vlera që do të siguronte një qeverisje më të mirë, përkundrazi, ardhja e opozitës së tashme në pushtet, është krejtësisht e kuptueshme se do të ishte thellim i shkatërrimit të vendit”, është shprehur Zogaj. 

Më tej, ai thotë se opozita duhet të pranojë të dialogojë dhe se vendi është më keq se në kohë robërie. “Kemi të bëjmë me një gjendje të pashpresë, sepse marrja e pushtetit shihet nga thellimi i krizës, e kjo është tepër e rrezikshme për vendin dhe popullin, kur kemi parasysh gjendjen aktuale, që është më e keqe se në kohë robërie, sepse kemi të bëjmë krizën e vet krijuar për qëllime vetëshkatrrrimi. Ky është koncepti i opozitës kosovare e cila nuk e ka kurajën e bisedimit institucional, duke qenë më konstruktive në vlerësimin e gjendjes dhe të kërkimit të zgjidhjeve përmes një konsensusi të gjerë politik dhe jo, me klithma e shqirrje atdhetare.

Pranimi i bisedimeve me pozitën, është i domosdoshëm sepse, ajo ka të drejtën të flasë dhe përgjegjësinë për të marrë vendime që i mendon të vlershme dhe të dobishme për vendin, që opozitës mund të mos i pëlqejnë. Kalkulimi me publikun e regjioneve të caktuara është shumë i rrezikshëm dhe, nuk është mirë të yshtet, sepse, kjo ka pasoja të papërmirësueshme”, ka deklaruar Zogaj. 

Poashtu, Zogaj thotë, se pavarësisht votimit të deputetëve, marrëveshjet duhet të shkojnë në Kuvend. “Marrëveshja e Demarkacionit duhet menjëherë të shkojë në Kuvend, pavarësisht nga vendimi që do të marrin deputetët, të cilët, nëse nuk duan që në historinë parlamentare të mbesin të shënuar si horra, duhet të votojnë të vërtetën që e dinë dhe jo, të bëhen argatë të thashethemeve dhe të interesave tëkuluareve mafioze, të cilave nuk u konvenon Kosova shtet i vërtetë dhe me pavarësi të mirëfilltë”, ka përfunduar Zogaj.  Kujtojmë,  se marrëveshja e Demarkacionit u soll në Kuvend me 1 shtator,  por u tërhoq dhe më nuk është kthyer ende për ratifikim, ndërsa tek marrëveshja e Asociacionit janë gjetur shkelje nga Gjykata Kushtetuese, por që kjo e fundit e ka lënë në dorë të Qeverisë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat