Vajza e Xhemajl Mustafës shpreson se Gjykata Speciale do të zbulojë vrasësit e babait

Politika

Vajza e Xhemajl Mustafës shpreson se Gjykata Speciale do të zbulojë vrasësit e babait

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 14:30
Beriane Mustafa në Prishtinë. Babai i saj, Xhemajl Mustafa, ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një gazetar i shquar i cili gjithashtu ka shërbyer si këshilltar politik i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kur Berianë Mustafa u kthye në shtëpi nga shkolla 16 vjet më parë, ajo u ndesh me një turmë jashtë banesës së saj dhe u trondit kur mori vesh se babai i saj, një gazetar i njohur dhe këshilltar politik, ishte vrarë.

Vdekja e Xhemajl Mustafës e ndjek atë edhe sot. “Zgjoheni në mëngjes me një pyetje që u sillet në kokë që thotë ‘Kush e bëri atë dhe pse?”’, thotë Beriana, 35-vjeçe. “Kjo është ajo që, në baza ditore, të mbyt” ,raporton “USA Today”.

Por, Beriana tani ka një mundësi që vrasësit e babait të saj t’i sheh para drejtësisë. Një gjykatë që do të nis punën muajt e ardhshëm në Hagë, Holandë, do t’i ndjek krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga komandantë të UÇK-së – përfshi edhe presidentin aktual Hashim Thaçin – gjatë dhe pas luftës së vendit për pavarësi kundër Serbisë në vitet e ’90-ta.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga zyrtarët e Kosovës që ta vendosin gjykatën në Hagë nga frika e frikësimit të dëshmitarëve. Gjykata, e themeluar më 2016, do të operojë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe do të financohet nga BE ndërsa për gjykatës dhe përfaqësues ligjorë do të ketë staf ndërkombëtar. Zyrtarët e gjykatës mund të publikojnë një orar të seancave në javët e ardhshme.

Gjykata do të përqendrohet në krimet e kryera gjatë luftës brutale pas shpërbërjes së Jugosllavisë që NATO-n të sulmonte nga ajri për të dëbuar forcat serbe nga Kosova.

Prokurorët ndërkombëtarë me sukses kanë ngritur raste kundër liderëve serbë. Vitin e kaluar, Tribunali i Hagës e shpalli Radovan Karaxhiqin, një serb i Bosnjës, fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës më 1995 kundër, kryesisht, myslimanëve të Bosnjës. Ai tani po vuan dënimin e tij me burg prej 40 vjetësh.

Babai i Berinës, Xhemajli, ishte anëtar i LDK-së që këshilloi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Ai ishte një prej disa personave të afërt të Rugovës që u vranë pas luftës.

“Nuk mund të thoni se konflikti përfundoi qershorin e 1999-ës kur NATO hyri në Kosovë”, thotë Nora Ahmetaj, hulumtuese për të drejtat e njeriut në Qendrën për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim në Prishtinë.

Nuk është e qartë se kush mund të akuzohet. Një raport i vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, një agjenci e BE-së për të drejtat e njeriut, gjeti se presidenti Thaçi dhe pjesëtarë tjerë të lartë të UÇK-së kishin trafikuar organe të njerëzve, kishin kidnapuar, torturuar dhe vrarë serbë, romë e shqiptarë të Kosovës të cilët dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me Serbinë.

Thaçi i ka hedhur poshtë këto pretendime, ndërsa zyra e tij nuk ka dashur të komentojë.

Serbët e Kosovës po shpresojnë se kryesit e krimeve përfundimisht do të dalin para gjykatës.

“Është me rëndësi, jo vetëm si serb, por si qenie njerëzore”, ka thënë Nenad Maksimoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Paqe dhe Tolerancë.

Faton Klinaku, sekretar i organizatës së veteranëve të UÇK-së, ka thënë se gjykata është dashur të mbetej në Kosovë për t’u marrë me krimet. Ai po ashtu nuk beson se Serbia është përgjigjur për krimet e saja në Kosovë.

“Pjesa më e keqe e gjithë kësaj është se askush nuk i ndjek krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, ka thënë Klinaku. Beriana shpreson se gjykata e re për krime lufte do të zgjidh vrasjen e babait të saj, dhe të sjell drejtësi, “jo vetëm për rastin e babait tim, por për të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur këtu”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat