Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, së fundmi ka hedhur kritika në drejtim të Policisë së Kosovës, duke thënë se brenda këtij institucioni, ka shumë pjesëtarë që janë të korruptuar dhe keqpërdorues të detyrës.
Ai madje në një postim në Facebook, ka thënë se brenda PK-së ka edhe shumë çështje të tjera që duhet të diskutohen, siç janë frekuentimi i kazinove nga pjesëtarët të këtij institucioni si dhe ruajtja e disktokave të vendit nga disa policë, e në këto vende siç ka thënë Mustafa dyshohet se ka edhe përdorim të substancave narkotike.
Por, atij i është kundërpërgjigjur Policia e Kosovës, sipas së cilës ekzistojnë tendenca për ta paraqitur PK-në në mënyrë hipotetike dhe me gjasa të probabilitetit si institucion i korruptuar.
Gazeta “Bota sot”, ka provuar që ta kontaktojë zëvendësministrin Nehat Mustafa, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Prokuroria: Hetimet i nisim kur të ofrohen prova të mjaftueshme
Ndërsa, për këto deklarime të Mustafës, Prokuroria e Shtetit, thotë se nuk merret me komentime, por hetimet mund t’i fillojë kur të ofrohen prova të mjaftueshme se është kryer vepër penale.
E pyetur se sa mund të jenë të vërteta deklaratat e Mustafës dhe nëse ata do t’i fillojnë hetimet, Prokuroria është shprehur se funksionet e saj do t’i ushtrojë në rast të dyshimeve të bazuara që janë duke kryer një vepër penale dhe që të plotësohen kushtet e parapara me ligj.
“ Prokuroria nuk merret me komentimin e deklaratave te askujt, por është institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale. Ky institucion ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme, duke siguruar trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat, pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, apo lidhjeve politike, besimeve fetare, apo pozitës shoqërore, andaj sa herë ofrohen prova të mjaftueshme se është kryer një vepër penale, pa marrë parasysh se nga kush, prokuroria vepron dhe do të veprojë në përputhje me kompetencat që ka” , ka thënë Liridona Kozmaqi, zëdhënëse në Prokurorinë e Kosovës.
“Gjithashtu, Prokuroria funksionet e veta do t’i ushtrojë në secilin rast që ka dyshim të bazuar që është kryer një vepër penale dhe që plotësohen kushtet e parapara me ligj”, është shprehur Kozmaqi.
Mirëpo, njëjtë nuk mendojnë edhe ekspertët e sigurisë. Sipas tyre, Prokuroria duhet të hetojë jo vetëm këtë rast, por edhe përkimet, akuzat dhe veprat të ndryshme që ndoshta kanë elemente të efekteve të veprës penale.
Kelmendi: Prokuroria ka dështuar në hetimin e krimit
Analisti politik Muhamet Kelmendi, ka thënë se Prokuroria ka kohë që nuk është në pozitë që ta kryejë detyrën e saj, dhe sipas tij, ajo ka dështuar në hetimin e krimit.
“Konfliktet midis koalicionit qeverisës dhe të subjekteve të tyre që i kanë kapur pozitat në pushtet ka kohë që kanë filluar të keqësohen. Mosmarrëveshje ka midis parlamentarëve të koalicionit qeverisës dhe deri të institucionet e rendit dhe të sigurisë. Prokuroria ka kohë që nuk është në pozitë që të kryejë detyrën e vet, ajo ka dështuar në hetimin e krimit në të gjitha poret e pushtetit”, ka pohuar Kelmendi.
Sipas Kelmendit, vepra dhe deklarime sikur të zv-ministrit dhe policisë ka pasur edhe në kuadër të nivelit qendror.
“Vepra dhe deklarime, si këto midis zv. ministtit dhe policisë, ka pasur edhe në kuadër të nivelit qendror. Natyrisht defacato këto bëhen dhe ndodhin si rezultat i një koalicioni jo normal dhe si të tillë kemi fërkime dhe akuza, vepra të ndryshme që ndoshta kanë elemente efektivave të veprës penale etj”, është shprehur Kelmendi.
Prapavija e përplasjes Mustafa-PK, demarkacioni
Ai poashtu ka pohuar se ekzistojnë mundësitë që këto përplasje mes zv.ministrit të MBB-së dhe PK-së të jenë qëllimshme në kohën e marrëveshjes së demarkacionit, në mënyrë që kjo marrëveshje të kalojë.
“ Kuptohet se Qeveria është shumë e interesuar për të kaluar marrëveshjen e demarkacionit. Me atë, duket se po e lidhin edhe të ardhmen e koalicionit qeverisës, ndaj ka mundësi dhe logjikë politike që kjo situatë e tanishme midis zv.ministrit dhe policisë m’u atë qëllim e ka”, ka theksuar Kelmendi.
Ai ka shtuar se Prokuroria duhet t’i hetojë rastet, jo vetëm këtë, por edhe dyshimet tjera për vepra penale nga fusha politike, juridike dhe ekonomike.
“Prokuroria duhet të hetojë jo vetëm këtë rast, por edhe dyshimet tjera për vepër penale nga fusha politike, juridike dhe ekonomike. Vepra ka në shumë nivele dhe natyrisht se duhet të hetohen nga prokuroria. Po sa do të ndodhë kjo, unë kam dyshime”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi.
Kurse, eksperti i sigurisë Hajrulla Tërnava, ka thënë se situata e sigurisë në këtë periudhë të koalicionit LDK- PDK është e trashëguar me vite të tëra.
“Situata e sigurisë në këtë periudhë të koalicionit LDK-PDK është ajo e trashëguar me vite të tëra dhe po me ata njerëz që kanë hyrë në historinë e të këqijave të MPB. Po përmendi disa raste të trishtuara: vjedhja e dhomës së dëshmive në MPB me lëndë të tëra krimi dhe valuta të ndryshme në vlera të mëdha si dhe lëndë narkotike, vjedhja e dhomës së dëshmive në Pejë, kontratat kriminale për pasaportat biometrike mes Austrisë dhe Kosovës, afera të ndryshme mes kontratave për automjete, armatim, derivate etj, këto janë vetëm disa nga ato të këqija të mëdha që kanë ndodhur”, është shprehur Tërnava.
Keqpërdorimet me “komandanta” të njëjtë
Sipas Tërnavës, në MPB nuk janë marrë masa për zbardhjen e veprave në fjalë.
“Në këtë ministri nuk është ndërmarrë asnjë hap për zbardhjen e veprave në fjalë, por çfarë është më e keqja nuk është bërë asnjë ndryshim kuadrash që kishte me dhënë shpresë se ndoshta do të zbardhen ato vepra, është vazhduar me po të njëjtit "komandanta"”, ka pohuar Tërnava.
Ai tutje ka thënë se ekziston kriza institucionale që moti, prandaj edhe nuk janë liberalizuar vizat.
“ Kriza institucionale e sigurisë është shumë e madhe qysh kah moti, po mos të ishte kjo krizë, ne moti do t’i kishim fituar liberalizimin e vizave”, është shprehur Tërnava.
Tërnava: PDK ka qëllimin të prish autoritetin e LDK-së
Lidhur me debatin në mes të zv.ministrit të MBP dhe PK-së, Tërnava ka thënë se nuk është i rastit, pasi sipas tij, e tëra ka të bëjë me demarkacionin dhe në një mënyrë shkatërrimin e LDK-së.
“ Krejt ky konflikt nuk është i rastit, ka të bëjë me demarkacionin e kufirit dhe në një mënyrë me shkatërrimin autoritativ të LDK-së për në zgjedhjet e ardhshme dhe PDK e ka arritë këtë qëllim”, ka pohuar Tërnava.
Megjithatë, ai ka thënë se Mustafa ka të dhëna të sakta.
“Zv.ministri Mustafa ka të dhëna të sakta se në mesin e policisë ka eprorë tepër të pasuruar edhe për këtë të dhënë e dijnë edhe qytetarët, por mjerisht ata që duhet të dinë nuk dëshirojnë të dinë. Në secilin profesion që ushtrohet ndershëm profesioni, edhe nëse i kanë rrogat tepër të larta mbi mesataren e popullatës, kurrsesi askush nuk mund të pasurohet dhe të bëhet milioner! Të tillë (milionera) tani kemi edhe në polici”, ka theksuar Tërnava.
Kapja e drejtësisë nga “shefat e mëdhenj”
Sipas Tërnavës, Prokuroria është dashur t’i hetojë këto krime, por ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë, për shkak se edhe vet është e kapur nga “shefat e mëdhenj”.
“Prokuroria është dashur moti t’i hetojë këto raste dhe ata janë të pavarur në punën e tyre, por edhe ata nuk po e kryejnë punën e tyre! A thua a për gjithçka duhet prokuroria që të merr urdhra nga shefat e mëdhenj? Që vetëm dikush kur t’iu thotë t’i ushtrojnë ato hetime me e krye tani atë punë! Këtu shihet se shteti është kapur në të gjitha anët”, ka përfunduar ai.
Ndërsa, për këtë çështje, “Bota sot” ka provuar të merr një qëndrim të PK-së, mirëpo nuk kemi hasur në komunikim me këta të fundit.