Rritet numri i deputetëve që nuk do ta votojnë Demarkacionin

Politika

Rritet numri i deputetëve që nuk do ta votojnë Demarkacionin

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 15:37
Kuvendi i Kosovës

Atyre nuk ua mbushi mendjen as gjetjet e komisionit të ri qeveria e cila para disa ditësh nxori para publikut të dhënat për vijën kufitare me Malin e Zi.

Deputetët kundërshtues të koalicionit qeveritar, janë shprehur se nuk u frikësohen ndëshkimit të shefave të partisë, duke thënë se vota e deputetit të Kuvendit të Kosovës, është e lirë atë nuk e dirigjon as partia e as Qeveria.

Deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka konfirmuar se kurdo që demarkacioni të vije në Kuvend, ai nuk do ta votojë.

Ai ka thënë se votën e lirë të deputetit e mbron kushtetuta,askush nuk ka të drejtë të bëjë presion apo të kërcënohet.

“Marrëveshja për Demarkacionin nuk është debatuar asnjëherë në Kuvend. Mendoj se është dashur të sillet që para një viti dhe të debatohet në qetësi dhe tu mundësohet deputetëve edhe debati i lirë edhe deklarimi i lirë me votë,pa përpjekje për presion apo manipulim”, ka thënë ai.

Sipas deputetit Salihaj, po të ishte sjellë në kuvend atëherë kur është nënshkruar,me siguri deri me tash ishte zgjidhur kjo çështje.

Ndërkaq edhe Gëzim Kelmendi është shprehur kundër demarkacionit dhe raportit të komisionit të ri qeveritar, i cili sipas tij është i ndikuar politikisht nga Qeveria.

Kelmendi ka treguar se këtë version nuk do ta votoj, ai po ashtu i ka ftuar gjithë deputetët që të mos e votojnë këtë version të dështuar të demarkacionit.

“Unë mendoj që është gabim që të sjellët në Kuvend ky version i demarkacionit, ngase është i njëjtë me atë të vjetrin i cili dëshmon se Kosovës po i merret sipërfaqe tokësore. Unë personalisht nuk do ta votoj as këtë herë, dhe kërkoj edhe nga deputetët e tjerë mos ta votojnë, ngase do të na dënon populli dhe do të na mallkojnë brezat e ardhshëm për këtë dëm dhe tradhti që i bëhet Kosovës”, ka thënë Kelmendi për Indeksonline.

Më tej ai ka shtuar anëtarët e komisionit për matjen e territorit të Kosovës, kanë qenë të ndikuar politikisht nga Qeveria e Kosovës.

“Këtë çështje e bën më të rëndë edhe fakti kur e dimë se pjesë të këtij komisioni për matjen e territorit, janë vartës të Qeverisë dhe të ndikuar politikisht”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat