Kushti (i vetëm) që po i lë pa viza qytetarët e Kosovës

Politika

Kushti (i vetëm) që po i lë pa viza qytetarët e Kosovës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 shkurt 2017 Në ora: 07:59
Zona Schengen

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka përsëritur se kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës janë miratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit.

Për Demarkacionin, Qeveria tashmë ka raportin me konstatimet e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës dhe pritet që së shpejti ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Mirëpo, partitë opozitare vazhdojnë të këmbëngulin se kushti më i rëndësishëm është luftimi i korrupsionit e jo demarkacioni.

Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, ndaj Kosovës është duke u bërë një politikë e dyfishtë me kërkesën për miratimin e Demarkacionit, pasi sipas tij, Demarkacioni nuk ka të bëj me liberalizimin e vizave.   

“Ky është një standard i dyfishtë i Bashkimit Evropian, për arsye se kemi shtete brenda vetë Bashkimit Evropian, të cilat kanë probleme me Demarkacionin, pastaj edhe shtete të tjera të cilat kanë marrë liberalizmin e vizave dhe që nuk e kanë të rregulluar çështjen e Demarkacionit. Pra, po bëhet një politikë e dyfishtë, ndërsa çështja e Demarkacionit nuk ka të bëjë fare me liberalizimin e vizave”, ka thënë Topalli për gazetën “Bota sot”.

Korrupsioni këmbëkryq në Kosovë

Ndërsa, për kushtin e dytë, i cili është luftimi i korrupsionit, Topalli ka thënë se, është problem që të luftohet korrupsioni, nga zyrtarët që janë vetë të korruptuar.  “Kushti dytë dhe kushti kryesor është lufta kundër korrupsionit. Ky është një kusht për realizimin e të cilit duhet shumë kohë, prandaj është mirë t`iu thuhet qytetarëve të Kosovës, se nuk do të ketë liberalizim të shpejtë, të vizave sepse korrupsioni, nuk mund të luftohet brenda tre-katër muajve. Ne që nga përfundimi i luftës e deri më tash ballafaqohemi vazhdimisht me problemin e korrupsionit dhe është problem që kjo çështje të zgjidhet nga zyrtarë,  të cilët janë vetë të korruptuar. Në luftën kundër korrupsionit ka ndodhur që janë bërë padi ndaj disa “peshqve të vegjël”, ndërsa peshqit kryesor dhe ata që janë shkaktarët kryesor të korrupsionit vazhdojnë të qeverisin dhe nuk kanë mundësi që ta luftojnë korrupsionin sepse i`u mungon vullneti”, ka thënë ai.  Tutje, Topalli ka nënvizuar, se Qeveria po mundohet që t`a  heshtë korrupsionin, ndërsa, për demarkacionin t`a fajësoj opozitën.   “Pra, kjo Qeveri në një mënyrë apo tjetër, po mundohet që korrupsionin dhe krimin e organizuar ta heshtë duke e vendosur në radhë të parë demarkacionin edhe për faktin se opozita e ka kundërshtuar. Në njëfarë mënyre po mundohen ta fajësojnë opozitën”, shtuar Topalli.   Ai ka thënë se, dy partitë e koalicionit e kanë pasur mundësinë që me shumicën parlamentare që e kanë, ta procedojnë Demarkacionin në çdo kohë që kanë dashur.  “E vërteta është që edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit ka mosmarrëveshje sa i përket kësaj pike, sepse ka deputetë të cilët kanë deklaruar publikisht që nuk do ta votojnë demarkacionin, për shkak që është i dëmshëm për Kosovë.  Ne si LVV kemi kërkuar që të hidhet në arbitrazh ndërkombëtar, pra ky ka qenë propozimi ynë dhe Qeveria vazhdimisht po e shtron çështjen e demarkacionit si kusht të parë për t`i ikur problemit kryesorë që ka të bëjë me korrupsionin”, ka thënë Topalli.

Pëplasja Gecaj-Topalli

Mirëpo, deklaratës së Deputetit Topalli, i është kundërpërgjigur Bajram Gecaj zyrtarë në Qeverinë e Kosovës.   “Faton Topalli është një i krisur, asnjë Qeveri nuk ka bërë më shumë kundër korrupsionit dhe krimit si kjo”, ka thënë Gecaj.  Ndërkaq, sipas analistit Ismet Haziri, çështja e Demarkacionit është një lojë që po i bëhet qytetarëve të Kosovës, për shkak të problemit që kanë me lëvizjen e lirë. “Unë konsideroj, se këto dy kushte janë kushte për liberalizim, por se janë si të ndara në mes veti. Demarkacioni është rast që do ta kisha perifrazuar me thënien se në "Qerren e të ligut, vihet barra e pakontrolluar". Këtë e them me faktin, se është shumë e padrejtë dhe si i vetmi rast që BE ka vënë  kusht për liberalizim të vizave. Kjo është një lojë me qytetarët e Kosovës, duke e ditur se janë në hall në lidhje me lëvizjen e lirë, por njëkohësisht një favor për Malin e Zi, që ta joshë në përshpejtimin e plotësimit të standardeve dhe procedurave që të futet sa më shpejtë brenda organizmave të "NATO-s", ngase është interes gjeostrategjik i aleancës për të mbyllur potencialisht të vetmen portë dalëse të Rusisë në ujëra të ngrohta”, ka thënë Haziri.  Mirëpo, sipas tij, është krejtësisht ndryshe, sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar.   Krejtësisht është ndryshe rasti me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë fushë, jo që është bërë pak, por fatkeqësisht i tërë veprimi korruptiv dhe kriminal është i rregulluar brenda infrastrukturës ligjore dhe se funksionon në mënyrë perfekte si rrjet merimange në shumë fusha duke mos ua gjetur fillin se ku e kanë. Mendoj se korrupsioni nuk është  abstrakt, por kategori e tillë shoqërore që stërkeq mirëqenien  dhe funksionimin normal ligjor të shtetit në shumë fusha. Unë besoj, fort se nëse BE dhe SHBA| e dëshirojnë një Kosovë me perspektivë, duhet t`a bëjnë një plane goditës  për të gjithë ata që për 17 vite e kanë shuar ëndrrën e qytetarëve për jetë më të mirë”, ka thënë ai.  Sipas analistit Haziri, askush nuk beson sot se në drejtësi, ekonomi, siguri, shëndetësi etj, nuk ka mundësi të mos dihen se kush janë ata që Kosovën e kthyen në prone private. “Prandaj unë mendoj se edhe nëse kalon demarkacioni, liberalizim të vizave nuk do të ketë, ngase kushti i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar është aktiv  me po të njëjtën dinamikë dhe se pa çrrënjosur fizikisht këtë dukuri devijante në shoqëri nuk do të këtë rezultat konkret, pa nje rezultat konkrete , BE  nuk pranon partner  te korruptuar dhe kriminal në shtëpinë e saj”, ka deklaruar Haziri.  Ndryshe, as në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, nuk do të jetë në rend dite votimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat