“Kadri Veseli fajtor nëse Demarkacioni kalon, PDK ia hedh fajin Mustafës”

Politika

“Kadri Veseli fajtor nëse Demarkacioni kalon, PDK ia hedh fajin Mustafës”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 shkurt 2017 Në ora: 09:24
Kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli

Derisa presioni ndërkombëtar e vendor për miratimin e marrëveshjes së demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi po rritet, edhe tensionet mes politikanësh janë shtuar. Tensionet madje janë prezente edhe brenda vet koalicionit qeverisës LDK-PDK, i cili mban barrën kryesore për kalimin ose jo të kësaj marrëveshjeje, e cila është kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët  e Kosovës.

Së fundmi, përplasje lidhur me këtë çështje, ka pasur mes nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri dhe deputetit të PDK-së Shaip Muja.

Haziri në një deklaratë për media, ka vlerësuar se nuk do të jetë vetëm opozita përgjegjëse, nëse nuk kalon Demarkacioni, por përgjegjësia, sipas tij, do t’i atribuohet drejtpërdrejt Kryesisë dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

“Është e padrejtë që shqiptarët me i mbajtë të izoluar për agjenda politike të caktuara. Nëse ka seriozitet dhe nëse ka angazhim të sinqertë nga ana e kryesisë dhe kryetarit Veseli, atëherë kjo çështje do të kalojë”, ka thënë Haziri.

Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Muja, i cili ka thumbuar Hazirin, duke i thënë se nëse nuk kalon demarkacioni, përgjegjësia kryesore do t’i bie kryeministrit Isa Mustafa e jo Kadri Veselit.

“Një selam Lutfi Hazirit, Kadri Veseli nuk e mban përgjegjësinë kryesore, nëse Demarkacioni dështon, gjeje te shefi yt dhe vetvetja”, ishte kundërpërgjigjja e Shaip Mujës.

Gazeta “Bota sot” ka provuar disa herë të kontaktojë me Hazirin dhe Mujën, por kontakti me ta ishte i pamundur.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Lahi Brahimaj, ka vlerësuar se versioni i tanishëm i Demarkacionit me Malin e Zi, është problem para së gjithash i Kosovës, ndërsa Kuvendi i Kosovës, përmes deputetëve që janë përfaqësues të popullit, do të duhej t’ia jepte një goditje përfundimtare, nëse Qeveria e risjellë atë.

AAK: Partitë në pushtet gabuan me demarkacionin

Ndërkaq, lidhur me atë se kush është fajtorë për këtë situatë, Brahimaj ka thënë se kjo tashmë është e njohur mirë për publikun.

“Ish ministri i jashtëm, Hashim Thaçi i cili e ka nënshkruar dhe Isa Mustafa që po insiston për ta ratifikuar të njëjtën. Pra, eksponentë të partive në pushtet nuk kanë çka e fajësojnë, apo nuk kanë pse tentojnë me ia hedh fajin njëra-tjetrës nëse ndodhë apo nëse nuk ndodhë ratifikimi i saj, sepse të dyjat bashkë e kanë bërë këtë gabim që është me përmasa të një krimi ndaj shtetit të Kosovës”, është shprehur deputeti Brahimaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nëse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, e pranon që marrëveshja si e tillë të dërgohet në Kuvend për t'u votuar, është po aq fajtor sa edhe ish-shefi i tij i partisë dhe partneri i tij i sotëm i koalicionit.

“Deputetët do të duhej të ishin në mbrojtje të Kosovës e jo interesit partiak. Gabimi i demarkacionit ka ndodhur si pasojë e njerëzve për të cilët ju po bëni pyetjen. Prandaj, unë konsideroj që këta njerëz e kanë shansin ta përmirësojnë atë duke e rrëzuar e për t'i dhënë shansin zgjidhjes së vërtetë e vendosjes së kufirit aty ku ka qenë pas ndarjes e copëtimit të tokave shqiptare, Çakorr e Kullë.”, ka pohuar deputeti i AAK-së.

Brahimaj: Mustafa ka mundur të dilte faqebardhë

Ndërsa, për akuzat e Mujës në drejtim të kryeministrit, Brahimaj ka thënë se Mustafa ka mundur t’ia jepte mundësinë e ribërjes marrëveshjes së demarkacionit, meqë nuk ishte nënshkrues i saj.

“Isa Mustafa me insistimin e tij për të kaluar Demarkacioni, po tregon se atij i intereson më tepër pushteti se sa ruajtja e tërësisë se shtetit. Ai është dashtë që moti, meqë nuk ka qenë nënshkrues i asaj marrëveshje, t'ia jepte mundësinë e ri bërjes së saj. E kështu do të mund të ishte në "paqe",  sidomos me atë pjesë të Kosovës”, ka përfunduar deputeti Lahi Brahimaj.

Duke komentuar akuzat e kundërakuzat e zyrtarëve të koalicionit qeverisës, analisti politik Islam Kransiqi i ka thënë “Botës sot”, se nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri e drejton gishtin kah Kadri Veseli, sepse ai është kryetar i partisë më të madhe, e cila nuk po mund t’i bind deputetët e vet që ta votojnë Demarkacionin.

Sipas tij, Demarkacionin nuk e ka ndalur opozita përkundër tentimeve për t’a penguar atë, mirëpo as Veseli dhe Mustafa, nuk kanë mundur t’i bindin deputetët e vet.

“Demarkacioni nuk është ratifikuar për shkak të mos angazhimit të Veselit dhe Mustafës, të cilët e dinë se është gabim, por i janë futur lojës, pa ditur të luajnë dhe kanë mbetur në të”, është shprehur Krasniqi.

Kransiqi: Muja po e fajëson kryeministrin për poena politik

Ai ka theksuar se Muja po mundohet ta bart fajin nga partia e tij në drejtim të kryeministrit Mustafa, për shkak të poenave politik.

“Shaip Muja asnjëherë nuk e ka respektuar Mustafën si kryeministër të vendit, ai atë e fajëson për poena politike, dhe mundohet ta bart fajin nga partia e tij në drejtim të kryeministrit Mustafa, ku tërë përgjegjësinë e demarkacionit ia hedhë atij, duke harruar se ish-shefi i tij e ka nënshkruar këtë marrëveshje”, ka thënë Islam Krasniqi.

Mehmeti: Koalicioni “divorcohet” në prill

Ndërsa, politologu Faton Mehmeti, akuzat e Hazirit kundrejt Veselit, i ka lidhur me afrimin e zgjedhjeve.

“Deklaratat e tij janë parafushatë zgjedhore, edhe pse zyrtarisht zgjedhjet parlamentare nuk janë të parapara të mbahen, por mos votimi i Demarkacionit, e çon vendin në zgjedhje. Qoftë LDK, qoftë PDK, po mundohen t’ia lënë njëra-tjetrës në dorë “pataten e pjekur”, prandaj edhe janë të kuptueshme këto deklarata”, ka vlerësuar Mehmeti për “Bota sot”.

Ai ka paralajmëruar se në ditët dhe javët në vazhdim, deklaratat akuzuese kundrejt njëra-tjetrës, vetëm sa do të shtohen.

“Një martesë e panatyrshme asnjëherë nuk përfundon me fund të lumtur. Fushata parazgjedhore vetëm sa ka filluar, dhe kjo përforcohet edhe me deklaratën e Shaip Mujës kundër Isa Mustafës. Pranvera po afrohet, e bashkë me këtë edhe akuzat do të shtohen, derisa gjatë muajit prill, do të divorohen edhe partnerët e koalicionit qeverisës”, është shprehur politologu Mehmeti./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat