Dyshimet e AAK –së, për ndalimin e Ramush Haradinajt

Politika

Dyshimet e AAK –së, për ndalimin e Ramush Haradinajt

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 mars 2017 Në ora: 15:54
Ish-kryeministri i Kosovës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në Gjykaten e Colmarit

“Kemi të drejtë të dyshojmë se ndalja e ish kryeministrit, Ramush Haradinaj ka ndërlidhje me tema politike, sepse edhe ndalja e tij është kryekëput politike”, ka theksuar deputeti Lahi  Brahimaj. I pyetur se kujt po i konvenon mbajtja e Haradinajt dhe a do të duhej që liria e tij të kushtëzohet me kalimin e kësaj marrëveshjeje, deputeti Brahimaj, ka thënë se ndalja e Haradinajt në Francë bazuar në një fletë-arrest të lëshuar nga Serbia, më së shumti i konvenon Serbisë dhe të gjithë kundërshtarëve të Kosovës.

Gjykata e Apelit në Colmar të Francës ka shtyrë sërish vendimin e saj për ekstradimin ose jo në Serbi të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në arsyetimin e saj, Gjykata ka thënë se vendimi është shtyrë për 6 prill, pasi ka rënë dakord me kërkesën e prokurorit për më shumë informacione.  Kjo pasi Ministria e Drejtësisë së Serbisë, i ka dërguar Gjykatës së Colmarit në Francë një numër të madh dokumentesh të reja si prova për kërkesën për ekstradim të Ramush Haradinajt.  Pas seancës, Ramush Haradinaj ka shpërthyer, duke e quajtur këtë vendim turpërues dhe duke thënë se ai është një peng politik.  "Gjykata i ka dhënë edhe 1 muaj shtesë autoriteteve serbe për informata shtesë. Ky është abuzim politik, kjo çfarë po ndodhë është turpëruese. Lufta e UÇK-së është filtruar në Gjykatën e Hagës, kështu që unë kam mbetur peng politik. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij vendimi ju them se duhet të ju vije turp. Unë do të vazhdojë të qëndrojë përsëri në Francë" ka thënë Haradinaj.  Ndërkohë, Kryesia e Degës së AAK-së në Pejë në një takim të zhvilluar dy ditë më parë, ka konkluduar se zgjatja e pakuptueshme e ndalimit të kryetarit Ramush Haradinaj në Francë me akuza të fabrikuara nga Serbia, ka arritur pikën e mosdurimit.  Madje, AAK- dega në Pejë vlerëson se mbajtja e Haradinaj në Francë është veprim politik që ndërlidhet me paralajmërimet për dërgim në Kuvend të Marrëveshjes për ratifikim të Demarkacionit me Malin e Zi.  “Kjo marrëveshje Komunës sonë i heqë 8,200 hektarë tokë, të cilat me shekuj janë prona apo janë shfrytëzuar nga qytetarët e Rugovës, Podgurit dhe disa fshatrave të Deçanit”, është thënë nga AAK e Pejës.

AAK: Ndalja e Haradinajt, kryekëput politike

Lidhur me këtë, edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Lahi Brahimaj, i ka konfirmuar gazetës “Bota sot”, arsyen se pse AAK mendon që ndalimi i Haradinajt, lidhet me çështjen e Demarkacionit. “Po zhvillimet e ditëve të fundit kanë qenë të një dinamikë që të gjithë qytetarët thuajse e bëjnë këtë pyetje dhe e ngrenë këtë dilemë. Prandaj, në këtë kuptim konsideroj që edhe dega e AAK-së në Pejë konsideron që mund të ketë ndërlidhje të këtyre temave”, ka pohuar deputeti Lahi Brahimaj. Tutje, deputeti i AAK-së,  ka thënë se gjykata nuk do të duhej të shtynte vendimin për Haradinajn. “Nuk do të duhej të ishte ashtu, por sot për sot gjithçka është e mundur, në këtë kohë kur Qeveria e Kosovës, kryeministri i saj po bënë gjithçka që kjo temë të kalojë. Ani pse të gjitha argumentet janë se e njëjta është shumë, shumë e dëmshme për Kosovën dhe territorin e saj. Kemi të drejtë të dyshojmë se ndalja e ish kryeministrit, Ramush Haradinaj ka ndërlidhje me tema politike, sepse edhe ndalja e tij është kryekëput politike”, ka theksuar Brahimaj. I pyetur se kujt po i konvenon mbajtja e Haradinajt dhe a do të duhej që liria e tij të kushtëzohet me kalimin e kësaj marrëveshjeje, deputeti Brahimaj, ka thënë se ndalja e Haradinajt në Francë bazuar në një fletë-arrest të lëshuar nga Serbia, më së shumti i konvenon Serbisë dhe të gjithë kundërshtarëve të Kosovës. “Ramushi është pengesë për të gjithë ata që përpilojnë plane destruktive e destabilizuese për Kosovën. Por, një të jenë të sigurtë të gjithë ata, s'mund  t’i ndalin, as Ramushin e as Kosovën”, ka shtuar deputeti i AAK-së Brahimaj, për “Bota sot”.

“Turpi” i drejtësisë franceze

Edhe sipas politologut Faton Mehmeti, ka shumë dyshime se në mbajtjen e Haradinajt në Francë, ka gisht politika e Kosovës me akterët e saj. Duke folur për “Bota sot”, Mehmeti ka thënë se kundërshtimi i Haradinajt për Demarkacionin, ka mundur t’i kushtojë me privim nga liria. “Por, nëse drejtësia franceze ka rënë në këso lojëra politike, është turpi i saj. Gjithsesi mendoj se autoritetet franceze nuk kanë bazë ligjore që ta mbajnë edhe më tutje Ramushin në Francë, ose të ekstradohet në Serbi nuk ka shanse të ndodhë”, është shprehur politologu Mehmeti. Tutje ai ka theksuar se koalicioni qeverisës po bën gjithçka që të kalojë demarkacioni, dhe këtë vetëm sa të përdorin si arsyetim se “e bëmë liberalizimin e vizave”. “Çdo gjë po bëhet për interesa dhe politika po përdor të gjithë mekanizmat që t’i arrijë qëllimet e veta. Ramush deri tani ka treguar papjekuri politike, prandaj edhe po ballafaqohet me telashet. Shpresoj  që qëndrimi në Francë, ta ketë bërë që të reflektojë, që të mos bjerë asnjëherë nën diktatin e kundërshtarëve të tij politik”, ka thënë Mehmeti.

Burjani: E çuditshme mbajtja e Haradinajt në Francë

Por, ndryshe mendon analisti politik Blerim Burjani, sipas së cilit ndalja e Haradinajt nuk ka ndërlidhje me marrëveshjen e Demarkacionit. Sipas tij, Haradinaj nuk  mbahet për shkak të flet-arrestit të lëshuar nga Serbia. “Ai mbahet për gjëra të  tjera atje, kjo dihet për shkak të flet-arrestit të Serbisë. Ai së shpejti do të lirohet, prandaj këtu nuk ka gjëra tjera. Ai duhet të lirohet menjëherë. Ishte dhe mbetet e çuditshme mbajtja në Francë për shkak të një flet-arresti të dikurshëm, por për këtë temë nuk duhet dhënë konotacion me demarkacion e gjëra tjera”, është shprehur Burjani për “Bota sot”.  Ndryshe, Ramush Haradinaj ishte arrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze më urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia më 2004.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat