Presidenca: Procedimi i ligjit të FSK-në, konform Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe ligjeve

Politika

Presidenca: Procedimi i ligjit të FSK-në, konform Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe ligjeve

Më: 10 mars 2017 Në ora: 17:00
Presidenti i vendit Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është presidenti i parë i Kosovës, që ka shfrytëzuar të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore për të procedurat një projektligj në Kuvendin e Kosovës. Asnjëri prej presidentëve të kaluar nuk e kishte bërë një gjë të tillë më parë.

Kishte shumë kundërthënie rreth procedimit të këtij ligji, mirëpo sipas zyrtarëve të presidencës, këto kundërthënie ndërlidhen kryesisht me mungesën e njohurive rreth procedurave.

Besim Kajtazi, i cili udhëheq zyrën ligjore në presidencë, thotë se kanë ndjekur të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore për procedimin e këtij projektligji, i cili do të mundësojë transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës është nisma e parë në Republikën e Kosovës që është propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Edhe pse kjo e drejtë ka ekzistuar edhe më herët, me këtë projektligj është shfrytëzuar për herë të parë një kompetencë e presidentit. Si rrjedhojë, meqë është hera e parë që kjo e drejtë është shfrytëzuar nga presidenti, ka pasur nga pak edhe keqinterpretime për procedurat paraprake”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka sqaruar se përveç shkresës përcjellëse, projektligji është shoqëruar edhe me Memorandumin Shpjegues të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në gjuhët: shqipe, serbe dhe angleze.

“Ashtu siç edhe është përcaktuar me legjislacionin në fuqi, projektligji i propozuar nga presidenti, nëpërmjet Kryesisë së Kuvendit i është dërguar Qeverisë së Kosovës për mendimin e saj. Sikurse ka ndodhur edhe për projektligjet tjera që janë propozuar nga deputetët, komisioni parlamentar, grupi parlamentar, qeveria duhet ta paraqes mendimin e vet me shkrim në afat prej një muaji nga dita e pranimit të projektligjit. Pas kalimit të këtij afati, projektligji procedohet në Kuvend për shqyrtim”, ka sqaruar për telegrafin Kajtazi.

Sipas Zyrës së Presidentit të Kosovës, deklarata për përafrim dhe për harmonizim me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe me tabelën krahasuese me aktet që u referohet, nuk është e aplikueshme për projektligjin për FSK-në.

“Sa i përket përafrimit me legjislacionin e BE-së, fusha e mbrojtjes nuk përcaktohet me AQUIS. Kjo do të verifikohet edhe me opinionin e MIE që do të lëshojë. E njëjta do të bëhet për deklaratën për ndikimin buxhetor në vitin e parë dhe në vitet e ardhshme, që do të lëshohet nga Ministria e Financave, sipas përllogaritjes paraprake që e ka bërë MFSK”, tregon ai.

Sipas Kajtazit, deklarata për ndikimin buxhetor dhe opinionin e MIE-së, dërgohet në Kuvend vetëm pasi Qeveria e Kosovës ta japë mendimin e saj me shkrim për projektligjin e propozuar nga Presidenti i Kosovës.

“Qeveria paraqet mendimin e vet me shkrim, për projektligjin e propozuar nga presidenti. Pas kësaj, Zyra për Propozime dhe Parashtresa e Kuvendit, pasi te pranoj mendimin e Qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe deklaratat përkatëse, e paraqit në Kuvend me të gjitha kërkesat që përcaktohen në nenin 54 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, sqaron Kajtazi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në këtë të drejtë kushtetuese dhe ligjore, më 7 mars 2017, ia kishte dorëzuar kryeparlamentarit Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së.

Projektligji tashmë gjendet në Qeverinë e Kosovës, e cila ka një muaj kohë për të dhënë mendim dhe për ta proceduar në Kuvendin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat