Pse sipas ekspertit të sigurisë ambasadori Delawi ose kryetari Thaçi duhet të japin dorëheqje?

Politika

Pse sipas ekspertit të sigurisë ambasadori Delawi ose kryetari Thaçi duhet të japin dorëheqje?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 16 mars 2017 Në ora: 11:00
Hashim Thaçi e ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, përmes një postimi në facebook ka shkruar se ose ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawi ose kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duhet të japin dorëheqje.

Por, në një prononcim për “Bota sot”, ai këtë e arsyeton me faktin që ata që e kanë këshilluar Thaçin të ngutet me ligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, ose janë injorantë ose e kanë sabotuar atë. Sipas Kajtazit një gjë e tillë e ka sjellë SHBA-në, BE-në dhe NATO-n para aktit të kryer.

“Është paradoksale kur në koluare në presidencë dhe në kuvendin e Kosovës dëgjon komente te stilit "prononcimi i Delavise është privat". Ata që e këshillojnë presidentin ose kryetarin e kuvendit në këtë mënyrë, ose janë injorant ose sabotojnë. Dhe aq me keq nëse kanë këshilluar presidentin e këshilluan të ngutet me ligjin për transformimin e FSK me qëllim për ta prurë para aktit të kryer SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Po e përsëris edhe njëherë se gjuha diplomatike me dykuptimësi i përket shekujve të kaluar”, thotë Kaktazi për gazetën “Bota sot”.

Image
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi

Ai më tej, ka thënë se gjuha diplomatike e përdorur nga partnerët ndërkombëtarë, SHBA, NATO dhe BE, me rastin e ligjit të propozuar nga Thaçi ka qenë shumë e qartë. Sipas tij, një pjesë e klasës politike, viteve të fundit ka hyrë në një konflikt me bashkësinë ndërkombëtare, e sipas tij kjo është e koordinuar dhe e sponsorizuar nga qarqe që janë kundër Kosovës.

“Gjuha diplomatike që përdoret tani është e drejtpërdrejtë dhe ne rastin e ligjit të propozuar nga presidenti ka qenë shumë e qartë, nga të gjithë faktorët ShBA, BE dhe NATO. Ajo që është shqetësuese në këto vitet e fundit është rrëshqitja e një pjese të klasës politike të Kosovës ne një konflikt latent me Bashkësinë ndërkombëtare që ndihmoi në venjen e themeleve të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Mendoj se kjo është e koordinuar dhe e sponsorizuar nga qarqe anti Kosovë”, thekson Kajtazi.

Sipas tij, liderët e Kosovë duhet të kenë kujdes, pasi sipas Kajtazit, Serbia arrin interesat e veta në raport me Kosovën, vetëm atëherë kur arrin ta izoloj Kosovën në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

“Prandaj liderët tanë duhet të lëvizin më shumë kujdes në këtë fushë. Jemi dëshmitarë të një histerie kundër Francës pe e kuptuar se ajo është anëtare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje. Jemi dëshmitarë të një histerie kundër SHBA-së.  Mendoj se Serbia interesat e veta në raport me Kosovën i realizon vetëm nëse ja arrin që ta izoloj Kosovën në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, përfundon eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat