Shpresa e vetme, Gjykata Speciale!

Politika

Shpresa e vetme, Gjykata Speciale!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 mars 2017 Në ora: 09:20
Selia e Gjykatës Speciale

Edhe pse kanë kaluar 17 vite që nga çlirimi i Kosovës, dhe periudha e errët e fillimit të vrasjeve politike, ato ende mbesin një enigmë e pa zbuluar në Kosovë. Drejtësia vendore, misionet ndërkombëtare UNMIK dhe EULEX kanë dështuar në zbardhjen e këtyre rasteve dhe tani shpresat janë  që Gjykata Speciale t’i zbulojë ato më në fund.

Njohësit e çështjeve politike dhe zhvillimeve në vend, vlerësojnë se UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk kanë mundur që të kryejnë si duhet funksionin e tyre.

Ndërsa, lidhur me vrasjet politike, e ku më së shumti kishte pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti i kësaj partie, Sadri Ferati ka thënë se është  më se e domosdoshme që drejtësia në Kosovë dhe ajo ndërkombëtare (Gjykata Speciale) të zbardhin vrasjet politike.

Sipas tij, në këtë rast duhet të organizohen gjykimet dhe të njoftohen familjet dhe opinioni se cilat janë informacionet dhe argumentet që i posedojnë organet kompetente lidhur me këto vrasje.

“Duhet të shpallin kërkesë nga qytetarët të deponojnë informacionet që kanë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë mund të konstatojmë se po vazhdon dështimi i organeve të drejtësisë duke përfshirë edhe EULEX-in”, ka thënë deputeti Ferati për gazetën “Bota sot”.

Pritja dhe heshtja e LDK-së për zbardhjen e vrasjeve politike

Kurse, analisti Rexhep Shahu, ka pohuar se gjithë Kosova dhe LDK-ja pret që një ditë të zbardhen krimet e vrasjeve politike. Ai ka thënë se gjithë vrasjet e pas luftës janë gur i rëndë për shtetin e ri të Kosovës.

“Krimi mbjell krim dhe pjell krim dhe kriminelët për të fshehur krimet bëjnë krime të reja. Drejtësia në Kosovë edhe mund të thuhet se ka dështuar sepse u be eksperiment i keq në shumë fusha, dhe nuk morri një model amerikan apo evropian. Por UNMIK-u e përziu me lloj- lloj kulture e ndërhyrje, kurse EULEX-i nuk i dhemb Kosova sa u dhemb shqiptarëve”, ka thënë Shahu.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve juridike Muhamet Kelmendit,  EULEX-i dhe UNMIK-u  ishin kompetent dhe tani është EULEX-i kompetent për të shqyrtuar çdo rast të rëndësisë së veçantë për shtetin.

Sipas tij, kjo nuk e përjashton mundësinë dhe të drejtën që edhe Gjykatat e vendit të merren me rastet e mëdha.

“Madje tash shumë prej këtyre kompetencave kanë kaluar tek vendorët. Këndej kemi dështim të të gjitha këtyre institucioneve. Sepse LDK-ja ka dështuar në punën për zbardhjen e këtyre rastëve. Edhe në të kaluarën ishte LDK-ja në pushtet, edhe sot është në pushtet, ndërsa nuk bënë gjë, por vetë, heshtë”, ka thënë Kelmendi.

Shpresat te Specialja

Duke komentuar vrasjet politike, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se veprat monstruoze kriminale që kanë ndodhur nga lufta dhe këtej, ndër to sidomos qindra të vrarët politikë, janë dëshmi se kriminelët janë të fortë dhe se e mbajnë të kapur drejtësinë.

Sipas tij, që 17 vjet gjaku mbahet i mbyllur në "kutinë e pandorës" dhe institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë heshtur, por e kanë mbrojtur krimin dhe kriminelët, pasi sipas tij ata janë bërë pjesë e krimit dhe korrupsionit të organizuar, duke shtuar se shpresa e vetme për zbulimin e këtyre vrasjeve është Gjykata Speciale.

“Këtu qëndron shkaku që në fillim UNMIK-u, e pastaj edhe EULEX-i, nuk kanë mundur që të kryejnë sa e si duhet funksionin e tyre, sepse, është e pamundur që, ndërkombëtarët të realizojnë detyrën e tyre mirë, sepse ka munguar vullneti dhe përkrahja e vendorëve. Unë nuk e akuzoj UNMIK-un dhe EULEX-in për dështim, por akuzoj nga toka në qiell institucionet e Kosovës. të cilat kanë dështuar plotësisht dhe e kanë ngulfatur shtetin, lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve të Kosovës. Në këtë situatë, Gjykata Speciale është shpresa e vetme e njerëzve dhe e LDK-s, së cilës iu kanë vra bijtë dhe bijat më të mira”, ka thënë  Zogaj.

Sipas Zogajt,  LDK-ja deri tash ka qenë në pozitë të pavolitshme, sepse, strukturat e organizuara të krimit dhe korrupsionit e kanë rrezikuar qenësinë e Kosovës,  prandaj sipas tij është dashur gjakftohtësi.

“Mendoj se LDK-ja nuk ka kohë me prit që Gjykata të zbuloje vrasjet e zyrtarëve të saj, por duhet të krijojë një trupë profesionistësh dhe të kompletojë dosjet e zyrtarëve të saj të vrarë, njëkohësisht të ftojë të gjithë dëshmitarët e mundshëm që të shkojnë për të dëshmuar në Gjykatë, e jo të pres që, Gjykata të zbulojë dhe dënojë kriminelët. Është detyra atdhetare e LDK-s të angazhohet maksimalisht dhe botërisht për të ndihmuar drejtësinë dhe këtë punë duhet ta bëjë duke bashkëpunuar me Gjykatën Speciale. LDK-ja nuk duhet të bie pre e disa grupe kriminele që po përpiqen t'i ikin drejtësisë duke e konsideruar Gjykatën Speciale armiqësore! Këta janë kriminelët që duan ta pengojnë Gjykatën Speciale për t'i fshehur krimet e tyre, prandaj, LDK-ja ka përgjegjësi historike që të mos hesht, jo të shpresojë, por të veprojë duke bashkëpunuar me Gjykatën Speciale. Kjo është detyra patriotike e LDK-s dhe e te gjithë shqiptarëve atdhetarë”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Dështimi i UNMIK-ut dhe EULEX-it

Nga ana tjetër analisti politik Leon Duhanaj ka pohuar se Kosova si shtet i vogël, nuk guxon të lejoj në asnjë mënyrë të identifikohet me krimin, pavarësisht se a dështon UNMIK-u apo EULEX-i.

“E kaluara 17 vjeçare nuk është që na bën të ndjehemi mirë në këtë segment, e sidomos pas përfundimit të luftës, kur dihet se kanë ndodhur shumë vrasje shume plagosje, kërcënime e shantazhe të ndryshme. Për të gjitha këto opinioni është i informuar bazuar në informacion publik por për fat të keq, nuk ka ende ndonjë zbardhje të këtyre rasteve”, ka thënë Duhanaj.

“Çdo krim duhet të zbardhet nga Gjykata Speciale dhe çdo kriminel duhet të ndëshkohet. Ky duhet të jetë postulat kryesor i shtetit që po synojmë ta ndërtojmë, shtetit të së drejtës. Megjithatë parim në drejtësi është se jo çdo kush që është apo akuzohet, është apriori fajtor. Fajtorë për krime apo kriminel mund të cilësohet vetëm ai të cilit i është dëshmuar fajësia dhe ka marrë verdiktin nga gjykata”, ka theksuar Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat