Vizita e pa pranueshme e kryeministrit serb!

Politika

Vizita e pa pranueshme e kryeministrit serb!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 prill 2017 Në ora: 07:29
Vuçiç, gjatë një cizite në Kosovë

Lidhur me vizitat e krerëve serbë në Kosovë, tashmë është diskutuar disa herë. Ata disa herë si të padëshiruar kanë zgjedhur rrugë alternative për të qenë të pranishëm në Kosovë në raste të ndryshme.

Ditë më parë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se Kosovën mund ta vizitoj kur të dojë edhe pa lejen e Qeverisë së Kosovë. Megjithatë, kur Kosova i vendosi disa kushte, kryeministri serb vendosi të mos vijë fare në Kosovë. Po ashtu, shumë rrugë në Kosovë u bllokuan nga qytetarët e Kosovës, duke mos lejuar një delegacion serb që të takojë serbët në Kosovë, këto bllokime rrugësh kanë ndodhur si kundërshtim i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, dhe ardhjes së Vuçiqit në Leposaviq.

Por lidhur me deklarimet e kryeministrit serb, e kontaktuar nga “Bota sot”, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë qëndrim rreth kësaj çështje.

Deklarata e Vuçiqit për poenë politikë

Kurse njohësit e rrethanave në vend, vizitat e këtilla i shohin si të papranushme dhe duke ngjallur provokime në vend. Një deklaratë të tillë të kryeministrit serb, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava e ka quajtur si arsyetim për të përfituar poena politike në Serbi, në këtë prag zgjedhjesh.

“Në këtë rast Kryeministri serb edhe që deklarohet ashtu, se herë të donë mund ta vizitoj Kosovën, duhet ta kemi të qartë, se këtë e bënë për të përfituar poena politikë në Serbi, meqë tani janë duke u mbajt zgjedhjet, e që të perfitoj poena politik nga zgjedhësit e vetë duke e dëshmuar me këtë se Kosova është pjesë e Serbisë, ndaj elektoratit te tij”, thotë analisti Tërnava për “Bota sot”.

Sipas tij, politikat e shteteve të lira demokratike duhen gjithnjë t’i kontribuojnë përafrimit të tyre me shtetet tjera,  e sidomos shtetet fqinje.

“Gjithsesi ne duhet të jemi të hapur ndaj të gjitha shteteve dhe të kontribojnë miqësisë me të gjitha shtetet, por në rast se keqpërdoret kjo demokraci-miqësi atëherë janë rregullat procedurale ligjore, që duhet të ju nënshtrohen të gjithë ata që nuk janë shtetas të shtetit tonë, edhe po qene ata,  burrështetas të shteteve tjera apo shteteve fqinje. Në këtë raste gjithnjë duhet të kemi parasysh rregullat e reciprocitetit e sidomos me shtetet fqinje”, vlerëson ai.

Sipas Tërnavës, një deklaratë të tillë mund ta jap edhe kryeministri i Kosovës se mund ta vizitoj Serbinë sa herë të dojë, por realiteti është ndryshe.

“Në këtë rast sikur që ka thënë se sa herë të dojë mund ta vizitoj Kosovën të ngjajshme mund ta thotë edhe Kryeministri i Kosovës që sa herë të dojë mund ta vizitoj Serbinë, kurse realiteti është diq tjetër se janë procedurat administrative të një shteti të cilat e përcaktojnë mënyrën dhe mundësinë e vizitave të një shteti tjetër”, tha ai.

Ai thotë po ashtu se Kosova tani është shtet i pavarur i njohur nga 114 shtete me kufijtë e saj dhe sovranitetin e saj e garantojnë KFOR-i dhe NATO-a .

“Nëse vizitat e Kryeministrit serb vlerësohen nga ana e Qeverisë së Kosovës si të dëmshme që shkaktojnë destabilitet, atëherë nuk duhet t’i lejohet një vizitë e tillë,  por gjithsesi në koordinim të plotë me miqtë tonë që na kanë ndihmuar me u çliru nga regjimi Millosheviqijan”, thekson Tërnava.

Vizitë e papranueshme

Edhe analisti politik Faik Krasniqi thotë se deklarata e kryeministrit serb është e papranushme.

“Vizita e kryeministrit serb në vendin tonë, sa herë të duan ata madje të bëjnë edhe fushatë, kryeministër i cili thotë se nuk do ta njoh kurrë Kosovën dhe bën edhe provokime gjatë vizitave, është krejt e papranueshme, madje edhe e pashpjegueshme”, thotë ai.

Sipas tij, siç duket kjo tolerancë ka të bëjë me marrëveshjen që Lista Serbe të vijë në Kuvend për ta votuar Demarkacionin.

“Këtë gjë e tha edhe shefi i grupit parlamentar të Listës serbe. Janë marrëveshje të fshehta mes krerëve të lartë shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat