AAK-ja po përdor kartën e Francës?

Politika

AAK-ja po përdor kartën e Francës?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 prill 2017 Në ora: 08:08
Selia e Aleancës pë Ardhmerinë e Kosovës

Në kohën kur zgjedhjet e parakohshme janë bërë kryefjalë e skenës politike në Kosovë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është duke i munguar lideri i saj Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë për shkak të një fletarrsti të lëshuar nga Serbia. 

Por, teksa, Haradinaj, po mbahet në Francë dhe vendimi për të pritet të merret më 6 prill, bashkëpartiakët e tij, po mbajnë tubime të shumta duke kërkuar lirimin e tij.

E këto tubime, nuk janë parë me sy të mirë, nga një pjesë e opinionit por edhe njohësve të rrethanave politike. Sipas tij, AAK-ja mbajtjen e Haradinajt në Francë, po e shfrytëzon si kartë për të ardhur në pushtet. 

Anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj ka thënë se nuk ka kohë ta komentojë këtë çështje.“Pyeti ata që paskan thënë kështu. Unë nuk kam kohë t'i komentojë budallenjtë. Kjo është përgjigjja ime”, ka thënë Nitaj, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetës, nëse mbajtja e z. Haradinaj në Francë po përdoret nga AAK-ja, si kartë për të ardhur në pushtet.

Vlerësohet lideri i AAK -së

Analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se në asnjë rrethanë nuk merr pushtetin AAK-ja. Sipas tij,Ramushi si individ i meriton dhe i kanë hije gjithë pushtetet.  “Njerëzit në Kosovë Ramushit mund t’i japin gjithë pushtetet, por jo AAK -së. AAK e përdor Ramushin sa mundet, por tashmë gati 20 vjet pas luftës nuk shitet më trimëria e para 20 vjetëve. Po u shit trimnia ai që e ka me shumicë atë është Ramush Haradinaj, që është komandant i luftës në Kosovë, që ka bërë luftë, e që e urrejnë serbet, nuk ka bërë lojë luftash e dreka e darka patriotike e luftë fjalësh e deklaratash kundër Rugovës si Thaçi në Tiranë. Por, sot votuesit masin punën konkrete e jo historinë e para dy dekadave”, ka thënë analisti politik Shahu. Sipas të njëjtit,  AAK-ja pa Ramushin është si makina pa motor,  sepse AAK nuk shton pikë e as vota me mungesën e Ramushit.“Por nga qëndrimet e njerëzve me simpati ndaj Ramushit, mendoj se mungesa e Ramushit nuk do t'ia pakësojë votat AAK-së”, ka thënë analisti Shahu.

Analisti politik Ali Hertica ka thënë,  se politika dhe politikbërsit e AAK-së fare nuk janë duke luajtur asnjë rol të një politikë të mençur dhe as që po dinë,  se çfarë po kërkojnë ata. Disa në AAK, po e përdorin kartën e Francës dhe shfrytzuar emrin e liderit Haradinaj,  por nëse ata si subjek politik nuk e ndryshojnë strategjinë politike atëherë nuk duhet të fokusohen vetëm për një person.

“Është fjala e elektoratit, i cili vendos se kush do vijë në pushtet.Tani koha po ec drejt një ndryshimi të mentalitetit politik dhe gjërat po ndryshojnë dita- ditës ku edhe politikbërësit duhet të ndryshohen, sepse edhe ata janë të pazëvendësueshëm. E gjithë kjo del se i gjithë respekti është për luftëtarët e lirisë, por mos të harrojnë edhe qytetarët. Sepse, ne shtetin demokratik askush nuk duhet viktimizuar.Të gjithë ishim ajo forca që e ndërtuam shtetin dhe tani dihet që jemi të gjithë ata që ndryshuam tërësinë e jetës dhe shtetit.Kështu që mos të përdori z. Haradinaj subjeti i tij politik, për të ardhur në pushtet pa e merituar bekimin dhe sovranet e qytatarëve”, ka thënë Hertica.  Sipas tij, subjekti politik i AAK-së, veç ka filluar të humb një lloj primati pa Ramushin, sepse disa fytyra të AAK –së,  thuajse veç janë tërësisht të harxhuara dhe vetëm se i përsërisin fjalët dhe politikat ditore.“Mos prezenca e z. Haradinaj, AAK-së do ti kushtojë shumë, sepse mbajtja e Ramushit në Francë e penalizon shumë këtë subjekt gjatë fushatës zgjedhore “, është shprehur analisti politik Hertica.

 Haradinaj, shembull për t’u ndjekur

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka pohuar, se ka ardhur koha që gjithë sistemi mental i shoqërisë duhet të përputhet me atë të shoqërive të zhvilluara të perëndimit, që të ndihmojë zhvillimin e vendit.Ai ka thënë, se politikanët duhet të vlerësohen me votë në përputhje me kontributin që japin në shërbim të qytetarëve.“ Sigurisht, se çdo politikan hedh në tregun politik gjithë mjetet që posedon për t’u vot’besuar përfshirë këtu viktimizimin dhe është qytetari që vlerëson masën e besimit ndaj tij. Z .Haradinaj në fakt nuk ka shmangur ndonjë përgjegjësi publike lidhur me të shkuarën e tij dhe kështu ka prodhuar një moral që duhet të kondicionojë gjithë klasën politike të Kosovës. Ata që nuk e përballojnë dot trasparencën e së shkuarës duhet të tërhiqen ose duhet detyruar të tërhiqen duke mos u votuar.Balancën me të drejtën e ruan vota e qytetarëve”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Roshi.

Edhe analisti politik Skender Zogaj ka deklaruar se kapja dhe mbajtja e Ramush Haradinajt në Francë sipas kërkesës së Serbisë, është një aksident i improvizuar nga ana e hetuesisë ndërkombëtare, për qëllime provuese politike dhe diplomatike në kuadër të procesit integrues të Kosovës dhe Serbisë në BE.  Sipas tij, akuzat serbe dhe reagimet shqiptare, kanë qenë shumë të shpërfillura që e kanë pasqyruar plotësisht injorancën shtetërore të Serbisë dhe Kosovës. “Sjelljet e manifestuara për rastin, kanë qenë të tejdukshme dhe në të shumtën e herëve jo të denja, sepse, kur është fjala për një vend si Franca e mirënjohur për drejtësi, nuk do të duhej të kishte vend teratologjia populiste, e cila jo vetëm që nuk e ka ndihmuar, por,  ka qenë në dëm të Ramush Haradinajt. Ky populizëm është shprehur edhe në frymën partiake të AAK-së, e cila duke u përpjekur që të madhërojë figurën e Ramush Haradinajt, ua ka nxjerrë ngjyrën dhe yndyrën disa figurave të rëndësishme partiake, të cilat është se janë krejtësisht amatore”, ka thënë Zogaj.   

Ai ka vlerësuar se mbajtja e pamerituar e heroit Ramush Haradinaj në Francë nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të thjeshta partiake të AAK-së, sepse, Ramushi nuk është akuzuar si lider i AAK-s, por si figurë e rëndësishme e Kosovës, personalitet kombëtar, heroi lufte, prandaj, viktimizimi i tij nuk është mënyra e forcimit të verës dhe rritjes së aureolit të tij.  “Gjithsesi që ka ardhur koha, kur mentaliteti i përzgjedhjes së udhëheqësve të shtetit duhet të bëhet në bazë të punës së tyre dhe jo të viktimizimit të tyre.Arrestimi dhe mbajtja në Francë pa asnjë arsye e forcon figurën e Ramush Haradinajt dhe AAK-së. Normalisht kjo është një sakrificë që i jep adute të reja ish Komandantit dhe ish kryeministrit, që edhe në kohë lirie po i bie barrë e rëndë. Prandaj, mendoj se kjo do të ndikojë të elektorati dhe AAK-ja do të ketë rritje”, është shprehur analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat