Mister/ Çka në të vërtetë fshihet prapa organizatës “Syri i popullit”?

Politika

Mister/ Çka në të vërtetë fshihet prapa organizatës “Syri i popullit”?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 5 prill 2017 Në ora: 11:49
Foto ilustrim nga "Bota sot" / Personat që ishin në listën për ekzekutim të organizatës “Syri i Popullit”

Së fundi në Kosovë doli në skenë një organizatë e quajtur “Syri i popullit”, që ka për synim eliminimin e atyre që e njëjta i quan tradhtar të vendit.

Por, “eliminimi i tradhtarëve”, nuk është qëllimi i kësaj organizate, e cila "punën" saj e nisi duke plagosur avokatin Azem Vllasi.

Sipas shumicës së lexuesve të gazetës “Bota sot”, qëllimi i vërtetë i kësaj organizate është pikërisht pengimi i  funksionalizimit të Gjykatës Speciale. Kështu, kanë votuar ata në sondazhin e gazetës në pyetjen se çfarë ka për synim organizata “Syri i popullit”. Ndërsa, një pjesë tjetër dërmuese e lexuesve konsiderojnë se kjo organizatë ka për qëllim destabilizimin e vendit. Nga ana tjetër, në vendin e tretë qëndron opsioni “Pengimi i votimit të Demarkacionit”, për t`u pasuar me opsionin “Vrasjen e tradhtarëve”, për të cilin kanë votuar më së shumti lexues.

Zyrtarët për Informim të Prokurorisë së Shtetit nuk janë përgjigjur në pyetjen e gazetës se deri ku kanë arritur hetimet sa i përket organizatës së vetëquajtur “Syri i Popullit”.

Shpërqendrim nga Gjykata Speciale

Ndërkaq, për njohësin e çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, dalja në skenë e kësaj organizate, u bë për të shpërqendruar vëmendjen nga ngjarjet aktuale siç është themelimi i Gjykatës Speciale.

 “Sikur në shumë situata politike kur nuk janë të lakmueshme dhe nuk i kontribuojnë të mirës për kohën, shpiken disa veprimtari apo aksione dhe opinionit e shpërqendron vëmendjen në tjera drejtime. Me këtë arrihet qëllimi i situatës dhe jeta politike e vazhdon aktivitetin e saj të "suksesshëm", për qëllimet e saja. Edhe rasti i tentim vrasjes se Azem Vllasit e kishte  një qëllim të tillë. Në këto kohëra kur pritet të aktivizohet Gjykata Speciale muajve në vijim, tani na del një Organizate “Syri i popullit”, e cila e merr rrolin e "spastrimit të tradhtarëve", të Kosovës dhe vepron me kandarin e saj duke i marr në thumb për t`i likuiduar ata”, ka thënë Tërnava.

Ai ka kujtuar të kaluarën, kur i dyshuari për plagosjen e avokatit Vllasi, Murat Jashari, kishte kritikuar elitën e pasluftës, duke ua bërë me qindra pyetje lidhur me vrasjen e vëllait të tij Ismet Jasharit, por edhe raste të tjera që kanë ndodhur gjatë luftës.

“Vet Murat Jashari si vepër kryes i tentim vrasjes ndaj Azem Vllasit, mbas luftës shumë herë e ka kritikuar elitën e pasluftës, duke ua bërë me qindra pyetje për situatën jo të mire dhe tradhëtitë e bëra sidomos për vrasjen e vëllait të tij komandant Kumanovës-Ismet Jasharit dhe të tjerëve gjate dhe pasluftës. Pyetjet e bëra ishin të drejtuara shokëve të vet të ish LPK, dhe në asnjë rast udhëheqësve të sistemit komunist. Është për tu befasuar pse tani merret ne thumb Azem Vllasi e jo ata qe ishin te akuzuar!”, ka thënë ai.

Tërnava ka potencuar se ky veprim i kësaj Organizate “syri i popullit”, e ka për qëllim pengimin e Gjykatës Speciale.

“Nëse Murat Jashari si banor i Kumanovës, e tani situata politike e deritanishme është në vlim e sipër, sidomos padrejtësitë ndaj shqiptarëve që po ju bëhen atje. A thua po të kish marr në thumb njërin prej kryesorëve të politikanëve Maqedonas që zhvillojnë politika anti shqiptare, a nuk do të mbahej në mendje si hero shqiptar,  dhe pse jo që kishin me i kënduar edhe këng të ndryshme nëper oda !

Nga këto që i thash qartët del konstatimi, se ky veprim i kësaj Organizate “syri i popullit”, e ka për qëllim pengimin e Gjykatës Speciale”, është shprehur ai.

Ish pjesëtari i SHIK-ut e cilëson si eksperiment

Kurse, për ish pjesëtarin e SHIK-ut, Naim Miftari, ekzistimi i Organizatës “Syri i popullit”, duhet të merret vetëm si supozim.

“Sipas  mendimit tim organizata e ashtuquajtur  ''Syri  i popullit'' pasi  nuk është  vërtetuar  akoma nga drejtësija, nuk dihet se a ekziston fare. Prandaj duhet marr vetëm si supozim dhe hipoteza cilësimet si pro ruse e epitete që kryetari ynë po i jep kësaj organizate nuk qëndrojnë dhe janë të sajuara.  Personalisht e njoh Murat Jasharin e kam takuar disa herë dhe të thuash se punon për Moskën nuk qëndron”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim, sipas Naim Miftarit, me Murat Jasharin dhe me Azem Vllasin është bërë eksperiment.

“Nëse ndalemi te ky ''atentati'', un mendoj se me Murat Jasharin dhe me Azem Vllasin kanë bërë eksperiment, pasi si shumë shpejt u zbulua rasti kur dihet se dhjetëra vrasje nuk janë zbuluar  kurrë. Sipas meje rasti  ka qenë  i zbuluar edhe pa  ndodhur fare pasi organet e sigurisë së vendit kanë pasur para informata të sakta për veprimtarinë e Murat Jasharit  dhe  rrethit të tij  pasi organet e  sigurisë kanë pasur informator afër kësaj, ''organizate'', dhe shumë çudi pse nuk e kanë  parandaluar këtë atentat”, ka theksuar Naim Miftari.

Teori konspiracioni

Kurse, analisti Faik Krasniqi, ka thënë se kjo organizatë me emrin ''Syri i populli'' apo çfarëdo emri të ketë, duket si një organizatë fantome.

“Teori konspiracioni. Pse po e them këtë? Sepse ekzistojnë shërbime sekrete dhe aq më pak që këta njerëz ose shumica prej tyre veprojnë në perëndim. Aq të fuqishëm qenkan këta që as shërbimet sekrete nuk po arrijnë të zbulojnë gjurmët e tyre. Apo aq fuqishëm qenkan këta që paskan fuqi ta pengojnë edhe funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Këto janë dokrra. Shtetet perëndimore janë aq të fuqishme sa nuk mund t'i ndaloj askush në qëllimet e tyre”, ka thënë ai.

Krasniqi ka potencuar se Gjykata Speciale është themeluar nga shtetet më të fuqishme të botës, dhe s'ka organizatë që mund ta ndaloj.

“Kjo organizatë sipas meje nuk ekziston, por e sajuar nga njerëz që duan të fitojnë pak famë ose të mbjellin frikë tek njerëzit. Po të kishte ekzistuar ata njerëz që janë në ''listat'' e tyre, deri më tash larg qoftë do t'u kishte ndodhur diçka. Por edhe nëse ekziston,  ku janë organet e sigurisë dhe të drejtësisë që të merren me këta njerëz?”, ka përfunduar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat