“Lista Serbe dorë e zgjatur e Serbisë, të mos pyetën fare për ushtrinë”

Politika

“Lista Serbe dorë e zgjatur e Serbisë, të mos pyetën fare për ushtrinë”

Hava Orana-Xhukolli Nga Hava Orana-Xhukolli Më 11 prill 2017 Në ora: 12:49
Pjesëtarë të FSK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka tërhequr propozimin e tij, ku në bazë të një ligji të propozuar nga ai për FSK-në, ku ky ligj kishte për qëllim që transformimi i FSK-së në ushtri të bëhet pa ndryshime kushtetuese. Por presidenti Thaçi, pas tërheqjes së propozimit të tij, ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri do të bëhet me ndryshime kushtetuese, duke përfshirë edhe serbët. Por Presidenti Thaçi nuk ka treguar se ende se sa mund t’i bindë minoritetet serbe për të votuar transformonin e ushtrisë në Kuvend. Madje as Presidenca nuk ka dhënë një përgjigje për hapat e mëtutjeshëm, edhe pse “Bota sot”, ka disa ditë që është munduar të marr një përgjigje.

E një vendim të tillë të Presidentit Thaçi, se cila mund të jetë zgjidhja sipas tij  që serbët të binden për ushtrinë nuk e kanë komentuar as partitë politike, në përjashtim të Vetëvendosjes.

Vetëvendosje: Nuk habitë vendimi i Thaçit!

Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pasi projektligji nuk ka ardhur ende në Kuvend dhe nuk habitet nga vendimi i Presidentit Thaçi.

“Nuk e di nëse Thaçi e ka tërhequr projektligjin për shndërrimin e FSK-së në ushtri, pasi projektligji nuk ka ardhur asnjëherë në Kuvend, ai ende është në procedurë në qeveri dhe ne presim që projektligji të vie në Kuvend. Por nuk do të ishte habi nëse Thaçi tërhiqet nga iniciativa e tij duke ditur se ai deri me tani nuk i është përmbajtur zotimeve të tij”, thekson deputetja Pantina. 

Ajo thekson se Vetëvendosje ka qenë dhe mbetet për themelimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

“Çdoherë e kemi thënë se zgjidhja më e mirë është përmes ndryshimeve kushtetuese, por ne kemi përkrahur edhe variantin që një gjë e tillë të bëhet edhe me ligj për sa kjo gjë është e mundur”, tha ajo.

Sipas deputetes Patina, serbët as që duhet të pyeten për çështjen e ushtrisë, pasi që ata i binden vetëm urdhrave të Serbisë.

“Sa i përket bindjes së serbëve, besoj se duhet të bëjmë një dallim se për cilët serbë po flasim. Unë besoj se qytetarët e komunitetit serbë që jetojnë në Kosovë nuk do duhej të kundërshtonin krijimin e Ushtrisë së Kosovës por siç e dimë ata për fat të keq nuk janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës sepse Lista Srpska nuk përfaqëson interesin e qytetarëve serbë të Kosovës por është dora e zgjatur e Serbisë dhe ata i binden vetëm urdhrave dhe vullnetit të Vuçiqit dhe Serbia nuk do duhej të pyetet fare për themelimin e Ushtrisë së Kosovës sepse qëndrimi i tyre tashmë dihet”, thekson Pantina për “Bota sot”.

Ushtria do të krijohet

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu thotë se Presidenti Hashim Thaçi provoi dhe nuk arriti asgjë në nismën e tij për ushtrinë.

“Megjithatë e ka arritur një fitore-e bëri çështje ndërkombëtare krijimin  e ushtrisë për të cilën u shprehen seriozisht edhe amerikanët. Natyrisht që Thaçi nuk ka fuqi për krijimin e ushtrisë as dje as sot as nesër, ai thjeshtë tani që u tërhoq luajti rolin e zëdhënësit të amerikanëve, bëri siç i thanë amerikanët. Unë besoj se Ushtria do krijohet por amerikanët që na kanë sjellë lirinë dhe që do të na bëjnë edhe me ushtri, do t’i përdorin të gjitha procedurat e duhura demokratike dhe nuk do të pranojnë kushte nga askush, nuk do të pranojnë bllokime të njëanshme nga askush, sepse ata janë shprehur qartë që nuk do të pranohet vetoja e askujt”, vlerëson analisti Shahu.

Sipas tij, njëherë do të thirren të gjithë që janë në Kosovë që ta bëjmë bashkë ushtrinë e Kosovës, e sipas tij kush refuzon, nuk ka të drejtë pengimi, nuk ka të drejtë vetoje.

“Pra mirë do të ishte të bindeshin serbët, por me parë ata do të ftohen, do të ftohen si aktore e faktorë, nëse do të refuzojnë, atëherë refuzimi i tyre nuk do të jetë me veto ose vetoja e tyre nuk do të ketë fuqi. Serbët do të ftohen, por u binden s'u binden, ata nuk do të kenë fuqi të pengojnë vullnetin e shqiptarëve e përkrahjen amerikane”, thekson ai.

Po ashtu edhe analisti politik Leon Duhanaj thekson se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri nuk ka alternativë, ku sipas tij për këtë janë të bindur dhe të vetëdijshëm  të gjithë, madje edhe vet serbët, dhe se ashtu siç është bërë shteti që ka qenë sfidë shumë më e madhe, do të bëhet edhe ushtria.

“Natyrisht që serbët, të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtarë, e ka të penguar dhe do ta pengojnë këtë proces për aq sa munden. Por në momentin që nuk kanë alternativë, dhe kur ndikimi e presioni ndërkombëtarë ndaj Beogradit të rritet, atëherë do të përpiqen që në një mënyrë apo tjetrën, përkrahjen ndaj FAK-ut, ta paraqesin  si një sukses kompromisi si p.sh; me asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili po ashtu është punë e kryer dhe pa alternativë”, vlerëson ai.

Duhanaj thekson se Kosova duhet të jetë shumë më kërkuese në të drejtat e veta.

“Por çdo hap në cilin do drejtim, duhet ta marrë në koordinim të plotë me miqtë e rëndësishëm ndërkombëtarë, pa të cilët sot as nuk do të mund ta imagjinonim themelimin e ushtrisë”, thotë Duhanaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat