PDK do koalicion me AAK-në e Nismën, por merr një “goditje” të rëndë!

Politika

PDK do koalicion me AAK-në e Nismën, por merr një “goditje” të rëndë!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 prill 2017 Në ora: 08:31
Foto arkiv, mbeldhje e Këshillit Drejtues të PDK-së

Këtë vit do të mbahen zgjedhjet lokale, por ka një kohë që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare po kërkohen nga opozita dhe disa deputetë të opozitës.

Edhe pse nuk dihet ende nëse këtë vit do të kemi edhe zgjedhjet të parakohshme, ka pasur zëra edhe për koalicione të mundshme që do të mund të formonin Qeverinë e ardhshme.

Së fundmi, deputeti nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, ka thënë se nëse mbahen zgjedhjet, Qeveria e ardhshme do të formohej nga një koalicion i PDK-së me bllokun opozitar AAK dhe Nisma për Kosovën, që tashmë janë në koalicion.

Image
Deputeti i PDK-së, Shukri Buja

Buja: Koalicioni me AAK-Nisma, i përafërt në aspektin  e veprimeve

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti Buja ka thënë se do të mund të formohej një koalicion i tillë, për shkak të veprimeve më të përafërta para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, por që janë të hapur edhe për partitë tjera.

“Fillimisht, koalicionet do të bëhen nëse shkohet në zgjedhje, nëse ato mbahen këtë vit. Sipas Kushtetutës një parti nuk mund të formojë qeveri, andaj duhet të formohet një koalicion. Koalicioni bëhet nga numri i deputetëve që do të jenë në parlament. Kam thënë se mund të formojmë një koalicion me Aleancën dhe Nismën si më të përafërt në aspektin e veprimeve para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, por nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti tjetër”, është shprehur Buja.

I pyetur nëse ka pasur takime me këto parti, ai ka thënë se ato do të bëhen pas zgjedhjeve.

“Zyrtarisht nuk ka pasur bisedime për koalicionin sepse nuk mund ta bëjmë këtë para zgjedhjeve. Para zgjedhjeve duhet të bëhen koalicione parazgjedhore, se cila parti pretendon të hyjë diku, prandaj bisedimet ndodhin çdoherë para zgjedhjeve parlamentare”, ka deklaruar Shukri Buja për “Bota sot”.

Të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, partitë opozitare AAK dhe Nisma për Kosovën, kanë mohuar që në të ardhmen të mund të formojnë koalicion me PDK-në.

Image
Zëdhënësi i AKK-së, Muharrem Nitaj

AAK: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në

Zëdhënësi i AKK-së, Muharrem Nitaj, i ka quajtur teori konspirative deklaratat e tilla nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës,  duke shtuar se do të mundohen t’i fitojnë zgjedhjet vetë, por që nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.

“Sa herë që AAK ka rritje të mbështetjes, gjithmonë dalin disa njerëz dhe disa qarqe që e prodhojnë një gënjeshtër të njëfarë koalicioni ndërmjet AAK-së dhe PDK-së. Kështu po ndodhë edhe tani. Ajo që mund tu them është së AAK, deri në këtë moment, jo vetëm që nuk ka një vendim për koalicion të mundshëm me PDK-në, por as që e ka diskutuar ndonjëherë këtë çështje. Prandaj i porosis të gjithë ata që mbështetën në disa teori konspirative, që të sajojnë diçka tjetër më të besueshme, e ta lënë këtë punën e koalicionit ndërmjet AAK-së e PDK-së, se u bënë horë. E kemi deklaruar hapur dhe qartë, sa s’bën më. AAK do të provojë t’i fitojë zgjedhjet vet. Në një rast të tillë, ne do të jemi ata që do të zgjedhim partnerin, në të kundërtën koalicioni i ardhshëm as që do të varet nga ne!”, ka thënë Nitaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Deputeti nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti

Nisma: Nuk e kemi në vizion koalicionin me mazhorancën

Një koalicion të mundshëm në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës e ka mohuar edhe deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, Enver Hoti

Deputeti Hoti ka thënë se ata janë në koalicion me qytetarët dhe Aleancën dhe se në zgjedhje do të jenë fitues, ndërsa që Qeveria duhet të shkojë në shtëpi.

“Ne jemi në koalicion me qytetarët, në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, jemi boshti opozitar i cili do të jetë fitues. Jemi të bindur se mazhoranca e ardhshme parlamentare do të jetë nga opozita dhe opozita aktuale do ta drejtojë vendin në të ardhmen. Nuk e kemi në vizion opozitar që të bëjmë koalicion me PDK ose LDK. Koalicioni jonë është për shtetin për qytetarët për vendin dhe së bashku si opozitë do ta drejtojmë vendin. Qeveria duhet të shkojnë në shtëpi, të kthjellen janë me probleme të mëdha të brendshme, janë jofunksionale edhe brenda institucioneve shtetërore edhe ato partiake”, ka përfunduar deputeti i Nismës, Enver Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat