Saga e vrasjeve dhe vetëvrasjeve në Kosovë, Mjekësia ligjore e gabimeve të “qëllimshme”

Politika

Saga e vrasjeve dhe vetëvrasjeve në Kosovë, Mjekësia ligjore e gabimeve të “qëllimshme”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 7 maj 2017 Në ora: 08:35
Dafina Zhubi, Astrit Dehari dhe Enver Sopa, ilustrim nga gazeta "Bota sot"

Të premten janë bërë gjashtë muaj që kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ndërroi jetë në qendrën e paraburgimit në Prizren. Qe gjashtë muaj, familja e Astrit Deharit, por edhe qytetarët e Kosovës, po kërkojnë sqarimin e rrethanave të vdekjes së tij, pasi nuk i besojnë ekspertizës së mjeko-ligjorëve vendorë e as Prokurorisë, të cilat konstatuan se Astrit Dehari është vetëvrarë.

Tashmë, familja Dehari po pret dritën e gjelbër nga institucionet vendore, për të kërkuar ekspertizën mbi mënyrën e vdekjes së Astritit, nga një institut zviceran.

Një Institut zviceran, ka bërë ekspertizën për mënyrën se si vdiq 35-vjeçarja Dafina Zhubi, vdekjen e së cilës Prokuroria Themelore e Prishtinës e kishte cilësuar si vetëvrasje.

Prokuroria nuk flet për rastin e Dafina Zhubit

Instituti Zviceran “Forensicons”, në një raport prej gjashtë faqesh të bazuar në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, përjashton çdo mundësi që 35-vjeçarja ta ketë qëlluar vetën me armë në kokë.

I dyshuari kryesor për këtë rast Astrit Dibra, ishte liruar nga paraburgimi para disa muajve pasi prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj, erdhi në përfundim se e ndjera ka kryer vetëvrasje e jo vrasje.

Prokuroria e shtetit nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës në lidhje me këtë rast dhe se çfarë do të ndërmerret ndaj personave kompetentë që liruan Dibrën.

Saga e ekspertizave të gabuara të mjekoligjorëve ka vazhduar me rastin e vdekjes së Hamdi Sopës  ish-zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, që kishte ndodhur në janar të vitit 2013.

Image
Tomë Gashi, avokat i familjes Sopa dhe familjes Dehari

E veja e Sopës, dhe vajzat e saj, ishin akuzuar për vrasjen e familjarit të tyre. Të njëjtat ishin mbajtur për 175 ditë në qendrën e paraburgimit në bazë të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë e që kishte konstatuar se Sopa ishte vrarë.

Ekspertiza e dytë ua kishte tërhequr fajësinë Teuta Sopës dhe dy vajzave të tyre, të cilat ishin liruar nga paraburgimi për t`u mbrojtur në liri. 

Ekspertiza e tretë kishte mbrojtur atë të dytën. Ndërsa, pafajësia e zonjës Sopa dhe vajzave të saj ishte vërtetuar me ekspertizën e katërt, në të cilën kishte ekspertë nga Shqipëria. Edhe kjo ekspertizë kishte mbështetur të dytën e të tretën, ndërsa kishte hedhur poshtë ekspertizën e parë të kryer nga mjekët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Gashi: Të ndërmerren masa ligjore kundër ekspertëve që kanë “gabuar”

Tomë Gashi, avokat i familjes Sopa dhe familjes Dehari, duke komentuar këto raste për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ekspertët e mjekësisë ligjore në Kosovë që nga pas lufta kanë gabuar në tërësi me ekspertizat e tyre, qoftë nga mosdija, qoftë qëllimisht.

“Vetëm në një shtet joserioz ndodhë që vrasjet të konsiderohen vetëvrasje nga ekspertët, të cilët përveç titujve shkencorë që i kanë, mbajnë poste të rëndësishme në institute që bëjnë kësi lloj ekspertizash , ata paguhen nga gjykatat dhe prokuroritë dhe në rastet më të ndjeshme të pas luftës në Kosovë kanë dhënë mendime "shkencore" ku në tërësi kanë gabuar, qoftë qëllimisht, qoftë për shkak të mosdijes së tyre shkencore”, ka thënë Gashi.

Për Gashin, me këta ekspertë, për të cilët vërtetohet që kanë “gabuar”, siç ka thënë ai qëllimisht, do të duhej të merreshin masa ligjore.

“Dhe kjo është edhe më e dhimbshme, sepse askush nuk ndërmerr masa ligjore për t’i larguar nga ato poste ekspertët e pa dijshëm, dhe për t`i akuzuar penalisht e për t`i futur në burg ata ekspert për të cilët vërtetohet se kanë "gabuar" qëllimisht, qoftë që kanë gabuar për shkak se kanë marr lekë për ekspertiza të rrejshme me efekte juridike katastrofale, qoftë se kanë "gabuar" për shkak të ndikimeve politike tek mendimet e tyre profesionale/ ekspertizave, të cilat unë besoj se kanë ndodhur në shumicën e rasteve të profileve të larta, ku ekspertizat e vendorëve kanë konkluduar vetëvrasje, dhe ato kanë qenë vrasje, apo e kundërta”, është shprehur ai.

Sido që të jetë, Gashi ka theksuar se opinioni di për këto "gabime" të ekspertëve, vetëm në rastet e profilit të lartë që njihen për shkak të publicitetit që i është dhënë nga mediet.

“Po paramendojeni sa raste të tilla janë mbyllur ashtu siç kanë thënë ekspertët e që gjykatat nuk kanë bërë ekspertiza të tjera, qoftë edhe jashtë shtetit. Tani po bëhet thuaja se rregull që në shumë raste nuk ju besohet ekspertizave të ekspertëve vendore, sepse në shumë raste, vet këta e kanë degraduar punën e tyre”, ka potencuar avokati Gashi.

Pasojat e ekspertizave të rrejshme, katastrofale

Sipas tij, askush prej këtyre ekspertëve deri më sot nuk është përballë me pasoja të ekspertizave të rrejshme.

Ai ka theksuar se këto pasoja janë katastrofale për të përfshirët në ato raste dhe me pasoja tepër të rënda, gati fatale për besueshmërinë e sistemit juridik në Republikën e Kosovës.

Image
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

“Pyetja është ku janë prokurorët t`i eliminojnë ekspertët e tillë. Qoftë të pa dijshëm apo çfarëdo lloj që janë dhe vetëm ekspertë nuk janë”, ka theksuar ai.

Kurse,  Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për gazetën “Bota sot”, se këto raste ndikojnë drejtpërdrejtë në besimin në drejtësi.

“Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar se në rastet kur palët në procedurë penale nuk pajtohen me ekspertizën mjekoligjore të kërkojnë edhe super ekspertizë, e cila në gjykatë merret parasysh dhe është vendimtare.  Sigurisht se kur opinionit i servohen ekspertiza të ndryshme mjekoligjore për të njëjtën çështje, ndikojnë drejtpërdrejtë në besimin në drejtësi. Sidoqoftë, organet gjyqësore rastet e tilla duhet t’i trajtojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme,  me qëllim që këto raste të zgjidhen në bazë të ligjit dhe me këtë të përçojë te publiku siguri dhe besimin se gjatë trajtimit të tyre është vendosur drejtësia ne vend”, ka thënë Miftaraj për “Bota sot”.

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se në këto raste fatkeqësisht mungon arsyetimi i duhur i raporteve mjeko-ligjore.

“Ashtu siç mungon arsyetimi i duhur i aktvendimeve dhe aktgjykimeve gjyqësore, ashtu edhe raportet që dalin nga ekspertizat mjeko-ligjore (forenzike), janë të paarsyetuara mirë.  Arsyetimi jo i duhur dhe jo i plotë në drejtësinë tonë (penale) vazhdon të mbetet thembër e Akilit. Kodi i Procedurës Penale përcakton disa kërkesa dhe pyetje rreth vdekjeve mediko-ligjore, të cilave eksperti forenzik duhet t’i japë përgjigje. Në lidhje me këtë, eksperti i forenzikës në raportin e tij duhet të përcaktojë shkakun e saktë dhe mënyrën e vdekjes, kohën e vdekjes, të mbledh shenja dhe të bëjë rikonstruimin e skenës së krimit. Vetëm kur të plotësohen këto qëllime dhe objektiva të autopsisë mjeko-ligjore, raporti i tillë mund të quhet i plotë dhe kredibil”, ka theksuar avokati Gjoshi.

Gjoshi: Në Kosovë “kërcehet” në konkluzione

Sipas tij, në Kosovë, konkluzionet që vijnë nga raportet e autopsive mjeko-ligjore, nuk duket se vijnë si rezultat i një pune analitike dhe profesionale, ndërsa ka potencuar se për këto raporte lehtë mund të kërkohet përgjegjësi penale dhe profesionale.

“Në Kosovë, mund të thuhet se konkluzionet që vijnë nga raportet e autopsive mjeko-ligjore, nuk duket se vijnë si rezultat i një pune analitike dhe profesionale, por duket se “kërcehet” në konkluzione, duke i anashkaluar disa çështje fundamentale juridike dhe mjekësore. Këto anashkalime lehtë edhe mund të kërkojnë përgjegjësi profesionale dhe penale. Rastet ndaj të cilave është bërë autopsia në Kosovë, nuk kanë qenë aq sfiduese, meqë nuk kemi pasur të bëjmë me trupa të dekompozuar”, është shprehur Gjoshi.

Image
Avokati Adrian Gjoshi

Sipas tij, Institutet ndërkombëtare të mjekësisë ligjore, me teknologjinë e avancuar dhe kapacitetet e resurseve njerëzore, nuk e kanë aspak problem që të dalin me raporte të detajuara dhe të sakta, edhe nëse është nevoja të bëhet ekshumimi.

“Prokurorët duhet të kenë një rol më aktiv, ata duhet të jenë më kërkues, dhe më kritik në rastin e marrjes së raporteve në procedurën paraprake. Në qoftë se mendimi i ekspertëve për sa u përket pyetjeve bazike, është jo i qartë, jo i plotë dhe kontradiktor - duhet të insistohet të jepen përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të qarta. Pas kësaj kërkese nga prokurori i shtetit, ekspertët duhet të paraqesin të dhëna shtesë të cilat do të rrisnin besueshmërinë. Nëse edhe pas kësaj raporti mbetet i pjesshëm apo ka kundërthënie në mes të ekspertëve, sikur në rastin e Dafina Zhubit, duhet të kërkohet mendimi i ekspertëve të tjerë sipas nenit 142 të KPPK-së”, ka nënvizuar ai.

Sipas tij, diskrepanca e vazhduar në mes të raporteve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Instituteve Ndërkombëtare të Mjekësisë Ligjore, zbeh besimin qytetar.

“Humbja e besimit në institucionet e vendit, padyshim se diskrepanca e vazhduar në mes të raporteve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Instituteve Ndërkombëtare të Mjekësisë Ligjore, zbeh besimin qytetar. Për më tepër, familjarëve u shkakton viktimizim sekondar dhe rëndim në plagët e tyre. Prandaj, mjekësia ligjore në Kosovë duhet t’i përcjellë standardet dhe praktikat ndërkombëtare”, ka përfunduar Avokati Adrian Gjoshi.

Përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjore që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nuk janë përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me këtë çështje.

Një ekspert i pavarur i mjekësisë ligjore në Kosovë, duke dashur të mbetet anonim ka thënë se zgjidhja për këtë shqetësim të qytetarëve, është angazhimi i të gjithë atyre, të cilët janë specialist të mjekësisë ligjore si atyre në "qendër"  ashtu edhe atyre nga "provinca".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat