Zbardhet skenari i PDK –së, për të ndaluar Gjykatën Speciale

Politika

Zbardhet skenari i PDK –së, për të ndaluar Gjykatën Speciale

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 15 maj 2017 Në ora: 11:04
ilustrim

Diskutimi për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, mbeti në gjysmë për shkak të votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.  Disa javë para votimit të mocionit, deputetët e PDK-së kishin mbledhur nënshkrimet e nevojshme që diskutimin e ligjit për Gjykatën Speciale, që ta fusnin  si rend dite në seancë plenare. Megjithëkëtë, kryesia e Kuvendit të Kosovës, nuk e pati proceduar këtë çështje.   

Njëri nga iniciatorët e ndryshimit të ligjit për Specialen, tashmë ish deputeti Nait Hasani, kishte deklaruar për gazetën “Bota sot”, se ishte në pritje që Kryesia ta procedonte këtë ligj në seancë.  “Po pres  tash nga kryesia. Ata me duket po frikësohen që ta procedojnë për seance. Nga miqtë ndërkombëtar”, është shprehur, më herët  ai.   Por, ish deputeti Hasani nuk është përgjigjur për gazetën lidhur me atë se çka ka nënkuptuar kur ka përmendur frikën nga ndërkombëtarët.

Përpjekjet për të ndalur Gjykatën Speciale

Avokati Adrian Gjoshi, duke komentuar këtë deklaratë të ish deputetit Hasani ka thënë për gazetën “Bota sot”, se në Kosovë kanë qenë të rrallë anëtarët e subjekteve politike, të cilët kanë dalë kundër qëndrimeve të subjekteve të tyre e aq më rrallë, ndaj qëndrimeve të partnerëve strategjik ndërkombëtarë.  “Tashmë prej kohësh dihet se politikanët tanë nuk kanë qenë konformist vetëm ndaj kryetarëve të subjekteve të tyre politike, por me theks të veçantë kanë qenë konformist ndaj sugjerimeve të ndërkombëtarëve. Rrallë ka pasur raste, kur anëtarë të partive politike kanë dalë kundër qëndrimeve dhe politikave të subjekteve politike, e aq më rrallë, ndaj qëndrimeve të partnerëve strategjik ndërkombëtar. Kjo bindje dhe mosrezistencë, tregon se në Kosovë anëtarët e partive politike vështirë se mund të kenë mendime të ndara dhe po ashtu dëgjimi ndaj “këshillave” të partnerëve strategjik tregon intervencionalizmin e pastërt ndërkombëtarë në vendimmarrje”, ka thënë Gjoshi për “Bota sot”. 

Image
Adrian Gjoshi

Mirëpo, Gjoshi ka thënë se një mocion dhe një miratim potencial për plotësimndryshim e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit t? Specializuar t? Kosov?s, nga ana e Kuvendit është i vonuar, pasi sipas tij, ky forum dhe juridiksion dita ditës pritet të ngrisë aktakuzat.  “Sa i përket anës ligjore, tekniko-proceduralisht, sigurisht se, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes funksionit legjislativ ka kompetencë që të miratojë ligje. Pra, në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës, ka mundësi ta plotësojë dhe ndryshoj çdo ligj, përfshirë ligjin për Gjykatën Speciale. Çdo ditë që kalon, ose e bën të pamundshëm ose e zvogëlon mundësinë për rishqyrtim të fushë veprimtarisë së ligjit të Speciales Mirëpo, pavarësisht të lartcekurave, një mocion dhe një miratim potencial për plotësim ndryshim të këtij ligji, nga ana e Kuvendit është jokonformist dhe i vonuar, duke qenë se tashmë ky forum dhe juridiksion dita ditës pritet të ngrisë aktakuzat. Prandaj, çdo ditë që kalon ose e bënë të pamundshëm ose e zvogëlon mundësinë për rishqyrtim të fushëveprimtarisë së ligjit të speciales”, është shprehur Gjoshi.

Ligji për Gjykatën Speciale në dorë,  të legjislaturës së ardhshme

Ndërkaq, analisti Ajet Avdyli ka thënë se PDK, AAK, e Nisma mund të provojnë që t'a rikthejnë Ligjin për Gjykatën Speciale në legjislaturën e ardhshme, por që sipas tij, do të jetë shumë e vështirë që të ndryshohen gjërat apo të kthehen prapa.  “PDK, janë ata që kanë probleme me ligjin.  Gjithsesi se në kokat e tyre qarkullon mendimi se pas zgjedhjeve, nëse krijohet një Qeveri e cila do të jetë me PDK, AAK, e Nisma sigurisht se do të provojnë,  që t'a rikthejnë Ligjin për Gjykatën Speciale. Por, këtu e kanë problem, sepse ne akoma a kemi shtetin tonë të pakompletuar. I  kemi 5 shtete që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, tani Kosova akoma nuk është anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe  ky është një obligim ndërkombëtarë.

Image
Ajet Avdyli

Fare  pak mendoj se gjërat mund të kthehen prapa”, ka thënë ai. Avdyli ka theksuar, se tendencat e tilla do të ishin të dëmshme për vendin.  “Nëse pikërisht do të kishte tendenca të tilla, kjo do të ishte tepër e dëmshme për partnerët e koalicionit, por edhe për Kosovën si tërësi. Ne kemi dëgjuar  deklarata të tilla pas mocionit në Parlamentin e Kosovës, kryesisht nga ata që pritet të jenë të akuzuarit e parë në Gjykatën Speciale. E kemi prononcimin e deputetit Shaip Muja i cili, hapur doli me një kërkesë të tillë, por janë shpeshtuar kërkesat dhe deklaratat e atyre që pikërisht e kanë votuar këtë ligj”, ka thënë ai.  Avdyli ka përmendur në këtë rast edhe deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi, se Kosova e ka goxha të vështirë të përballet me Gjykatën Speciale dhe kjo gjë sipas tij, tregon dëshpërimin e atyre që e kanë votuar këtë ligj.  “Kjo na jep të nënkuptojmë se, Hashim Thaçi ka dashur të sillet mirë me bashkësinë ndërkombëtare, me qëllimin e vetëm se personalisht nuk do të përballet me këtë gjykatë. Por,  në momentin e fundit, me të mësuar lajmin se emri i tij gjendet në këtë listë, sikur në prononcimet e tij të fundit,  duket të jetë i dëshpëruar, se perse vallë e kanë miratuar këtë ligj”, është shprehur më tej Ajet Avdyli.

Specialja s ‘ka kthim pas

Image
Blerim Burjani

 

Kurse, për analistin Blerim Burjani, Gjykata Speciale është temë e mbyllur.  “Kjo është temë e mbyllur sa i përket Gjykatës Speciale,  nuk ka më gjë. Nëse veç në të ardhmen mund ketë, këso tentativash,  atëherë do të këtë edhe izolim ndërkombëtar të vendit, pra lojëra me temat tilla. Tash PDK dhe askush nga subjektet politike nuk e kanë pranuar se shkas për të shkuar në zgjedhje ka qenë Gjykata Speciale dhe fillimi i punës së kësaj gjykate. Madje e kanë mohuar kategorikisht, pra del të jetë vetëm Demarkacioni këtu diçka e madhe është zi dhe po zihet pa ndonjë transparence publike”, ka thënë ai.  Burjani ka theksuar, se këto zgjedhje kanë dëmtuar mjaft shumë Kosovën.  “Humbën tre vjet pa zgjidhje të gjitha punët mbeten në gjysmë, prandaj kjo është e papranueshme. Këto zgjedhje nuk shohin si të dobishme për qytetarët e vendit”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat