Demarkacioni, liberalizimi e Asociacioni, çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve?

Politika

Demarkacioni, liberalizimi e Asociacioni, çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 maj 2017 Në ora: 13:50
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka rrëzuar Qeverinë Mustafa pas mocionit për mosbesim të ngritur nga opozita e që u votua edhe nga PDK-ja, e cila ishte në koalicion qeveritar me LDK-në.

Data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është caktuar më 11 qershor nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sipas opozitës zgjedhjet janë rrugëdalje për zgjidhjen e proceseve të rëndësishme të vendit.

Mirëpo të njëjtin mendim nuk e ndan edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila thotë se vetëm  nëse ata do të fitojnë do të ketë zgjidhje të problemeve në Kosovë.

Me LDK-në, ditë të mira për Kosovën

Këshilltari i Kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, thotë se nëse ata do të dalin të parët do të ketë zgjidhje problemesh, përndryshe nuk ka ditë të mira për Kosovën.

Image
Bajram Gecaj nga LDK-ja

“Zgjidhje të proceseve të rëndësishme për Kosovën, zgjidhje problemesh në Kosovë do të ketë vetëm nëse LDK-ja del e para, përndryshe nuk shoh ditë të mira për Kosovën”, shprehet Gecaj.

Ndërsa, partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se zgjedhjet janë në të mirë të Kosovës, sepse qeverisja e kaluar nuk i ka realizuar premtimet e bëra, nuk ka hapur vende të reja pune, por sipas tyre edhe ka qenë e dëmshme në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe qytetarët.

Vetëvendosje: Qeverisje e dobët

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, thotë se e vetmja rrugëdalje për t’u liruar nga qeverisja e cila e ka kapur shtetin kanë qenë zgjedhjet, prandaj ata presin zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Image
Shkodran Hoti nga Vetëvendosje

“Zgjedhjet janë gjithsesi në të mirë të Kosovës,  sepse në krye të shtetit e kemi pasur një qeveri e cila ka qenë e dëmshme edhe në krye me marrëveshjet që janë arritur, apo më mirë të themi ato që kanë dashur t’i çojnë përpara, zajednicën dhe demarkacionin. Por, edhe sa i përket premtimeve të parealizuara, në lidhje me vendet e punës, në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe në përgjithësi në lidhje me qytetarët. Pra, kemi pasur një qeverisje të dobët, një qeverisje e cila e ka pasur një agjendë antishtetërore dhe antikombëtare prandaj e vetmja rrugë për tu çliruar nga kjo qeverisje e cila edhe e ka kapur shtetin me pushtetin e saj kanë qenë zgjedhje dhe ne presim zgjedhjet e lira dhe demokratike në të cilat dalim si subjekti i pare”, shprehet Hoti.

Hoti vlerëson se zgjedhjet nuk mund t’i zgjidhin proceset e rëndësishme vetëm, por është me rëndësi kush i fiton ato.

“Zgjedhjet vetëm nuk mund t’i zgjidhin proceset e rëndësishme, ka shumë rëndësi kush i fiton ato. Ne presim që në qeverisjen e ardhshme të mos i kemi të dy partitë të cilat kanë udhëhequr deri tash, presim që ta kemi një qeverisje të re e cila e ruan pikë së pari shtetësinë e Kosovës, e ruan sovranitetin, integritetin territorial dhe e cila është e përkushtuar drejtësi në vend, për të ndihmuar ekonomikisht vendin dhe për të krijuar barazi sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, pohon Hoti.

Sipas Hotit, pavarësisht mandatit qeverisës demarkacioni dhe asociacioni nuk duhet të kalojnë. Ai i quan marrëveshjet e vdekura.

 “Edhe demarkacioni edhe asociacioni janë marrëveshje të vdekura. E para është marrëveshje e cila prek rënd integritetin territorial të vendit dhe mendoj që goditjen përfundimtare e ka marrë më 1 shtator të vitit të kaluar, domethënë kjo marrëveshje nuk është ratifikuar në kuvend dhe e vetmja mundësi për këtë marrëveshje është të kthehet në pikën zero, të rishikohet e tëra. Sa i përket zajednicës mendoj që është një projekt shovinist i Beogradit i cili përveç se e dëmton të ardhmen e Kosovës sepse hijëzon themelet e boznjëzimit të saj. Ky projekt serb është vërtetuar edhe nga kushtetuesja që shkelë kushtetutshmërinë sepse shkel 23 nene të kushtetutës, prandaj ky projekt nuk duhet të kalojë në asnjë mandat qeverisës”, thekson Hoti.

I pyetur se sa është në gjendje ta përballojë buxheti i Kosovës zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke e ditur që këtë vit do të mbahen edhe zgjedhjet lokale, Hoti shprehet se buxheti nuk dëmtohet nga zgjedhjet, por nga vjedhjet që bëhen në vend.

Sipas Hotit, nuk duhet të ngritët si shqetësim se sa kushtojnë zgjedhjet, por duhet të shikohet ajo se çfarë sjellin këto zgjedhje.

“Buxheti i Kosovës nuk dëmtohet nga zgjedhjet, buxheti dëmtohet nga hajnitë që bëhen në këtë vend. Zgjedhjet e kanë një kosto, por qytetarët kanë paguar një kosto më të madhe duke e pasur një qeveri  siç e kanë pasur në pushtet. Prandaj, pavarësisht kostove që mund të kushtojnë mijëra euro, nevoja për ta ndryshuar këtë qeveri  ka qenë më primare. Prandaj, nuk duhet ta ngrisim si shqetësim se sa kushtojnë zgjedhjet,  por realisht duhet të shikohet çfarë na sjellin këto zgjedhje. Nëse do të pytesha unë mund të them se këto zgjedhje do të shkaktojnë një tërmet në skenën politike dhe do të dalin në opozitë dy partitë që i kanë kapur institucionet dhe çdo gjë brenda këtij shtetit”, përfundon Hoti.

Zgjedhjet në të mirë të Kosovës

Se zgjedhjet janë në të mirën e Kosovës, vlerëson edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Image
Anton Berisha nga AAK-ja

Sipas AAK-së, mbetet në dorën e qytetarit nëse do të zgjidhen proceset e rëndësishme në vend.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Anton Berisha thotë se zgjedhjet janë në të mirë të vendit, sepse ai ka qenë i bllokuar në vendimmarrje.

“ Natyrisht se janë zgjedhjet në të mirë të Kosovës. Vendi ishte i bllokuar në vendimmarrje ngase qeveria nuk merrte vendime. LDK kishte problem me veten, ngase qëndrimet e kryeministrit nuk i përkrahnin të gjithë deputetët  e LDK-së, e ne anën tjetër PDK e LDK në vend që  të  udhëhiqnin vendin ata sabotonin njeri- tjetrin, rrjedhimisht sabotonin shtetin”, shprehet Berisha.

Pyetur se nëse zgjedhjet do të zgjidhin proceset e rëndësishme që kanë mbetur në gjysmë, Berisha thotë se kjo mbetet në duart e qytetarëve.

“Kjo mbetet në duart e qytetarëve. E shihni çfarë po ndodh. LDK tash zhvillon biseda me VV, pra me kundërshtarët më  të  ashpër  të saj. Pas krizës që  shkaktoi me PDK- në tash duan të krijojnë  situatën e koalicionit me një  kundërshtar tjetër. Rezultati do të  jetë  i njejtë, bllokim i vendit dhe luftim i njëri- tjetrit në qeveri. Kjo është papërgjësi totale”, pohon Berisha.

Ai thotë se liberalizmi do të ndodh pas zgjedhjeve dhe duhet të korrigjohet demarkacioni me Malin e Zi.

“ Duhet që shenjësimi i vijës kufitare të korrigjohet, të luftohen fenomenet negative dhe të ketë masa të ashpra në funksion të  rendit dhe ligjit”, thekson Berisha.

Sipas tij, shpenzimet e zgjedhjeve nuk janë asgjë në krahasim me pasojat që ka pasur vendi.

“Vendi edhe ashtu është  i bllokuar dhe duke humbur me këtë bllokim,  prandaj shpenzimet rreth zgjedhjeve nuk janë  asgjë në krahasim me pasojat e kësaj gjendjeje. Vendi duhet të ecën përpara”, shprehet më tej Berisha.

Zgjedhjet opsioni i vetëm për zgjidhje të krizës

Se zgjedhjet kanë qenë opsion i vetëm për zhbllokim të proceseve politike në vend, e pohon edhe analisti politik Kushtrim Gashi.

Image
Analisti Kushtrim Gashi

Gashi, thotë se zgjedhjet janë vonuar por pas atyre shumë proceset politike do të ecin përpara.

“Çdo herë kur i kthehesh bazës, pra qytetarëve është zgjidhja ma e mirë e mundshme. Në rastin e Kosovës skenari me real dhe me i duhur ka qenë shkruarja e vendit ne zgjedhje të jashtëzakonshme. Përndryshe zgjedhjet janë vonuar dhe kanë qenë opsioni i vetëm për zhbllokimin e proceve politike në vendin tonë. Pas mbajtjeve të zgjedhjeve shumë procese politike do të ecin para dhe demarkacioni do të ratifikohet nga vetë AAK-ja, por me një version paksa ma ndryshe sepse AAK bashkë me PDK do të udhëheqin vendin mandatin e ardhshëm”, shprehet  Gashi.

Skenar i njëjtë edhe pas zgjedhjeve

Mirëpo njëjtë nuk mendon edhe analisti politik, Blerim Burjani.

Sipas Burjanit, pas zgjedhjeve do të mbetet përsëri skenari i njëjtë, do të ketë përsëri konflikte.

Image
Blerim Burjani

“Problemet do të mbeten të njëjta, pa ndryshim fare, do të përsëriten dhe do të ketë serisht konflikte. Do të ketë sërisht konflikte ndërmjet cilido koalicon që do të formohet prej këtyre subjekteve politike të cilët kanë sjellë mjerim institucional dhe jo liberalizim. Do të ketë ngërç politik të pa tejkalueshëm. Ndoshta vendi  duhej të kishte një qeveri teknike të parakohshme e cila do t’i zgjidhte  disa problemet të rënda të shkaktuara nga kjo klasë politike pozitë dhe opozitë konfliktuoze, e pakuptimtë dhe grabitqare”, shprehet Burjani.

Ai thotë se është e kotë të shkohet në zgjedhje sepse nuk do të ketë zgjidhje.

“Është e kotë të shkohet në zgjedhje sepse këto zgjedhje nuk do të ofrojnë fare zgjidhje, por ngërç politik, konflikt, pasiguri institucionale dhe problem të tjera ekonomike. Pra, ky ishte gabim fata për interesin e qytetarëve shkuarja në zgjedhje. Asgjë  qytetarët nuk fitojnë prej tyre, humbën  kotë tri vjet, për shkak të mos bashkëpunimit ndërmjet vete. Për shkak  të kësaj klase politike qytetarët mbeten pa liberalizim të vizave, pa zhvillim ekonomik, pa mbrojtje shëndetësore. Qytetarët shumë pak janë të interesuar për këtë klasë politike absurde të cilët bëjnë lojëra kush është patrioti, prandaj në këto zgjedhje do të bie numri i daljes së qytetarëve në zgjedhje”, përfundon Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat