Kush është kandidati i LDK-së për kryeministër që do ta “rrëzoj” PDK-në?

Politika

Kush është kandidati i LDK-së për kryeministër që do ta “rrëzoj” PDK-në?

Nga: Ahmet Pllana Më: 15 maj 2017 Në ora: 21:28
Foto ilustrim

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë caktuar që të mbahen me 11 qershor të këtij viti, dhe kur kanë mbetur më pak se një muaj kur do të mbahen në Republikën e Kosovës, ende Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur kandidatin e saj për kryeministër, ku lideri i LDK-së, Isa Mustafa theksoi se do t’i hap rrugë një kandidati tjetër për kryeministër.

Pasi që zgjedhjet janë afër, më 11 qershor të këtij viti, atëherë edhe subjektet politike janë në vlugun e zgjedhjes së kandidatëve në listat zgjedhore. Zgjedhje këtu që erdhën pas “tradhtisë” që Kadri Veseli, me subjektin e tij PDK-në ia bën LDK-së dhe kryeministrit Mustfa, e ku me votimin e mocionit të opozitës u rrëzua Qeveria Mustafa.

Secili subjekt politik, përpiqet që sa më shpejt të kryej këtë obligim partiak, në mënyrë që me listat zgjedhore të jenë të gatshëm për fillimin me sukses të zgjedhjeve. Shtrohet pyetja, kush do të jetë kandidat për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK? Akoma është herët për këtë çështje, prandaj edhe emrat e lakuar për të cilët është përfolur se do të jenë kandidat të mundshëm në listat zgjedhore për kryeministër të Republikës së Kosovës, mbeten të fshehur deri në marrjen e vendimeve definitive te subjekteve politike.

Në bazë të burimeve të gazetës “Bota sot”, Avdullah Hoti e ka përkrahjen e kryetarit Isa Mustafa për kandidat për Kryeministër, por kjo pritet të vendoset në kryesi. Kryesia ia dërgon pastaj këshillit dhe më pas zyrtarizohet. Pritet të shihet nëse Këshilli i Përgjithshëm do ta përkrah Avdullah Hotin që ai të jetë kandidat për kryeministër.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk flasin për kandidatin e mundshëm për kryeministër. Rreth kësaj çështjeje ato nuk japin asnjë shpjegim, përkatësisht nuk japin koment.

Kështu u përgjigj edhe Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Ai për gazetën “Bota Sot” përmes telefonit u përgjigj shkurtë. “Sa i përket kandidimit për kryeministër nga radhët e LDK-së, nuk prononcohem për publik!”, tha Gashi.

Po ashtu edhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka zbuluar se kush është kandidati favorit brenda LDK-së për kryeministër.

“Kandidati i ardhshëm duhet të ketë disa parametra – duhet të jetë pjesë e LDK-së, i pranueshëm për elektoratin tonë dhe ai kandidat duhet të jetë fitues i zgjedhjeve, sepse ne çdo ditë presim t’i fitojmë zgjedhjet”, ka theksuar sot Arban Abrashi.

Ndërsa, sipas analistit Agim Vuniqi, tërheqja e liderit të LDK-së nga pozita e preferuar e kryeministrit nga lista e kandidatëve të mundshëm po vëhet si standard i pranueshëm dhe i domosdoshëm në politikën foshnjarake të Kosovës.

 “Andaj, ky reflektim pozitiv i Isa Mustafës nuk është i mjaftueshëm, ngase listat zgjedhore duhet të freskohen me kandidatë të rinj. Në to nuk do të duhej të kishte më vend për Sabri Hamitin, Agim Veliun, Skender Hysenin, Lutfi Hazirin, Ismet Beqirin e shumë të tjerë, ata dështuan dhe janë harxhuar politikisht”, ka thënë Vuniqi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat