"KQZ-ja po ua mohon të drejtën e votës diasporës"

Politika

"KQZ-ja po ua mohon të drejtën e votës diasporës"

Nga: H.O. Më: 23 maj 2017 Në ora: 18:06
KQZ

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë për “Bota sot” se është KQZ-ja ajo që po pengon diasporën për të votuar. Sipas tij, KQZ-ja po ia pamundëson votimin përmes pengesave teknike.

“Pengimi për të votuar është krim zgjedhor, ndërsa mohimi më brutal i të drejtës së votës është pamundësimi për t'u regjistruar përmes pengesave teknike. Gjatë këtyre tetë ditëve kam pranuar e këmbyer qindra mesazhe, emaila e telefonata nga mbarë bota, përmes të cilave, votuesit nga mërgata më drejtonin pyetje për sqarime që nuk i merrnin askund në KQZ, vërejtje e denoncime për rënien e serverit e dështimin për të dërguar aplikacionet përmes emailit, mungesën e informacioneve e afatet e shkurtra”, thotë Rrustemi.

Sipas tij, në vend se KQZ të ishte udhërrëfyes dhe të ju shërbente votuesve, ajo u bë qerdhe e krimit zgjedhor.

“Përtej përgjegjësisë institucionale e politike, ishte përgjegjësia qytetare për të dhënë informacione, sqarime e për t’ia lehtësuar mërgatës pjesëmarrjen në zgjedhje. Entuziazmi i tyre për ta parë Kosovën ndryshe dhe ashtu siç e meriton të skuqte pashmangshëm nga papërgjegjësia totale e KQZ-së. Kështu, në vend se t’ju shërbente votuesve, KQZ-ja ua mohojë mijëra bashkatdhetarëve të drejtën kushtetuese të votës, duke u bërë qerdhe e krimit zgjedhor”, thotë Rrusteni për “Bota sot”./BS

ImageAdnan Rrustemi
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat