Kurti: Më 11 qershor do t’iu vijë fundi të korruptuarve

Politika

Kurti: Më 11 qershor do t’iu vijë fundi të korruptuarve

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 13:38
Albin Kurti në Ferizaj

Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore të shtunën mbajti një tubim elektoral me qytetarët e Ferizajt. I nominuari për kryeministër nga radhët e kësaj Lëvizjeje, Albin Kurti, tha se qytetarët e Ferizajt meritojnë shumë më mirë, pasi që pas luftës qeverisjet e ndryshme e kanë korruptuar Ferizajn dhe gjithë popullin.

“Më 11 qershor duhet t’i vijë fundi këtyre të korruptuarve. Si pasojë e mos punës sot kemi sindikata pa punëtorë, shkolla pa arsim, aq shumë punë të pa kryera, aq shumë gjëra për të ndryshuar. Vetëvendosje është edhe zgjidhje, edhe zgjedhje. Në vendet e zhvilluara hajnat shkojnë në burg, por asnjëri prej tyre nuk guxojnë të thonë, sepse vetë janë të përfshirë në hajni. Vetëvendosje është e vendosur se hajnat duhet të shkojnë në burg dhe të pafajshmit duhet të mbrohen. Me hajna nuk ka shtet, pas 11 qershorit do të kemi shtet pa hajna”, ka thënë Kurti.

Image

Ndërsa Faton Topalli shprehu bindjen se Ferizaj do të di se kë do të votojë dhe se do të jetë me Lëvizjen Vetëvendosje, në mënyrë që më 11 qershor t’i thotë stop korrupsionit.

“Na e shitën pasurinë dhe e shkatërruan ekonominë, por ne do t’ia kthejmë popullit”, u shpreh ai.

Ndërsa kandidati për deputet Glauk Konjufca tha se qytetarët po e kuptojnë se ende ka njerëz të drejtë dhe të pa korruptuar, e këta janë njerëzit e Vetëvendosjes.

Image

“Vetëvendosje do t’ia kthejë Kosovës shpresën dhe të ardhmen, do t’ia kthejë drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik. Klani prono dhe klani Mustafa duke punuar vetëm për vete kanë shkaktuar eksodin e madh të rinisë duke lëshuar Kosovën. Populli do ta sjellë me votën e vet në qeverisje Vetëvendosjen dhe ne Lëvizja Vetëvendosje do t’ia kthejmë perspektivën Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit garon si subjekt i vetëm politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat