Kandidatët me probleme me ligjin kërkojnë votën e qytetarëve

Politika

Kandidatët me probleme me ligjin kërkojnë votën e qytetarëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 4 qershor 2017 Në ora: 15:47
Kuvendi i Kosovës, foto ilustrim

Kosova sërish mund të udhëhiqet nga njerëz që kanë probleme me ligjin, të korruptuar, të ndaluar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Këtë na e dëshmuan listat e partive politike me kandidatët për deputetë. Në këto lista me dhjetëra kandidatë kanë probleme me ligjin, por zyrtarët partiakë e mohojnë këtë.

Kështu nga Partia Demokratike e Kosovës nga lista e kandidatëve për deputetë Elmi Reçica, Zenun Pajaziti e Besim Beqaj janë nën hetime apo akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Poashtu nga ky koalicion, PDK-AAK-Nisma, janë edhe disa emra që synojnë karrigën e deputetit, por që emrat e tyre janë lakuar nga gjykata.

Kështu, kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ende përballet me rastin për kohën kur ishte ministër i Transportit dhe Telekomit, ndërsa, bashkëpartiaku i tij, Haxhi Shala akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës.

Nga partia tjetër që synon bashkëqeverisjen, Pal Lekaj ish-shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, është përballur me aktakuzë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i komunës së Gjakovës, por ditë më parë Gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

Kandidatja e PDK-së: Ata që kanë probleme me ligjin dhe korrupsionin nuk janë miq të mi

Por të kontaktuar nga “Bota sot”, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë mohuar të kenë njerëz të tillë, që kanë probleme me ligjin.

Image
Drita Kadriu

Ish-deputetja dhe kandidatja e PDK-së për legjislaturën e re, Drita Kadriu duke mohuar se në partinë e saj ka njerëz me vepra penale, ka thënë se ata që kanë problem me ligjin dhe korrupsionin nuk janë në të njëjtën listë me të.

“Unë flas për veten time si figura më e pastër në mesin e shumë figurave të pastra në listën për deputet. Ata që kanë probleme me ligjin dhe korrupsionin nuk janë miq të mi”, ka thënë Kadriu për “Bota sot”.

Nga koalicioni tjetër LDK-AKR-Nisma është vetëm një kandidat me problem me ligjin. Naser Osmani, ish-deputet i LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, në legjislaturën e fundit po ashtu akuzohet nga Prokuroria e Kosovës, ndërsa tani gjendet përsëri në listën për deputetë nga kjo parti.

Më së shumti njerëz që kanë problem me ligjin, janë aktivistët e Lëvizjës Vetëvendosje, të arrestuar, të ndaluar apo edhe të paraburgosur në protesta të ndryshme.

Kështu, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Aida Dërguti, Faton Topalli, Donika Kadaj-Bujupi, Ismajl Kurteshi, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, e Glauk Konjufca i akuzuar për dëmtim të veturave të EULEX-it, janë ish-deputetët e VV-së, të cilët poashtu janë përsëri në listën për t’u zgjedhur deputetë.

Vetëvendosje: Përndjekja e zyrtarëve tonë nëpër gjykata, politik

Kandidatja për deputete nga kjo parti Shqipe Pantina, ka thënë se në listën e Vetëvendosjes nuk ka njerëz të tillë.

Image
Shqipe Pantina

“Kjo është një pyetje shumë e lehtë për t’u përgjigjur, sepse e dinë të gjithë që VV nuk ka njerëz të korruptuar, në fakt ne me gjithë qenien tonë jemi të përkushtuar ta luftojmë korrupsionin dhe krimin”, ka thënë Pantina për “Bota sot”.

Në arrest shtëpiak ndodhen edhe tre kandidatë për deputetë nga Vetëvendosja, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Ibrahimi.

E kontaktuar nga “Bota sot”, kandidatja për deputete nga Vetëvendosja, Adea Batusha aktualisht në arrest shtëpiak, ka thënë se ndalimi i saj dhe i dy bashkëpartiakëve të saj, Egzon Ibrahimi dhe Atdhe Arifi, po bëhet për arsye politike, nga një pushtet që akuzohet për krime ekonomike dhe korrupsion.

“Është e vërtetë që unë dhe tre aktivistët tjerë që vazhdojmë të mbahemi në arrest shtëpiak, jemi poashtu kandidatë për deputetë. Por, dallimi është që ne jemi të përndjekur nga ky regjim tash e 9 muaj për një rast të kulluar politik, ndërkohë që kemi kandidatë të pushtetit të cilët akuzohen për krime ekonomike e korrupsion. Pra, ne privohemi nga liria për shkak të një procesi gjyqësor, i cili ligjërisht ka qenë i humbur nga fillimi, dhe lirimi ynë varet komplet nga klima politike”, ka thënë Batusha.

Image
Adea Batusha

Ajo ka theksuar se kandidimi i tyre nuk bie ndesh me ligjin, por me planet e pushtetarëve për kapjen e shtetit.

“Ne besojmë që jemi zëri i atyre të cilët kanë hasur në padrejtësi gjatë tërë jetës, dhe ne jemi ata të cilët këta pushtetarë që vazhdojnë të kryejnë krime e që nuk dalin para drejtësisë, do t'i çojmë në burg. Prandaj kandidimi ynë nuk bie ndesh me ligjin, po bie ndesh me planet e tyre për ta kapur edhe më tutje shtetin e Kosovës”, është shprehur ajo.

Edhe kandidati për deputet Faton Topalli, tha për "Bota sot" se ai nuk probleme me ligjin. Ai është i përndjekur politik, sikurse në regjimin serb.

Image
Faton Topalli

"Unë jam i përndjekur politik, por jo i dënuar. Për shkak të angazhimit tim kundër pushtetit serb në Kosovë kam qenë i përndjekur politik edhe nga regjimi serb. Arsyet e përndjekjes aktuale janë të njëjta. Sipas ligjeve tona askush nuk konsiderohet fajtor, derisa fajësia e tij nuk është vërtetuar nga gjykata", thotë Topalli.

Hasani: Jam i pastër

Ndërsa, Nait Hasani, i cili ishte akuzuar për deklarim të rrejshëm të pasurisë, sikurse edhe Duda Balje e Hetem Arifi, ka thënë se tani është totalisht i pastër dhe nuk ka ndonjë aktakuzë ndaj tij.

“Unë kam vendim të gjykatës si i pasfajshëm dhe është kry moti, që sa vite. Prandaj nuk kam kurrfarë ankese me ligjin. Këto mund të verifikohen në Agjencionin Anti Korrupsion në gjykatë”, ka thënë  Hasani për “Bota sot”.

Qeveria Mustafa, pa afera korruptive

Ndërsa, sipas njohësit të çështjeve politike, Leon Duhanaj, qeverisja e vendit në Kosovë, ka qenë e dënuar të qeveriset nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke filluar nga administrata shumë e korruptuar e UNMIK-ut, për të vazhduar më pastaj me qeveritë vendore, të cilatsiç ka thënë ai, e vazhduan korrupsionin me ritëm të njëjtë.

Image
Leon Duhanaj

“Normalisht që duke qenë pjesë e një këso trashëgimie, është është vështirë të besohet që në këtë vend, ndonjëherë, mund të ndodhin ndryshime rrënjësore pozitive. Megjithatë, duhet të kuptojmë edhe kontekstin në të cilin gjëndet Kosova. Tranzicioni i cili po mbretëron jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin, është dëshmi e mentalitetit jo shtetformues. Gjithashtu, duhet ta kemi parasysh se edhe për sa i përket qeverisjes, kemi patur ndryshime graduale, diku me shumë e diku me pak, por ka ndryshime pozitive”, ka theksuar ai.

Duhanaj ka thënë tutje se Qeveria e fundit edhe pse kishte shumë sfida në ekzekutiv, në zhvillimin dinamik, nuk kishte ndonjë aferë korruptive, të paktën jo të dëshmuar.

“Pra, këtu duhet t'i shohim me pozitivitet. Si shenja inkurajuese për të ardhmen. Është e vërtetë që në kuadër të listave të kandidatëve për deputetë, ka edhe njerëz të inkriminuar. Por, po besoj që në këtë mes, ka edhe të tjerë, që janë ekspert të mirë, të cilët mund t'i jenë një ndihmë e mirë Kosovës. Duhet të besojmë dhe shpresojmë, në radhë të parë tek votuesit, që t'i fuqizojnë me votë njerëzit e mirë. Më pastaj të shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve, të kemi një qeveri të fortë, kredibile, e bazuar në profesionalizëm dhe ekspertizë, e cila do ta rrisë edhe dinamikën e të qeverisurit, pasi që Kosova është shumë prapa dhe i duhet shpejtësi e shumëfishtë për t'i ndjekur hapat e duhur në hap më kohën e duhur”, ka vlerësuar Duhanaj.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 11 qershor. Në këto zgjedhje Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, por edhe faktori ndërkombëtar, sidomos SHBA e Britania e Madhe kanë bërë thirrje që në listat për deputetë të mos ketë persona që kanë probleme me ligjin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat