Limaj në Drenas: Nuk bëjmë kompromise me parime

Politika

Limaj në Drenas: Nuk bëjmë kompromise me parime

Më: 4 qershor 2017 Në ora: 20:21
Fatmir Limaj

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka marrë pjesë në një takim me anëtarë e simpatizantë të kësaj partie në Drenas.

Nga qendra atje, Limaj kërkoi angazhim maksimal për zgjedhjet e përgjithshme, në mënyrë që kjo të definojë edhe ato lokale.

“Është shumë i rëndësishëm angazhimi jonë për të përcaktuar zhvillimet e nëntorit ndaj ju lutëm të gjithëve të punoni për projektin e Nismës. Në këtë garë nuk është individi, është projekti i Nismës,” tha Limaj.

Limaj kërkoi të votohen kandidatët tjerë e jo ai, pasi siç tha e ka vendin e sigurt në Kuvend.

“Ju lus t’i votoni këta katër njerëz që janë këtu, unë e di që jam deputet. S’kam çka bëj vetë aty në parlament.”

Nga qyteti i Drenasit, kandidati për deputet përsëriti arsyet pse duhet votuar partia e tij.

Sipas Limajt, prioriteti i parë i Nismës është arritja e barazisë sociale.

“N’Drenicë e n’Drenas posaçërisht kemi familje shumë që nuk e kanë asnjë të punësuar , marrin social. Pabarazia duhet të ndalet këtu. Për tri vitet e ardhshme as në Drenas as në Kosovë nuk do të jetë asnjë familje në Kosovë që s’e ka së paku një të punësuar.”

Para drenicasve Limaj përmendi edhe dy synimet tjera të Nismës, nëse PDK-AAK-NISMA merr pushtetin.

“Prioriteti tjetër është bujqësi. Jo me sera më, jo sera gjashtë muaj ditë edhe mirupafshim, jo 100 euro për 1 hektar grurë. Ato janë ndihma sociale për bujqësi. Jo 1000 euro për një hektar pemë, po 50 mijë euro. Ata që kanë vendosë me u marrë me bujqësi me i mbështetë fuqishëm, ata që merren me pemëtari me i mbështetë fuqishëm.”

“Ka ardhë koha për një qeveri reformatore, e reforma më e madhe që duhet me u bë është reforma e drejtësisë.  Kosova praktikisht ka një sistem të kapur.”

“Të gjitha ata gjyqtarë, prokurorë që kanë punuar në kohën e regjimit të Millosheviç nuk mund të punojnë në gjykatat e Kosovës, le të shkojnë në pension,” vazhdoi Limaj.

E ndonëse kjo parti para zgjedhjeve i bashkoi forcat me AAK-në e PDK-në, Limaj tha se do ju qëndrojnë besnik parimeve të partisë.

“Ministrat tonë të Nismës, deputetët tone, do të jenë aty m’i nejt mbi kry që kërqysh në asnji variant nuk guxon me rrëshqitë prej vizonit për t’cilin jemi marrë vesh, çfarëdo tërheqje nga ai vizon nuk ka mbështetje të Nismës”.

“Ne nuk bëjmë kompromise me parime”, përfundoi Limaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat