A mund të “shkatërrohet” koalicioni PAN?

Politika

A mund të “shkatërrohet” koalicioni PAN?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 qershor 2017 Në ora: 07:56
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Zgjedhjet e 11 qershorit nxorën fitues koalicionin PAN me 33.92 për qind, e pasur nga Lëvizja Vetëvendosje me 27.16, ndërsa që i treti u rendit koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.79 për qind të votave. Një rezultat i tillë nuk i mundëson asnjërit koalicion apo parti që të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se nevojitet një periudhë kohore prej tre javësh, për të publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zërat për formimin e Qeverisë nga koalicionet kanë qenë të ndryshme. Madje, ka pasur zëra se opozita mund të bashkohet dhe të formojë Qeverinë, duke lënë në opozitë PDK-në dhe LDK-në, parti që deri tash kanë qeverisur vendin.

Image
Bali Muharremaj

“AAK do të qeverisë bashkë me PDK-në dhe Nismën”

Lidhur me një mundësi të tillë, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar zyrtarë të AAK-së dhe Nismës, të cilët kanë hedhur poshtë mundësinë për bashkimin e tyre me Vetëvendosjen, me të cilën ishin në opozitë në mandatin e kaluar qeverisës.

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka mohuar se mund të prishet koalicioni me PDK-në dhe t’i bashkohet VV-së, derisa ka shtuar se AAK është bashkë me Nismën dhe PDK, dhe si të tillë do të qeverisin

“Qëndrimi jonë është se jemi parti shtetformuese dhe asnjëherë nuk e tradhtojmë askënd. Jemi bashkë me PDK-në dhe Nismën dhe vazhdojmë bashkë në rrugën për formimin e Qeverisë. Të gjitha partitë që duan ta shohin këtë vend siç është më së miri, që të ketë vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik, i bashkohen Aleancës dhe liderit të Aleancës, Ramush Haradinajt. Ndryshe, Aleanca dhe Nisma nuk ndahen nga Partia Demokratike dhe të shkojnë në parti tjera. Ne jemi bllok, kemi hyrë në zgjedhje bashkë, do të vazhdojmë në qeverisjen e shtetit bashkë”, ka deklaruar Muharremaj.

Image
Enver Hoti

Një gjë të tillë e ka mohuar edhe kandidati për deputet nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti, i cili shkurt ka thënë se as nuk po e mendojnë një gjë të tillë.

“Vetëm një mundësi e kemi tash për tash, që t’i presim rezultatet. Jo nuk kemi bisedime. As që po na bie ndërmend për atë punë”, është shprehur Hoti për gazetën “Bota sot”.

Qeveria e ardhshme nga VV dhe LDK-AKR-Alternativa

Ndërsa, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Nexhat Haziri, edhe pse mendon se do të ketë thyerje të koalicionit PAN, nuk sheh mundësi të bashkimit të opozitës.

Image
Nexhat Haziri

“Se do të këtë thyerje në mes partnerëve që e përbëjnë koalicioni aktual PAN, kjo tashmë është vetëm çështje momenti se kur do të ndodhë kjo përplasje. Sa i përket mundësisë së ndonjë bashkimi të pozitës, nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës, nuk e besoj, pasi këto parti i ndanë rrugët e tyre me zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, sidomos AAK-ja, e cila zgjodhi PDK-në për të bërë koalicion parazgjedhor. Ndoshta NISMA, edhe pse është akoma pjesë e PAN-it, edhe mund t’i bashkohet VV-së në koalicionin qeverisës, por jo edhe AAK-ja, pasi dimë për kërkesën maksimaliste të liderit të kësaj partie z.Ramush Haradinaj që ai të jetë kryeministër i qeverisë së ardhshme. Dhe një kërkesë të tillë të z. Haradinaj, së paku në këto ditë nuk shohim një disponim nga VV-ja për ta pranuar”, ka deklaruar Haziri.

Më tej, ai ka shtuar se Vetëvendosje do të mund të udhëhiqte me vendin, bashkë me koalicionin LDK-AKR-Alternativa.

“Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës, më shumë gjasa do të udhëhiqet nga VV-ja, si parti që doli e dyta nga procesi i zgjedhjeve, me kryeministër Albin Kurtin dhe në një koalicion me LDK, AKR dhe Alternativën, e që mendoj se do të ishte një koalicion i qëndrueshëm për t’i sjellë Kosovën një stabilitet të brendshëm politik dhe një funksionim stabil të institucioneve të Republikës. Unë shoh se koalicioni PAN, ka më shumë gjasa që si i tillë të kalojë në opozitë”, është shprehur Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat