Kush dhe si duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë?

Politika

Kush dhe si duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 qershor 2017 Në ora: 15:53
Foto arkiv, Bisedimet Kosovë - Serbi në Bruksel

Dialogu Kosovë- Serbi  ende nuk ka rifilluar që pas ndërprerjes që ishte bërë me kërkesë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës pas miratimit të një rezolute si shenjë proteste për arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt në Francë me një urdhërarresti të shtetit serb.

Gjersa, dialogu me Serbinë ishte paraparë të rifillojë në muajin mars, ambasadorja e Francës në Beograd, Christine Moro,  ditë më parë ka kërkuar vazhdimin e dialogut.

Ndërsa, sipas analistëve dhe zyrtarëve politikë në Kosovë, dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga shteti serb.

Image
Lutfi Haziri

Të formatohet dialogu me Serbinë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se dialogu me Serbinë duhet të rishikohet, duhet të formatohet, të bëhet agjenda e  tema të qarta si dhe përfundimi i tij.

“Dialogu është i vetmi mekanizëm dhe e vetmja mundësi që e ka Kosova për normalizim të marrëdhënieve me shtetet fqinje. Këtu përfshihet edhe dialogu i Brukselit me Serbinë. Duhet të rishikohet procesi i dialogut, duhet të formatohet, duhet të bëhet agjenda e qartë e temat e qarta si dhe përfundimi i tij”,  shprehet Haziri për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se përfundimi i dialogut duhet të bëhet me njohje reciproke të pavarësisë dhe të shteteve.

 “Agjenda, koha dhe formati duhet të jenë të qarta në mënyrë që në fund të përfundohet me njohje reciproke të pavarësisë dhe të shteteve, duke përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore sepse është temë e cila nuk mund të përballohet dhe e cila nuk mund të lejoj që të mbyllet demarkimi i kufirit me Serbinë, pa u zgjidhur problem i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë Haziri.

Image
Nait Hasani

Të vazhdojnë bisedimet

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani thotë se bisedimet nuk duhet të ndërpriten, mirëpo duhet vlerësuar ndikimi i Serbisë dhe qëndrimi i saj.

Sipas Hasanit, serbët duhet të konsiderohen si qytetarë të Kosovës, përndryshe duhen ndërprerë bisedimet me ndikime politike nga Beogradi.

“Bisedimet me Serbinë duhet të vazhdojnë, por duhet të vlerësohet ndikimi dhe qëndrimi i Serbisë ndaj serbëve në Kosovë. Serbët në Kosovë duhet të trajtohen si qytetarë të Kosovës, përndryshe në të kundërtën duhen ndërprerë bisedimet me ndikimet politike nga Beogradi”, pohon Hasani për “Bota sot”.

Image
Pal Lekaj

Dialogu të përfundojë me njohje

Ndërsa, kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se dialogu duhet të vazhdojë, por fillimisht të qartësohen pritjet e këtij dialogu.

“Koha e luftës ka përfunduar, tutje duhet vazhduar përmes dialogut, kjo është e kuptueshme. Por këtij dialogu do ti vëmë emër e mbiemër dhe do t'ia perifrazojmë një rezultat. Ndryshe do të ishte i pakuptimtë. Fillimisht duhet të qartësohet se çka janë pritjet nga ky dialog, kjo qartësi duhet të ndodhë brenda Kosovës, ndërmjet Ekzekutivit e Legjislativit dhe të gjithë institucioneve tjera relevante dhe pastaj të konkretizohen temat për të cilat do të mund të uleshim, cilido institucion që do të ishte në atë tavolinë”, shprehet Lekaj për “Bota sot”.

Sipas Lekajt, dialogu Kosovë- Serbi do të duhet të kornizohet dhe të ketë si epilog të shpejtë njohjen reciproke.

“Ky dialog do të duhet  që përveç se të kornizohet , duhet  të ketë  si epilog të shpejtë  edhe njohjen reciproke, e jo siç ka qenë deri  tani që  dialogu është parë si bisedime të një province me një shtet, pa respektuar aspak faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kjo do t'i mbetet që në të ardhmen të vendoset, por gjithsesi do të jetë e nevojshme që nganjëherë të përfshihen të dy instancat e nganjëherë edhe njëra edhe tjetra. Por,  nuk mund të themi tani se cili konkretisht, apo cili me shumë e cili më pak”,  vlerëson Lekaj.

Gjersa, dialogu Kosovë- Serbi më herët ishte udhëhequr nga kryeministrat e dy vendeve, ndërsa bisedimet e fundit kryeministrave iu kishin bashkangjitur edhe presidentët. Tani, së fundmi është raportuar se dialogu duhet të kalojë në nivel presidentësh.

Sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, niveli i dialogut teknik dhe politik i përfaqësuar në nivel kryeministrash, nuk ka dhënë rezultate të pritura.

“Se çfarë niveli e çfarë formati është, iu takon institucioneve të shtetit të vendosin. Por, definitivisht, ky nivel i dialogut teknik dhe politik i përfaqësuar në nivel kryeministrash, nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Duhet që Kuvendi me pasë një rol më të madh, pra komisionet parlamentare sidomos ai për Integrime Europiane dhe për Punë të Jashtme, në mënyrë që me pas një kontrollë më të madhe parlamentare ndaj këtij procesi”, pohon Haziri.

Ai shton se është koha që formati i bisedimeve të rishikohet.

“E thashë që ka ardhur koha që ky format i bisedimeve të rishikohet. Cilido nivel që e përfaqëson është kushtetues dhe me rëndësi është që të dihet qartë agjenda, rruga dhe përfundimi i këtij procesi. Pra, të mos ndodhë ajo që ka ndodhur sepse Kosova ka hyrë në dialog pa agjendë të qartë dhe pa periudhë kohore kur mund të mbyllet”, thekson Haziri.

Kurse, nënkryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për deputet nga kjo parti, Pal Lekaj, i pyetur  nëse bisedimet do duhet të vazhdojnë vetëm nga Presidenti, apo duhet të udhëhiqen nga Kryeministri i ardhshëm, ai shprehet se më me rëndësi janë temat dhe modeli i bisedimeve.

Sipas Lekajt, secili që do ta vazhdojë këtë dialog në emër të Kosovës me Serbinë do ta kishte më të lehtë dhe rezultate më të prekshme.

“E rëndësishme është siç e thash edhe më lartë, që temat dhe modeli duhet të harmonizohet brenda vet Kosovës. E, pastaj në bazë të atyre kornizave në respektim të plotë të tyre, cilido që do të zhvillojë tutje atë dialog në emër të Kosovës me Serbinë do ta kishte me të lehtë dhe me rezultate të prekshme për Kosovën”,  thekson Lekaj.

Image
Albin Kurti

Jo bisedime sipas kushteve të Serbisë

Ndërsa, sipas Lëvizjes Vetëvendosje bisedimet tashmë janë inekzistente dhe çfarëdo rifillimi i tyre do të duhej të bëhej sipas parimeve dhe kurrsesi bisedimet asimetrike.

Kandidati për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për medie para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kishte thënë që bisedimet duhet të mos bëhen sipas kushteve të Serbisë.

“Unë mendoj që Serbia është një vend i pikllueshëm dhe ne nuk do të duhej fort të merremi me Serbinë. Bisedimet tashmë janë inekzistente dhe çfarëdo rifillimi i tyre do të duhej të bëhej sipas parimeve, kurrsesi bisedime asimetrike dhe sidomos, është e domosdoshme që kësaj radhe bisedimet mos të jenë sipas kushteve të Serbisë, ku temë është veç Kosova, ndërkohë që ajo nuk ballafaqohet fare me të kaluarën. Pra, duhet të ndryshojë e gjithë qasja dhe të shohim që Serbia ka vullnet të mirë për t'u përballur me të kaluarën e vet, në mënyrë që ne të mund të besojmë se sadopak ka ndryshuar”,  kishte thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se prioritet për ta është dialogu me serbët e Kosovës dhe sipas tij ata do të bisedojnë me serbët lokalë për një dialog të hapur dhe demokrati.

“Por, prioritet për neve do të jetë dialogu me serbët e Kosovës. Ne nuk i vendosim të gjithë serbët në një vend, në një thes, dhe aq më pak bashkë me Serbinë. Siç ka shqiptarë të ndryshëm ka edhe serb të ndryshëm, ka serb të cilët e pranojnë Republikën e Kosovës, ka serb të cilët përfitojnë nga strukturat e Serbisë por nuk punojnë për to dhe janë ata 300 – 400 serb në veri të Kosovës, që punojnë për ministrinë e brendshme të Serbisë në shërbimin sekret të tyre. Ata janë në listë të rrogave të qeverisë së Serbisë, me ta nuk mund të kemi as bisedime as marrëveshje. Me serbët lokal do të bisedojmë për zhvillim, dialog i hapur e demokratik dhe jo i mbyllur e diplomatik”,  kishte pohuar Kurti.

Image
Shkodran Hoti

Deklaratat e Kurtit të bëra më herët i ka mbështetur edhe tani zëdhënësi i Lëvizjes së tyre, Shkodran Hoti.

Sipas Hotit, ata asnjëherë nuk kanë ndryshuar qasje dhe qëndrim

“Dialogu është tema për të cilën jemi deklaruar më së shumti. E kemi dhënë qëndrimin tonë disa herë për dialogun, vazhdon të jetë ky qëndrim, nuk ka ndryshuar asnjëherë”, ka thënë Hoti.

Dialogu Kosovë-Serbi, të përmbyllet sa më parë

Ndërsa, sipas analistëve dialogu Kosovë- Serbi duhet të përmbyllet sa më parë dhe të përfundojë me njohjen e Kosovës.

Analisti politik, Blerim Burjani, shprehet se deri më tani Serbia ka vazhduar më tepër me lojëra të negocimit dhe jo me ndonjë rezultat të madh.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, Serbia ka pranuar këtë dialog për interesat e saj integruese në BE.

“Ky dialog duhet të përmbyllet sa më parë dhe të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Deri më tani më tepër kishte lojëra të negocimit e jo ndonjë rezultat i madh. Marrëveshjet përveç 5 prej tyre asnjëherë nuk janë zbatuar kanë mbetur në sirtar. Serbia ka pranuar këtë dialog për interesa të saj integruese në BE”, thotë Burjani.

Sipas tij, Kosovë është dëmtuar në këtë dialog, nuk kishte as ekip e as seriozitet.

“Kosova nuk ka fituar asgjë prej kësaj teme, vetëm ka lëshuar pe në gjithçka dhe e ka dëmtuar veten. Nuk ndërtuar kurrfarë strategjie të sjelljes së saj në raport me Serbinë për të arritur ndonjë ndryshim pozitiv. Dialogu pa rezultat për Kosovën, ishte deri më tani, Kosova nuk kishte asnjë lloj  ekipi e as seriozitet në këto bisedime kishte dështime të mëdha”, ka përfunduar Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat