Sulmi me bombë ndaj “Bota sot”, shteti i Zvicrës “shuplakë” drejtësisë në Kosovë

Politika

Sulmi me bombë ndaj “Bota sot”, shteti i Zvicrës “shuplakë” drejtësisë në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 korrik 2017 Në ora: 16:53
Zyrat e redaksisë së gazetës “Bota sot”, në Zurich, 1998/2002

Arrestimi i terroristit në Zvicër për sulmin që e bëri me bombë në vitin 2002 në Cyrih të Zvicrës ndaj gazetës "Bota sot", është shembulli më i mirë që duhet ti jepet drejtësisë në Kosovë, e cila mjerisht nuk ka bërë asgjë deri më tani për zbardhjen e krimeve të pasluftës.

14 vite pasi redaksia e gazetës “Bota Sot” mori një pako me një granatë të prodhimit rus, autoritetet zvicerane kanë arrestuar një person dhe kanë ngritur aktakuzë kundër tij.

Arrestimet e tilla të një shteti ligjor siç është Zvicra, i japin shembull Kosovës se si duhet e funksionuar sistemi i drejtësisë dhe asaj të sigurisë në Kosovë.

Image
Skender Zogaj

Drejtësia në Kosovë në shërbim të krimit

Analistët thonë se, Kosova po vazhdon të përballet me një sistem të kriminalizuar të drejtësisë, në shërbim të krimit e cila punon për të mbrojtur krimin dhe jo të vërtetën.

Analisti politik Skender Zogaj, ka vlerësuar se heshtja e përpjekjes për sulm terrorist kundër gazetës kombëtare "Bota sot" është edhe një dëshmi më shumë për mosfunksionimin e organeve të drejtësisë në Kosovë, që vërtetohet se janë të kapura nga nëntoka e krimit.

Sipas tij, arrestimi i sulmuesit në Zvicër do të duhet të prek ndërgjegjen njerëzore dhe profesionale të strukturave zyrtare të hetuesive dhe gjykatave për parandalimin , zbulimin dhe dënimin e krimeve.

“Është për keqardhje që qytetarët e Kosovës ende qëndrojnë anash duke mos e dhënë kontributin e tyre më aktiv në denoncimin e krimeve dhe për ndikimin tek organet shtetërore për ndjekjen e kriminelëve sepse heshtja dhe qëndrimi anash është pajtim me gjendjen, e kjo është tepër keq, sepse, në fakt është përkrahje e së keqes”, është shprehur analisti politik Zogaj.

Image
Faton Mehmeti

Fillimi i zbardhjes së të vërtetës

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se sulmi ndaj "Bota Sot" ka qenë politik, prandaj dhe është heshtur politikisht dhe nuk është zbardhur për arsyeje politike.

Ai ka vlerësuar se Kosova po vazhdon të përballet me një sistem të kriminalizuar të drejtësisë, në shërbim të krimit e cila punon për të mbrojtur krimin dhe jo të vërtetën.

“Edhe njëherë u dëshmua se " Bota Sot' ka qenë dhe vazhdon të jetë cak i klanit " Pronto" të cilët edhe ia kanë vrarë gazetarët me të devotshëm të saj, siç ishin: Bradhyl Ajeti, Bekim Kastati, Xhemail Mustafa etj dhe përgjegjës kryesor për të gjitha mendoj se është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët edhe do duhet të merren në pyetje për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur jo vetëm gazetës kombëtare” Bota Sot” por edhe mbarë Kosovës, sepse tekefundit ata ishin bijtë e Kosovës” është shprehur analisti Mehmeti.

Image
Faik Krasniqi

Kurse politologu Faik Krasniqi në lidhje më këtë sulm që i është bërë gazetës në vitin 2002, mendon se arrestimi i terroristit në Zvicër për sulmin me bombë ndaj gazetës "Bota Sot", është fillimi i zbardhjes të së vërtetës dhe pistë për të zbuluar urdhërdhënësit e këtij akti terrorist, ndaj një mediumi që për më shumë se dy dekada ka shërbyer dhe kontribuar për luftën çlirimtare dhe fjalën e lirë.

“Gazetë, gazetarë dhe analistë, të cilët përkundër kërcënimeve dhe shantazhave, madje disa sosh prej tyre e kanë paguar me jetë, nuk është ndalur për asnjë moment t'i luftojë dukuritë negative dhe kriminale që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës. Heshtja e mediave në Kosovë lidhur me këtë rast, ka të bëjë me atë se mediat kryesore tek ne kontrollohen nga ata që këtë vend e kanë sjellë në këtë derexhe. Ata të cilët këtë vend e kanë bërë të pasigurt, ata të cilët këtë vend e kanë bërë pronë të tyre private. Ata të cilët qytetarëve të këtij vendi ua kanë humbur shpresat për të jetuar këtu”, ka thënë politologu Krasniqi.

Të barabartë para ligjit

Sipas tij, drejtësia në botën demokratike nuk kontrollohet nga politika, dhe para ligjit të gjithë janë të barabartë.

“ Përkundër drejtësisë në botën demokratike, në Kosovë fatkeqësisht drejtësia kontrollohet nga të ''fortit'' e politikës dhe para politikes, prandaj është utopi të të presim që të zbardhen krimet e pasluftës. Shembull kemi Gjykatën e Apelit, vendi ku krimi e korrupsioni inkurajohen. Gjykatë për të cilën ka nevojë të krijohet një Gjykatë Speciale për gjithë ata gjykatës të korruptuar”, ka thënë politologu  Krasniqi.

Image
Ali Hertica

Sulmi makabër

Ndërsa analisti politik Ali Hertica ka thënë se arrestimi i fundit i terroristit nga policia e shtetit Zvicrën është një shembull i lartë të një shteti i cili e ka në synim ligjin dhe rendin e shtetit.

Sipas tij, pa marr parasysh se nga kush paraqitet rreziku për sigurinë e shtetit apo individit, rasti i sulmit të gazetës së përditshme “Bota sot “është një sulm makabër dhe qyqar.

“E them këtë sepse këtu po sulmohet një dritare informative, madje jashtë shtetit është diçka edhe më qyqare sepse mërgimtarët e kanë atje këtë  gazetë e kanë të vetmin informim jashtë shtetit ku ka lindur, dhe të sulmohet kjo dritare që të hap të gjitha shtigjet nuk është asgjë më shumë sesa një tmerr i errët dhe i shëmtuar i shoqërisë në Kosovë. Prandaj edhe mos reagimi i shoqërisë civile dhe asaj gazetareske e Kosovës diçka sikur nuk tingëllon këndshëm, për mediat e shkruara dhe elektronike dhe për këtë shtrohet pyetja se përse vallë??Arrestimet e tilla të një shteti ligjor siç është Zvicra i japin shembull Kosovës se si duhet e funksionuar sistemi i drejtësisë dhe asaj të sigurisë në Kosovë. Kjo është për tu vlerësuar e jo të hyn dhe të del kush të dojë pa u vërejtur, sepse tani në Kosovë më tepër merren me çështje të teologjisë sesa të krimeve ordinere dhe ato krime që ishin të kryetareve mbas luftës pa u zbardhur  fare. Madje një pjesë e tyre janë të involvuar edhe vet, por këtë Gjykata do ta thotë të vetën si verdikt të fundit. Për të gjitha ato që janë apo nuk janë të bëra por vetëm si skenime”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

Image
Hajrullah Tërnava

Forca e drejtësisë

Ndërsa eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava ka vlerësuar se arrestimi i terroristit na Zvicër për sulmin me bombë ndaj gazetës së madhe "Bota sot", nga ana e shtetit të Zvicrës e tregon forcën e drejtësisë të atij shteti, ndaj çdo krimi e sidomos në këtë rast të një krimi terrorist.

Sipas tij, ky rast ishte dashur që sistemit të drejtësisë të Kosovës, ti shërbejë si shembull dhe stimulues në përndjekjet e tilla të ngjashme, e që mjerisht janë të shumta.

“Krimi i organizuar e ka ngulfatur sistemin e drejtësisë të Kosovës, dhe kjo burgosje në Zvicër për opinionin e Kosovës ndoshta është i rëndomtë dhe nuk zgjon interesim, sepse opinioni gjerë është lodhur nga i gjithë ky krim që ka thuajse ka lëshuar rrënjë në shoqërinë tonë. Dhe ndonëse është kërkuar mjaft shumë që të luftohet krimi në përgjithësi, megjithatë deri më tani fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë sukses në këtë drejtim”, ka thënë Tërnava.

Drejtësia vonon por vjen

Sipas tij, arrestimi i të dyshuarit për hedhjen e bombës në selinë e gazetës ‘Bota Sot’ në Zvicër, është padyshim një hap inkurajues drejtë zbardhjes së këtij rasti.

“Natyrisht që për mua në këtë rast, vlen të besoj në parimin universal të së drejtës së i akuzuari, mbetet i pafajshëm deri në vendimin e plotë të gjykatës në lidhje me rastin. Ky është një shembull i mirë, i cili shërben që edhe në Kosovë, ta kuptojnë të gjithë se drejtësia vonon, por vjen. Mos të flenë të qetë, të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo tjetrën, i kanë zhytur duart ne krim. Koha do të vijë patjetër, kur secili do të përgjigjet për çdo vepër të vetën”, është shprehur Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat