Cila është lidhja e Ramush Haradinajt me Alban Dizdarin, i burgosur për vrasje të pasluftës?!

Politika

Cila është lidhja e Ramush Haradinajt me Alban Dizdarin, i burgosur për vrasje të pasluftës?!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 korrik 2017 Në ora: 16:02
Kandidati për kryeministër i PAN-it, Ramush Haradinaj së bashku me të arrestuarin për vrasje të pasluftës, Alban Dizdarin

Gjykata Themelore në Prishtinë, ditë më parë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Bajram Kiqmarit, Faik Shaqirit dhe Alban Dizdarit.

Alban Dizdari, Bajram Kiçmari, u arrestuan nga Policia e Kosovës të mërkurën e kaluar, ndërsa Faik Shaqiri u ekstradua nga Gjermania, të tre nën akuzën si të dyshuar për vrasjen e  dy zyrtarëve të UNMIK-ut në vitin 2014 dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut në të njëjtin rast.

Kiçmari dhe Dizdari janë arrestuar në Podujevë,  pas një operacioni kërkimi si pjesë e hetimeve penale nga Prokuroria Speciale të kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, ndërsa Faik Shaqiri është arrestuar në Gjermani, e ku më pas është ekstraduar në Kosovë. Të treve, u është caktuar nga një muaj paraburgim.

Por, në një foto që po qarkullon në rrjetet sociale, kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, njëherit edhe lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, shihet në foto me Alban Dizdarin, i akuzuar për vrasje të pasluftës si dhe si i përfshirë në trazirat e Marsit të vitit 2004 në Kosovë.

Për këto të fundit, prokurori italian i EULEX-it, Danilo Cecareli, ka thënë se prapa tyre qëndrojnë krerë të lartë të UÇK-së.

Sipas prokurorit italian, grupi ku bëjnë pjesë Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri dhe disa persona të tjerë vepruan që nga paslufta duke organizuar disa aksione

“Në fundin e vitit 2000 disa ish-luftëtarë të UÇK-së krijuan një grup me qëllimin për të luftuar një luftë të fshehtë me qëllim të marrjes së kontrollit në të gjithë territorin e banuar me shqiptarë në Kosovë”, thuhet në dokumentin e siguruar.

I njëjti sqaron se grupi mori urdhra dhe i përgjigjej komandantëve të profilit të lartë të UÇK-së, të cilët në ndërkohë kishin marrë poste të rëndësishme politike.

“Nën këto urdhra, ata ishin të përfshirë në disa vrasje sulme terroriste, prita, rrëmbime dhe krime të tjera të renda”, shkruhet në dokumentin e EULEX-it.

Por, cila ishte lidhja mes Ramush Haradinajt me Alban Dizdarin?!

Image
Muharrem Nitaj

AAK e painformuar për lidhjen e Haradinajt me Alban Dizdarin

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar zyrtarë të AAK-së, por ata janë shprehur të painformuar për lidhjen mes tyre, madje kanë thënë se ata nuk e njohin Alban Dizdarin.

Duke folur për këtë, zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj,  ka thënë se për këtë fotografi nuk ka dëgjuar e as nuk e ka parë asnjëherë.

“Hera e parë që po dëgjoj për këtë foto”, është shprehur shkurtimisht Nitaj, derisa ka sugjeruar që për të njëjtën çështje, të kontaktojmë me Avni Arifin nga kryesia e AAK-së.

Por, edhe ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh Dizdarin.

Image
Avni Arifi

“Kurrë s’kam dëgjuar as nuk e di kush është ky Dizdari. Çfarë pozicioni ka ky në AAK, sepse Ramush Haradinaj ka me dhjetëra e mijëra foto... Nuk e njoh”, është shprehur Arifi për “Bota sot”.

E për të njëjtën çështje, mendimet e tyre i kanë dhënë edhe analistët politikë. Ata konsiderojnë se Haradinaj duhet të prononcohet rreth kësaj foto, “në mënyrë që të hiqet çdo dilemë që e implikon me personin në fjalë”.

Krasniqi: Ramushi të prononcohet për foton

Sipas publicistit dhe analistit politik Faik Krasniqi, liderët partiakë mund edhe të mos dinë se po fotografohen me njerëz të dyshuar për krime.

Image
Faik Krasniqi

“Ndodh shpesh që liderët partiakë nëpër tubime të ndryshme, të fotografohen me lloj-lloj njeriu. Qoftë edhe me kriminel dhe vrasës. Pa dashur të paragjykoj, mund edhe mos ta dinë që njeriun me të cilin ka bërë foto është një kriminel”, ka thënë Krasniqi.

Por, ai ka theksuar se Haradinaj duhet të dalë e të prononcohet rreth kësaj fotoje, pasi në të kundërtën, siç ka thënë ai, e njëjta do të mbetet njollë për të.

Madje, sipas tij, në rast se nga hetimet do të dilte se ai ishte i lidhur me kriminelë, atëherë Haradinaj nuk do të mund ta vazhdonte më karrierën politike.

“Do të ishte mirë që Haradinaj të prononcohet rreth kësaj foto, në mënyrë që të hiqet çdo dilemë që e implikon me personin në fjalë. Në të kundërtën, kjo foto do të ngelet njollë e zezë për Haradinajn. Po të kishim drejtësi të pandikuar nga politika, siç është në çdo vend ku sundon ligji, çdo dyshim do të hetohej nga drejtësia dhe nëse do të dilnin si të vërteta implikimet e tyre me kriminelë të ndryshëm, atëherë ai politikan nuk do të mund ta vazhdonte më karrierën politike”, është shprehur analisti Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, politologu Faton Mehmeti, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se Alban Dizdari, ishte ndër ideatorët e trazirave të marsit 2004.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Fotoja, dëshmi për inkriminimin e Haradinajt me bandat famëkeqe

Kurse, Haradinaj sipas tij, është pjesë e bandave të rrezikshme në Kosovë dhe kjo siç ka thënë ai, “arsyetohet me pasurinë marramendëse të tij”.

“Arsyen dhe momentin kur është bërë kjo nuk e di, kështu që nuk mund të flasim konkretisht për një foto të Ramushit me Alban Dizdarin, njërin ndër ideatorët e trazirave të marsit të 2004. Por, ajo që mund të themi me siguri është se Ramushi është pjesë e bandave më të rrezikshme në Kosovë, njerëz të haraçit, njerëz të shantazhit dhe kërcënimeve. Banda e Ramushit udhëheq kazinot e vendit, lojërat e fatit janë pjesë e biznesit të tyre, pastaj tregtisë me armë dhe llojeve të tjera të kontrabandës. Kjo edhe arsyeton pasurinë marramendëse të Ramushit dhe të njerëzve që e rrethojnë atë. Prandaj edhe fotoja me Alban Dizdarin, duhet të jetë dëshmi e mjaftueshme për të përligjur inkriminimin e Ramushit me bandat famëkeqe në vend. Kjo dëshmon se në Kosovë udhëheqin bandat, herë njëra e herë tjera dhe herë së bashku, varësisht prej bizneseve”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka shtuar se koalicioni PAN, “si koalicion i krimit dhe bandave”, mund të bëjë çdo gjë vetëm që të marr pushtetin.

“Koalicioni PAN është koalicion i krimit, kazinove dhe bandave, prandaj bëjnë çdo gjë që të marrin pushtetin se vetëm kështu arrijnë të ruajnë bizneset e tyre të pandershme. Ramushi është pjesë dhe ideator i bandave të Dukagjinit, të cilat kur të bashkohen me ato të Drenicës, atëherë Kosova falimenton si shtet”, ka përfunduar politologu Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat