Gara e “nxehtë” për Prishtinën, partitë ende heshtin për emrat e kandidatëve

Politika

Gara e “nxehtë” për Prishtinën, partitë ende heshtin për emrat e kandidatëve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 korrik 2017 Në ora: 14:30
Komuna e Prishtinës

Me 76.020 vota, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ishte i dyti nga Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e 11 qershorit.

Mirëpo, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, ai njoftoi se heq dorë nga pozita e deputetit, për të vazhduar si i pari i Prishtinës, e që do të garojë sërish nga partia e tij për një tjetër mandat, për ta qeverisur kryeqytetin.

Deputeti Sami Kurteshi ditë më parë në një intervistë për gazetën “bota sot” ka thënë se kërkesa për një mandat tjetër nga Ahmeti është dëshmuar në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Vota për LVV në këto zgjedhje ka dëshmuar qartë edhe kërkesën për një qeverisje komunale në krye me Shpend Ahmetin”, është shprehur ai.

Ndërsa, partitë tjera thonë se ende nuk i kanë caktuar kandidatët për komunën e Prishtinës për zgjedhjet lokale.

Image
Agim Gashi

LDK ende pa kandidat

Edhe pse nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë përmendur emra për kandidatë potenciale, kjo parti ende nuk ka vendosur, e këtë e ka mohuar asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi.

“Jo ende nuk kemi vendosur për kandidatin për kryetar të Prishtinës. Nuk ka emra, nuk mund të japim asnjë emër sepse këtë e publikon kryesia, ajo e ka validitetin. Të tjerat janë fontanë dëshirash”, është shprehur për gazetën “Bota sot”, është shprehur Gashi për gazetën “Bota sot”.

Heshtin PDK e AAK

Derisa nga PDK-ja është raportuar se do të kandidojë kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Prishtinë Lirak Çelaj, së fundmi në media ai ka mohuar një gjë të tillë, derisa ka thënë se partia e tij ende nuk ka vendosur për emrin e kandidatit për të parin e Prishtinës, në zgjedhjet lokale të 22 tetor.

Nga AAK Besnik Tahiri ka mohuar se do të jetë ai, ndërsa që nga AKR si i përfolur për kandidat për Prishtinën, nënkryetari Korab Sejdiu në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka mohuar se do t’i futet kësaj gare.

Por, sa mund të jenë tregues votat që Ahmeti mori si kandidat për deputet, për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Për këtë dhe mundësinë që Shpend Ahmeti ta fitojë edhe një mandat në krye të Prishtinës, analistët japin mendimet e tyre.

Image
Leon Duhanaj

Pengesat e Shpend Ahmetit

Analisti Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ata që kanë një post nuk do të duhej të kandidonin për një tjetër, derisa tregon pengesat që mund t’i dalin atij për të fituar edhe një mandat në Prishtinë.

“Së pari, mendoj, që jo vetëm Shpendi, por të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga qytetarët, nuk do të duhej kandiduar fare, pasi që me këtë rast po bëjnë një mashtrim ndaj njerëzve që i kanë përkrahur. Kjo pasi që nuk është e mundur t'i mbajnë të dy postet në të njëjtën kohë. Shpendi gëzon përkrahje të madhe në opinion dhe njëherësh është kandidati më serioz për t'i fituar apo rifituar zgjedhjet. Ajo çfarë mund t'i kushtojë me humbje atij, mund të jenë punësimet nën ndikimin e LVV-je, të militantëve të tyre. Pengesa tjetër do t'i bëhet sigurisht nga qytetarët nëse ia kujtojnë aktivitetet e tij ne shume protesta te dhunshme në qytet. Është shembulli me i keq, kur kryetari u kryeqytetit në vend që të luftojë ta ruajë qytetin, ai u bashkangjitet protestave të dhunshme”, është shprehur Duhanaj.

Më tej, ai tregon se kush do të ishte kandidati apo partia që do të mund ta merrte Prishtinën ndaj Ahmetit.

“Megjithatë, të gjitha këto argumente, bien poshtë, nëse subjektet tjera punojnë për Shpendin. Si po e mendoj ketë? Duke kandiduar figura të papranueshme po ta zëmë LDK, nëse arrin ta mbaj harmoninë dhe t'u qëndrojë besnik disa parimeve qytetëruese dhe nëse ofrojnë një kandidat serioz dhe të pranueshëm për shumicën qytetare. Por, nuk përjashtohen as mundësitë e bashkëpunimit, qoftë zyrtar apo jozyrtar mes partive”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Vetëm LDK mund ta sfidojë Shpend Ahmetin

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri nuk e konsideron aspak demokratike që ata që fitojnë postin e deputetit e lënë atë për ndonjë post tjetër.

“Them se është bërë një traditë jo e mirë dhe aspak demokratike në Kosovë sa i përket garës për deputet dhe pas fitimit të mandatit, persona të caktuar japin dorëheqje apo largohen nga pozita e deputetit, për shkak se mbajnë një pozitë tjetër, qoftë kjo e kryetarit të komunës. Në rastin e Shpend Ahmetit, kryetar aktual i Komunës së Prishtinës, kandidimi i tij ishte vetëm sa për të tërhequr vota në subjektin e tij politik, një taktikë kjo nga LV-ja, por jo vetëm nga kjo por edhe nga subjekte të tjera politike, dhe pa marrë parasysh këtë, por edhe raste të tjera të kësaj natyre, ky është një mashtrim ordiner që i bëhet qytetarit dhe s’ka të bëjë asgjë me demokracinë. Kjo praktikë e tillë duhet të marrë fund, çdo person që mandatohet nga qytetari përmes votës, duhet të jetë përgjegjës për atë mandat”, është shprehur Haziri për gazetën “Bota sot”.

E sa i përket mundësisë së fitimit të një mandati tjetër apo jo nga kryetari aktual, Haziri e sheh LDK-në si parti që mund ta sfidojë atë.

“Se sa ka mundësi që Ahmeti të rizgjedhet për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të vjeshtës së sivjetme, kjo ju mbetet qytetarëve të Prishtinës, por për një gjë jam shumë i sigurt se Ahmeti, do të sfidohet bukur shumë në garën për Prishtinën, sidomos nëse nga LDK-ja do të nxjerr një kandidat te profilit të ri, intelektual, profesional, me kredibilitet politik dhe moral që nuk është i konsumuar në pushtetin lokal nga mandatet e kaluara, dhe them se ka gjasa të mira që LDK-ja ta kthej pushtetin në Prishtinë”, ka thënë ai.

Image
Ali Hertica

Politikanët shkelin mbi votën e qytetarit

Në anën tjetër, analisti politik Ali Hertica thotë se politikanët po shkelin mbi votën e qytetarit, duke bërë lojëra politike për karrige.

“Duke u nisur nga barometrat e politikës në Kosovë dhe situata aktuale e zhvillimeve që sot po katandisin shoqërinë e Kosovës nga egoja e subjekteve politike dhe liderëve politik për t’i zënë kolltuqet e buta, dhe duke shkelur mbi votën e qytetarit qe ju ka dhënë bekimin të gjitha subjekteve dhe atyre që ishin në listë del se ky lloj trendi i shkeljeve po acarohet edhe më shumë tek subjekte politike pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Emrat që lakohen si fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit tani thuajse po bëjnë lojëra zikzake për interesa të subjekteve politike dhe kjo është edhe normale tek shoqëria e Kosovës, rastin e kemi te shumë politikanë ku këtë rast e ka edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili lidh një shtytje të madhe subjektit me vota dhe në anën tjetër e bëri një testim se a qëndron besnik qytetari pas vetes dhe subjekti te VV-së”, është shprehur Hertica.

Ndërsa sa i përket udhëheqjes së Prishtinës pas zgjedhjeve të tetorit, ai mendon se për këtë do të vendos elektorati, i cili tashmë është më shumë i vetëdijësuar.

“Tani sipas të gjitha barometrave del se Shpend Ahmeti do jetë prapë ai i cili do të vazhdojë garën për të parin e kryeqytetit nga subjekti i tij, sepse të gjitha subjektet politike pretendojë ta marrin kryeqendrën e Kosovës për ta udhëhequr sepse mu aty bëhet politika. Të gjitha subjektet politike do të garojnë për të marrë Prishtinën, por kush do ta marrë, aty varet nga elektorati, sepse tani elektorati thuajse është vetëdijësuar dhe në momentin e fundit po jep dënime pa iu dhimbsur fare për liderin apo subjektin, ku edhe kjo ndodh që ndokush ta marrë Prishtinën nga subjektet tjera por aty koha dëshmon së bashku me qytetarin ku do ta bekojë të parin e kryeqendrës të thirrur metropol që do ta bëjnë politikanët”, ka deklaruar Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat